Të folurit e Profetit tonë, më i miri i folësve dhe zotëria i horizontit Levlake Levlake, ka qenë jashtëzakonisht e ëmbël dhe ledhatuese. Fliste qetë dhe i ndante fjalët nga njëra-tjetra me qëllim që çdo fjalë të kuptohej mirë nga ata që e dëgjonin. Kishte zakon të përsëriste tri herë një fjalë të cilën dëshironte ta theksonte. Në shumicën e rasteve, kur fliste, sytë i drejtonte lart nga qielli. Zërin e kishte të lartë. Në një transmetim të Umu Hanit, (r.a.) thuhet kështu: “Profeti paqja qoftë mbi të! lexonte Kuran në Qabe dhe ne e dëgjonim të ulur, në divanet tona në shtëpi.”

Ndërsa Aishja (r.a.) kur përshkruan mënyrën e të folurit të Profetit, shprehet kështu: “Kur fliste, nuk fliste si ju. Kushdo qoftë ai që e dëgjonte, mund t’i mësonte përmendësh fjalët e Tij.”Madje kur fliste Profeti ynë, mund të numëroje dhe shkronjat e nxjerra nga goja e tij. Jo ngaqë fliste ngadalë. Sepse të folurit e ngadaltë mund ta mërzisë dëgjuesin. Por të folurit shkoqur e qartë nga Profeti, nuk vjen në kuptimin e një të foluri të rëndë, të ngadaltë. Madje kur ai dëshironte të theksonte diçka, e përsëriste tri herë.

Në një hadith të gjatë, një ditë Hz. Hasani e pyet Hind ibn Hale: “Si fliste Profeti paqja qoftë mbi të!?Ai ishte përgjigjur kështu: “Në shumicën e rasteve qëndronte i heshtur, sikur të ishin në prezencën e Krijuesit Hyjnor. Ai nuk pushonte si njerëzit e botës, koha e heshtjes ishte më e gjatë se ajo e të folurit, nuk kish zakon të fliste kur nuk ishte e nevojshme. Kur niste të fliste dhe kur mbaronte fjalën, thoshte “bismil’lah”. Qëllimet e tij i shprehte me fjalë të shkurtra dhe të sakta, ishte lakonik. Kur duhej të shprehte synimet e tij, nuk fliste as pak, as shumë. Gjithmonë respektonte mirësinë edhe nëse ishte e pakët nuk përdorte asnjë shprehje qortuese për të. Falënderonte për çdo mirësi. Nuk shqetësohej për pasurinë e botës, domethënë nuk e zemëronte asnjëherë ndonjë çështje e kësaj bote. Por përballë prekjes dhe cenimit të një të drejte, askush nuk mund t’i dilte para zemërimit të tij. Nuk mërzitej apo zemërohej për ndonjë çështje që kishte lidhje me të. Prandaj nuk ushqente asnjëherë urrejtje dhe armiqësi. Kur do të tregonte diçka, nuk tregonte me gisht, por me duart e tij të bekuara. Kur i pëlqente diçka, nëse pëllëmbën e dorës e kishte të drejtuar drejt tokës, e ngrinte lart, nëse e kishte të drejtuar lart, e drejtonte poshtë. Kur dëshironte të fliste, me gishtin e dorës së majtë godiste pëllëmbën e dorës së djathtë. Nëse zemërohej me dikë, nuk fliste me zë të lartë, që të bërtiste, e pranonte me një të falur. Kur qeshte, mbyllte me përulësi kapakët e syve, në këtë mënyrë nuk e shfaqte të qeshurën. Qeshja e Profetit tonë, më i epërmi i profetëve, ishte gjithnjë buzëqeshje. Kur buzëqeshte, i dilnin dhëmbët e pastër e të bekuar si margaritarë.”

Ndërsa Xhabir ibn Semure na jep këtë transmetim: “Profeti paqja qoftë mbi të! e kishte kërcirin të hollë. Kur qeshte, shfaqte një buzëqeshje. Në pamje të parë mendoje se Ai mund të kishte përdorur syrme për të lyer sytë, por në të vërtetë, sytë e tij ishin si të lyer me syrme.” Profeti ynë ishte një njeri i buzëqeshur. Haris ibn Xhuz thotë: “Nuk kam parë njeri më të buzëqeshur se i Dërguari i Zotit.”

Ndonjëherë, i Dërguari i Zotit ka buzëqeshur në lidhje me konkluzionin e ndonjë çështjeje. Hadithi që transmeton Ebu Dheri (r.a.) është: Profeti ynë thotë: “Unë e njoh njeriun e parë që do hyjë në xhenet pasi të ketë shpëtuar nga xhehenemi dhe njeriun e fundit që do të shpëtojë nga xhehenemi për të hyrë në xhenet. Në ditën e kiametit, kur njeriu çohet për të dhënë llogari, melekët urdhërohen:

– Tregoni këtij njeriu gjithë mëkatet e vogla që ka bërë. Ndërsa mëkatet e mëdha fshijani. Atij i thuhet ke bërë këtë, këtë, këtë. Ai i pranon të gjitha dhe nuk mund të kundërshtojë asgjë nga ato që thuhet. Ndërkohë frikësohet nga mendimi i mëkateve të mëdha. Në atë çast, Zoti u drejtohet melekëve:

Jepini atij të mira përballë këtij mëkati të vogël. Kur e dëgjon vendimin, ky njeri mëkatar dhe i pashpresë, me një ambicie të rilindur, thotë:

Lexo  Roli i prindit në procesin e edukimit dhe arsimimit

Unë kam bërë mëkate edhe më të mëdha. Nuk po arrij t’i shoh në librin e veprave.

Ebu Dheri thotë: “Kur e tha këtë Profeti, pashë nga Ai. Nga e qeshura i dukeshin dhëmballët.”

Abdullah ibn Mesudi transmeton se Profeti ynë ka thënë: “Zoti më tregoi për njeriun e xhehenemit që do të dalë i fundit nga xhehenemi dhe do të hyjë i fundit në xhenet. Ky njeri do të dalë duke ecur këmbadoras nga xhehenemi. Zoti i Madhëruar do t’i thotë:

“Shko, hyr në xhenet!”

Ai njeri shkon në xhenet, por xheneti është aq i mbushur, saqë çdo njeri ka vendin e tij dhe duket se nuk ka mbetur asnjë vend.

“O Zoti im! Unë e gjeta xhenetin të mbushur plot”, thotë.

Zoti i Madhëruar i thotë sërish:

“Shko, hyr në xhenet!”

Ai hyn në xhenet. Përsëri e gjen të mbushur plot e përplot.

“O Zoti im! E gjeta xhenetin të mbushur plot”, i thotë përsëri Zotit.

Zoti i përgjigjet:

Shko, hyr në xhenet, vendi yt është sa e gjithë bota dhe dhjetë herë më e madhe se bota.

Ai drejtohet kështu:

Ti po tallesh me mua duke qenë se je Sunduesi i vetëm!”

Abdullah ibn Mesudi thotë: “Për Zotin, Profeti paqja qoftë mbi të! qeshi aq shumë, sa iu dukën dhe dhëmbët e fundit.”

Në këtë hadith tregohet se si e ka bërë të qeshë Profetin paqja qoftë mbi të! një tablo e lidhur me ditën e fundit.

Një ngjarje tjetër që e ka bërë të qeshë të Dërguarin e Zotit, është:

Ebu Hurejre (r.a.) tregon kështu: “Erdhi njëri te Profeti dhe i tha:

“U shkatërrova, o i Dërguari i Zotit.”

“Çfarë të ka shkatërruar?”, e pyeti i Dërguari i Zotit.

“Kam kryer marrëdhënie seksuale me gruan gjatë Ramazanit.”

Pas kësaj Profeti i thotë:

“A mund të lirosh një rob?”

“Jo, nuk mundem”, iu përgjigj ai.

“Atëherë a ke fuqi të agjërosh dy muaj pa ndërprerje?” e pyeti Profeti.

“Jo, nuk mundem”, iu përgjigj. Profeti i tha:

“A mund të ushqesh gjashtëdhjetë të varfër?”

Pastaj ai u ul afër Profetit. Të Dërguarit të Zotit i sollën një kanistër me hurma. Profeti iu drejtua:

“Merre këtë dhe jepe si sadaka!”

Ai iu përgjigj:

– T’ia jap një njeriu më të varfër se unë? Ndërmjet banesave nga të dy krahët e Medinës, nuk ka familje më në nevojë për këtë se familja ime.

Pas kësaj përgjigjeje, Profeti qeshi sa iu dukën dhëmballët. Pastaj iu drejtua:

“Atëherë jepja familjes tënde nëse është kështu.”

 

TË QARIT E PROFETIT

Sahabet e nderuar e kanë parë Profetin tonë, Profetin e mëshirës, duke qarë herë pas here. E qara e tij nuk ishte për shkak të humbjes së ndonjë gjëje materiale të kësaj bote. Ndonjëherë ka derdhur lot për vdekjen e një të ndjeri, ndonjëherë për hir të dashurisë për umetin e tij, ndonjëherë ka derdhur lot për frikën dhe respektin ndaj Zotit, ndonjëherë duke dëgjuar leximin e Kuranit.

Nuk e ka konsideruar të shëmtuar të qarin, që është një instinkt natyror dhe i lindur, por nuk e ka pranuar vajtimin apo të qarin që kundërshton caktimin e Zotit dhe kaderin e Tij.

Abdullah ibn Auf thotë: “Iu afrova të Dërguarit të Zotit ndërsa po falte namazin. Zëri i të qarit ishte sikur zëri që nxjerr një tavë dheu e valuar mbi zjarr.” Shkaku i të qarit, padyshim që vinte nga frika prej Zotit. Ajo vinte si rezultat i pasqyrimit të cilësive madhështore dhe të bukura të Zotit. Sepse ai vetë ka thënë: “Unë jam i pari në kryerjen e punëve të mira dhe jam Ai që frikësohet më shumë nga Zoti. Po të dinit ato që di unë, do të qeshnit pak dhe do të qanit shumë.”

Një herë, në Epokën e Lumturisë, ndodhi dukuria e eklipsit. Përballë kësaj vepre të mrekullueshme të Zotit, i Dërguari i Zotit u ngrit menjëherë dhe fali namaz. Aq shumë ndenji në këmbë (kijam) saqë dëshmitari, Abdullah b. Amr, filloi të mendonte se nuk do shkonte në sexhde. Pastaj ra në ruku. Por edhe në ruku ndenji aq gjatë saqë ai mendoi se nuk do të drejtohej. Pas një farë kohe e ngriti kokën nga rukuja dhe priti për një kohë të gjatë në këmbë. Pastaj ra në sexhde. E zgjati aq shumë saqë menduan se nuk do ta ngrinte kokën. E ngriti kokën nga sexhdja dhe priti për një kohë të gjatë mes dy sexhdeve. Përsëri ra në sexhde. Dhe në sexhden e dytë qëndroi gjatë dhe filloi të qante me dënesë. Ndërkohë i lutej Zotit duke derdhur thellësinë e zemrës: “Zoti im! A nuk më premtove që nuk do t’i dënosh ata sa të jem unë mes tyre? A nuk më premtove se nuk do t’i ndëshkosh për sa kohë të kërkojnë të falur? Ja, shiko, ne po të kërkojmë të falur.”

Lexo  Periudha e Medinës

Pas faljes së këtij namazi dy rekatësh kaq të gjatë, ngjau eklipsi i diellit. U ngrit dhe e falënderoi Zotin (xh.sh). Pastaj tha këto fjalë: “Dielli dhe hëna janë dy nga argumentet e shumta të Zotit. Ato nuk mbulohen për shkak të vdekjes apo të lindjes së një personi. Nëse shihni mbulimin e këtyre dy argumenteve të mëdha, kujtoni menjëherë Zotin dhe vraponi për ta adhuruar.” Me këto fjalë, Profeti na kujton se eklipsi i hënës dhe i diellit, të cilat shihen ditët tona si veprimtari turistike, në të vërtetë janë kohë lutje dhe adhurimi ndaj Zotit.

 

QANTE KUR DËGJONTE KURAN

I Dërguari i Zotit paqja qoftë mbi të! kërkon nga Abdullah b. Mesud (r.a.) t’i lexojë Kuran. Abdullah b. Mesud (r.a.) çuditet përballë një kërkese të tillë dhe i thotë: “Si mund të të lexoj Kuran, o i Dërguari i Zotit, ndërkohë që ai të ka zbritur Ty dhe i shkon më shumë gojës tënde? Profeti ynë i përgjigjet: “Më pëlqen të dëgjoj leximin e Kuranit nga dikush tjetër”. Abdullah b. Mesudi (r.a.) filloi të lexonte suren Nisa. Kur arrin te ajeti “Si do shkojë puna e tyre o Muhamed kur të sjellim nga një Profet për çdo popull për të dëshmuar dhe ty si dëshmitar për të gjithë?”, pa sytë e të Dërguarit të Zotit të mbushur me lot.

 

PAFAJSHMËRIA E LOTËVE QË NUK KUNDËRSHTONIN CAKTIMIN E ZOTIT

Sipas Aishes (r.a.), kur Profetit i ka vdekur vëllai prej qumështi, Osman b. Maz’un ka qarë dhe e ka puthur.

Profeti ynë paqja qoftë mbi të! kishte një djalë me egjiptianen Marije. E donte shumë dhe e përkëdhelte me dhembshuri. Ky vogëlush i pafajshëm u sëmur rëndë kur ishte dy vjeç dhe sëmundja iu përhap shumë shpejt. Në çastin e fundit, Profeti ynë paqja qoftë mbi të! e përqafoi dhe e puthi për herë të fundit duke e shtrënguar në gji. Ndërkohë nuk mund t’i përmbante lotët dhe ndjenjat e tij i shprehu me këto fjalë: “Nuk kemi ç’të themi përballë kaderit të Zotit, o Ibrahim!” Pasi vogëlushi ndërroi jetë, Profeti paqja qoftë mbi të! me sy të përlotur tha: “Syri loton dhe zemra hidhërohet. Nuk na takon të themi ndonjë fjalë të papërshtatshme me kënaqësinë e Zotit. Vdekja jote na hidhëroi shumë o Ibrahim. Nëse vdekja nuk do ishte caktim nga Zoti, nëse nuk do të vinte exheli dhe ata që do vinin më pas nuk do të takoheshin me të parët, vdekja jote do të na hidhëronte edhe më shumë.”

Sahabët kur panë lotët e të Dërguarit të Zotit, edhe pse Profeti ynë paqja qoftë mbi të! ua kishte ndaluar të qarin, e pyetën për shkakun. Profeti i tha: “Unë nuk kam ndaluar hidhërimin, por kam ndaluar vajtimin me të bërtitura dhe të çjerra, duke hedhur gurë e rrahur veten kundër kaderit. Lotët që shihni janë pasqyrim i dashurisë dhe vuajtjes që kam në zemër…”

Ibn Abasi (r.a.) transmeton: “Profeti paqja qoftë mbi të! mori në prehër një vajzë të vogël. Fëmija qëndroi pak në prehrin e tij dhe pastaj vdiq. Pas kësaj, Umu Ejmen filloi të qajë me zë të lartë. Profeti ynë u përpoq ta ndalonte vajtimin e saj me zë të lartë. Ajo iu drejtua Profetit: “A nuk të kam parë dhe ty duke qarë, o i Dërguari i Zotit? A nuk qani ndonjëherë ju?” Profeti iu përgjigj kështu: “E qara ime nuk rrjedh nga padurimi dhe nuk është një thirrje kundërshtuese e kaderit. Shkaku i të qarit tim është mëshira ime. Padyshim që besimtari dëshiron të mirën, kudoqoftë. Vuajtja e shpirtit është një e mirë për të, për këtë arsye falënderon Zotin.”

Ndajeni me miqtë tuaj...