Se natyra jote më e lartë dhe se natyrë e engjëjve është:
Te ti ësht’ e shkruar gjendja ime, se brenda teje shkruar ësht’ gjithësia.
(Mehmet Akif)
Njeriu është themeli i çdo pikëpamjeje filozofike dhe shkencore. Të bësh filozofi pa llogaritur më parë atë, apo të kalosh në shkencë, është diçka e pamundur. Si me fiziken, ashtu dhe me metafiziken e tij, ai është objekti i të gjitha shkencave dhe çdo gjë përveç tij bart peshë dhe ka vlerë për aq sa ç’është i lidhur me të.
Shkencat lidhen dorë për dorë kur bëhet fjalë për të dhe nisin të diskutojnë me njëra-tjetrën, secila duke e parë atë përmes këndesh nga më të ndryshmit. Librat ngarendin drejt tij, mbushen me të, për të biseduar rreth anëve të shumta që e karakterizojnë atë.
Thelbi i kësaj krijese, që përbën një strukturë ideale gjer në shkallën e së pabesueshmes, me formën e trupit dhe rregullimin e përkryer të funksioneve të tij, mbi cilindo prej organeve të tij të ndalemi për ta kundruar, dhe do të jetë e pamundur që të mos mbetemi të magjepsur përballë saj.
Po aftësia e tij për t’u thelluar në botën e brendshme, si dhe për t’u kredhur drejt dimensionesh të tjera vazhdimisht… Shpirti, që përbën një tru kompleks dhe që është shumë i papërkufizueshëm përsa i përket kritereve materiale; pastaj marrëdhënia brenda një ekuilibri të përsosur mes këtyre dy krijesave plot mistere… Secila syresh janë nga një domethënie e kristalizuar prej ngjyrave që rrezatojnë mbi kurorën e asaj statuje madhështore.
Ne, tani, do të flasim për një apo dy prej aftësive dhe talenteve, të cilat e lartësojnë atë, e nuk do të ndalemi tek pamja e tij madhështore, apo te bota e tij e brendshme, të cilën vështirë se mund ta perceptojmë përmes këtij prizmi që zotërojmë.
Njeriu është një krijesë që vështirë ta kuptosh në çdo aspekt të sajin. Çuditë dhe habia që shkakton kanë nisur që me ardhjen e tij në këtë botë dhe të atilla vijojnë të jenë edhe sot e kësaj dite. Çdo gjallesë tjetër, që kur e hedh këmbën për herë të parë mbi këtë tokë, njësoj si t’ia kenë mësuar shumë gjëra në një tjetër botë, vjen me një varg aftësish të përsosura, që duket sikur i njohin dhe u binden shumë mirë ligjeve të natyrës. Megjithëse është një krijesë madhështore dhe e shenjtë, ajo vjen në jetë e privuar prej të tilla aftësive dhe prej funksioneve që i nevojiten për të siguruar të jetuarit. Çdo gjë që e kapërcen rendin mekanik të ekzistencës së saj në një plan kafshëror, si mendja, arsyeja, vullneti, liria, shqisat dhe vetëdija për një botë brenda vetes, fillojnë të marrin formë pikërisht këtu. Kësisoj ai arrin tërësinë e brendshme dhe të jashtme dhe vetëm në këtë mënyrë njeriu fillon të shfaqet si një krijesë e pjekur.
Të gjitha këto aftësi, që janë shkëndija të qëllimit dhe të perspektivës që ai ka për t’u bërë njeri i madh, fillojnë të dalin në pah dhe të zhvillohen vetëm përmes edukimit dhe arsimimit. Përmes dëshmimit të brendshëm dhe vetëllogarisë atij i përftohen mandej edhe shumë dimensione të reja. Sepse, ta braktisësh atë veçse në duart e këtyre aftësive, do të thotë që ta lësh një farë të përshtatshme për t’u bërë gjëja më e përkryer e mundshme, apo një tufë farash, në gjendjen më të varfëruar, më të mjeruar, që nuk se të shkakton veçse keqardhje.
Megjithëse luani vjen në këtë botë me putrat e tij, që i nevojiten aq shumë, kau me brirët, ndërsa qeni me dhëmbët e tij, njeriu vjen me detyrimin për t’i siguruar vetë mjetet e vetëmbrojtjes, apo të sulmimit kundër të tjerëve.
Për çdo gjë që i nevojitet gjer në shkallën e domosdoshmërisë, për të siguruar jetën, apo për të shmangur çdo lloj rreziku që i kanoset, atij i duhet të përdorë zgjuarsinë dhe largpamësinë, vullnetin dhe arsyen, poende i duhet që të bëjë edhe shumë zbulime vetanake dhe me këto ai do të mund të ndërtojë jo vetëm jetën e vet individuale dhe njerëzore, por edhe një jetë njerëzore të karakterizuar nga paqja shpirtërore. Mandej, veprat që do të vijnë në jetë me kalimin e kohës, të cilat ai do t’i ketë krijuar prej botës së zemrës dhe të mendimit, do t’ua lërë trashëgim brezave të ardhshëm.
Kështu ka për të bërë; sepse ai nuk jeton vetëm çastin në të cilin gjendet. Koha e shkuar dhe e ardhmja, në vështrimin e tij janë të gjalla dhe janë secila nga një pjesë e ekzistencës së tij. Prandaj edhe të gjithë ata që i kanë shërbyer jetës sonë të përparimit shkencor dhe meditimit, nga e shkuara gjer në ditët e sotme, nuk kanë arritur që t’i shohin dot vetë frytet e mundit dhe përpjekjeve të tyre, por nuk kanë hequr dorë, nuk janë lodhur dhe nuk janë bezdisur, duke thënë ‘ç’më duhet mua të stërmundohem për diçka që nuk do të më mbetet mua’. Kanë punuar për njerëzimin, janë munduar me çdo kusht, duke na lënë një trashëgimi tejmase të pasur në shkencë dhe kulturë. Po të mos kishte qenë kështu, sot do të ishte e pamundur që të flisje për shkencë, apo për qytetërim.
Përpos trashëgimisë në shkencë, arsim dhe qytetërim, njeriu i përsosur, i dalluar për virtytet e tij është njëherazi një fryt i mundit dhe përpjekjes njerëzore përgjatë shekujve. Zhvillimi i aftësive të tij, planifikimi i sjelljes dhe shtyrja drejt së mirës dhe të së virtytshmes janë kryer përherë nga vetë lloji njerëzor. Përgjatë gjithë historisë, një brez i ka dhënë formë edukimit të brezit pasardhës, duke e konsideruar këtë gjithmonë si një detyrë… andaj, dhurata më e bukur që të mëparshmit u kanë lënë atyre që kanë ardhur më vonë, ka qenë edukata e mirë.
Edukata; vlera që e pengon njeriun që të largohet prej njerëzores së tij dhe qëllimit të saj, duke ndjekur prirjet kafshërore. Ajo i përcakton njeriut kufijtë e lëvizjes dhe të veprimtarisë, duke kontribuar që ai të mos e humbasë udhën, të mos denatyrohet. Në të njëjtën kohë, edukata shërben edhe për t’i zhvilluar edhe më shumë aftësitë me të cilat njeriu ka ardhur në këtë jetë, duke ndihmuar në daljen në pah të të gjithë potencialit që qëndron i fshehur dhe i instaluar në shpirtin e njeriut.
farat e së mirës dhe të së bukurës janë të pranishme te çdo njeri. E njëjta gjë nuk mund të thuhet edhe për farat e së keqes dhe të së shëmtuarës, pasi ato nuk janë të pranishme te njeriu. Epshi, inati dhe hakmarrja janë secila nga një fidanishte për të jetësuar po ashtu gjëra të tjera shumë të bukura. Megjithatë, ka diçka që nuk duhet harruar, se e bukura që është e pranishme te çdo gjë e mirë, apo e keqe, është fryt i një edukate të mirë, e po ashtu edhe të qenit njeri e njeriut është e mbështur vetëm e vetem tek edukata e mirë. Një edukatë që do t’i vërë në veprim të gjitha funksionet, si arsyetimi, vullneti dhe dëshmimi në botën e brendshme…. ajo veçanti që e nxjerr njeriun përtej ekzistencës kafshërore, që e bën atë të jetojë autonom përballë natyrës, e cila vepron sipas ligjësive më të përsosura, që, mandej, e lidh atë me ekzistencë që është “Absolute, e Lirë dhe Gjithçkakontrolluese” duhet kërkuar te të qenit e tij një krijesë me mendje, që është e aftë të kontrollojë nëpërmjet vullnetit dhe dëshmimit të brendshëm.
Mendja, sipas përkufizimit që i jep filozofia është “aftësia për të nxjerrë të veçantën nga e përgjithshmja, duke u nisur prej ligjeve dhe parimeve.” Dhe, në ndryshimin themelor që ekziston mes natyrës së krijimit të njeriut dhe asaj të kafshës, qëndron pikërisht mendja dhe veprimtaria e kryer përmes përdorimit të saj dhe kjo është një mirësi e posaçme që i është ofruar vetëm njeriut.
Në krye të cilësive që e bëjnë njeriun të jetë njeri është pikërisht mendja; por ç’e do se ajo nuk i është dhuruar njeriut në trajtën e saj të pjekur e të përsosur, por në gjendjen më të thjeshtë dhe të mbyllur të saj. Është njeriu, që e zhvillon atë dhe së bashku me zhvillimin e saj zhvillon edhe ndryshimin në natyrë që ai ka me kafshët, prandaj, mund të themi se ai është i detyruar që ta zhvillojë atë. Mendja shndërrohet në një kordon që lidh botën e brendshme me atë jashtë nesh dhe kur bashkohet me ndërgjegjjen, kemi të bëjmë me krijimin e një identiteti të pashoq. Dhe, nëse do ta quajmë këtë një bashkim të një “zbulimi” dhe një “shpikjeje”, ndërgjegjja shndërrohet në një “arsye-mendje” që na tregon dhe vendos për veprimet, lëvizjet dhe drejtimin që ne marrim. Arsyeja rrënjoset thellë në mendje dhe qëllimi parësor, i fundëm, i epërm dhe i lartësuar është njohja e Allahut (xh.xh.). Mendja, apo arsyeja që arrin këtë njohje do të thotë se ka arritur përsosurinë, duke hyrë kësisoj në patronazhin e përgjegjësive të ndërgjegjes.
Një prej çështjeve që e bëjnë njeriun të jetë njeri është edhe liria, e cila e dallon atë nga qeniet e tjera: Domethënë, ai i përcakton vetë lëvizjet e veta, duke qenë “autonom” dhe duke pasur nën kontrollin e tij një arsye instrumentale. Sajë kësaj njeriu arrin të kapërcejë çdo krijesë tjetër, të gjallë ose jo, dhe të dalë në majat e natyrës, duke fituar aftësinë për të kontrolluar çdo veprim të tij dhe të përgjigjet për përgjegjësitë që lindin sosh. Ata që e shohin njeriun si makinë dhe ia mohojnë vullnetin e tij, janë vetëm disa qarqe pozitiviste dhe materialiste të cekëta dhe më bindje banale, që po t’i hedhësh poshtë hulumtimet e tyre të pavlera për t’u marrë seriozisht, moraliteti dhe imoraliteti i njeriut janë të pashpjegueshme, nëse nuk do të merret parasysh liria dhe vullneti te njeriu.
Me një fjalë, te njeriu janë të pranishme edhe dy anë, si ajo e lirisë dhe ajo e të dëshiruarit dhe e të kontrolluarit të gjërave të veta, të cilat na dëshmojnë se tek ai ka një aspekt që nuk përcaktohet prej ligjeve të natyrës, andaj të pranosh se kjo është ajo që përcakton moralitetin dhe të realizosh përgjegjësitë që lindin prej të qenit bashkëbisedues i kësaj bote të lartësuar, ngjan të jetë e domosdoshme për të ndarë të mirën nga e keqja, duke ndërthurur shtysat e jashtme me dëshmimet e brendshme.
Më vonë, konceptimet lidhur me botën e jashtme dhe intuiimet e brendshme – reflektimi i domethënieve si përmes valësh drite në ndërgjegje dhe aprovimi i tyre aty – të bën që të hapesh drejt një bote të së mundshmes, që e bën njeriun të ndihet sikur është duke u lartësuar prej të tjerash lartësi nga dimensioni i hapësirës në këtë botë. Vënia në veprim e mendjes, vendosmëria e vullnetit dhe shëndeti i të dëshmuarit ndodh kjo ngjarje, të cilën mund ta quajmë edhe “miraxh”, që është e mundur për çdo individ, por që secili përfiton prej saj sipas madhësisë së enës me të cilën vjen të mbushë, apo sipas burimit që i gurgullon përbrenda.
Kurse përtej kësaj gjendet edhe një pikë ku mund të arrijnë vetëm mendjet më të përkryera, vullnetet më madhështore dhe dëshmimet e brendshme më të thella, që janë edhe zotëruesit e kënaqësisë: të dëshmosh bukurinë e pashembullt të Krijuesit madhështor, që na e ka bërë të ditur brenda ndjesive tona më të holla se ka ekzistencë edhe pas ekizistencës sonë, se vullneti ynë e ka burimin prej vullnetit të Tij, e që na ka bërë të tillë, për të merituar një mirësi të këtyre përmasave.
Që prej shekujsh njeriu ynë jeton i tëhuajësuar dhe i privuar nga mundësia e zgjedhjes për këtë udhëtim të lartë. U takon edukatorëve tanë të mëdhenj që do ta çojnë drejt njohjes së Tij, të natyrës së Tij, duke ia zhvilluar mendjen, duke i dhënë jetë vullnetit dhe duke na e qashtërsuar botën e ndjenjave, për të na mundësuar një lidhje edhe njëherë me atë që qëndron përtej natyrës.
Le t’u drejtohemi edhe njëherë të gjithë edukatorëve të njeriut dhe t’u shpallim: nëse do të vonoheni edhe pak më shumë, për t’i dhënë edukatën e nevojshme që do ta bëjë të quhet njeri brezin tonë, që po shndërrohet në makinë mes ingranazheve të makinerive, do të jeni ju përgjegjësit përballë historisë të një kanibalizimi të tërë.!