ilmihali

Sidk mbart kuptimin e mendimit të drejtë, të fjalës së vërtetë, të sjelljes së drejtë. Nga një njeri që beson pritet që në fjalë dhe në sjellje, në qëndrime vetjake e në marrëdhënie me njerëzit e tjerë, ai të tregohet një përfaqësues besnik i vërtetësisë dhe i drejtësisë. Ai duhet t’i zgjedhë shokët, miqtë dhe rrethin e afërt prej kësaj kategorie njerëzish. Kështu, në Kuran është urdhëruar: “Gjithmonë të jeni së bashku me të drejtët!” (Teube, 119). Kjo do të thotë se vërtetësia dhe besnikëria, drejtësia dhe ndershmëria përbëjnë një veçanti që duhet të gjejë vend në të gjitha veprimet e njeriut. Në një kuptim, sidku/vërtetësia përbën shpirtin dhe thelbin e veprimeve njerëzore. Ajo, njëkohësisht, është një prej cilësive profetike.

Sidku shpreh, ose duhet të shprehë, njësimin e mendimit, të veprës dhe të sjelljes te njeriu. Nëse dikush pohon apo mëton vazhdimisht që të jetë përfaqësues i së mirës, së bukurës, së drejtës, por me sjelljet e tij i përgënjeshtron këto pohime e mëtime, tek ai është copëtuar tërësia morale dhe shpirtërore. Besimtari i plotë jeton gjithmonë në njëshmëri të mendimit dhe të sjelljes. Nëse individi vijon të qëndrojë e të sillet në kundërshtim me mendimet e veta, nuk është e mundur që të mbërrijë moralin e bukur dhe të përparojë drejt përsosjes si njeri. Madje në shkallë më të përparuara e në nivele më të larta, prej njeriut besimtar pritet, në kuptimin e tasavvufit, që të jetë i ekuilibruar, i drejtë, besnik e i ndershëm në gjendjen e brendshme e në thellësi të shpirtit, në mendime e në synime, në ide e në qëllime.

Të orientohesh kah drejtësia në fjalë, në sjellje, në vullnet, në besë, në veprim e në gjykim, përbën një vërtetësi e drejtësi të përmbushur dhe njëkohësisht një cilësi profetike, për të cilën Kurani i shenjtë, duke pohuar: “Në atë libër të lartë, mes të tjerash, përkujto Ibrahimin, që ishte një Profet i besës.” (Merjem, 41), na ka sjellë ndërmend atë pikë kulmore, në të cilën dhikri gjen krejt përmbushjen. Sidku, si virtyti më parësor i profetëve të mëdhenj, krahas të qenit në çdo kohë dinamika më e fuqishme e punës për shërbimin ndaj imanit dhe ndaj Kuranit, në botën e ardhshme është për çdo besimtar më e sakta kartë krediti dhe më e vlefshmja tapi e dinjitetit. Allahu (xh.xh.), duke thënë: “Për të drejtët, sot është dita kur drejtësia u bën dobi” (Maide, 119), na ka tërhequr vëmendjen te kjo e vërtetë e rëndësishme.

Ajo çka i ka bërë të mbërrijnë nga njëra majë në tjetrën profetët, pasuesit dhe të afërtit e tyre dhe që në përparimin e tyre shpirtëror u ka shërbyer si burak, është sidku; ndërsa ajo çka ka zvarritur poshtë e më poshtë shejtanin dhe hordhinë e tij, është gënjeshtra. Mendimet mund të ngrihen në fluturim e të fluturojnë drejt horizonteve të vlerave vetëm me krahët e sidkut. Sjelljet gjejnë zhvillim e rritje vetëm në truallin e së vërtetës… Lutjet e përgjërimet, vetëm në masën e sidkut me të cilin bëhen, sikurse emrat “Ismi Adham” (emri ose emrat e Allahut, që kur përmenden, pëlqehen dhe çojnë në pranimin e lutjes), mbërrijnë arshin e mëshirës dhe gjejnë pranimin hyjnor; sidku vepron thuajse njëlloj si shurupi i Ismi Adhamit.

Lexo  RAPORTET E PROFETIT ME PJESËTARËT E FAMILJES

Ajo çka e bënte të shkëlqejë dritën e pendesës në ballin e Ademit (a.s.) ishte sidku… Në një kohë kur bota u varros prej furtunës, varka e shpëtimit e Profetit të furtunës ishte sidku. Ajo çka Ibrahimin (a.s.) e hedhur mes flakëve të zjarrit e nxori në freski e paqe ishte sërish sidku…

Në ajetet e ndryshme të Kuranit, të jesh besimtar i vërtetë do të thotë që fjalët dhe veprat, gjer në botën e brendshme, t’i skicosh sipas sidkut dhe t’i organizosh rreth vërtetësisë. Veç kësaj, një rend e rregullim i tillë është vlerësuar edhe si thelbi i lumturisë në këtë jetë dhe në jetën e amshuar. Ja disa diamante nga mësimet kuranore për sidkun:

“Thuaj: O Zoti im! Më mundëso që në vendin ku do të hyj të hyj me drejtësi e në vendin nga do të dal të dal me drejtësi!…” (Isra, 80) “Më bëj të kujtohem ndër pasardhësit me lisan sidk (apo me gjuhë të së mirës, të së drejtës)” (Shuara, 84) “Atyre që besuan jepu sihariq për kademe sidk (apo pozitë të lartë të së vërtetës) te Zoti i tyre!” (Junus, 2) “Pa dyshim, të përkushtuarit janë në kopshte të parajsës e në lumenj që rrjedhin, në vendin e sidkut pranë Sundimtarit të Sundimtarëve…” (Kamer, 54-55)

Me titujt mud’hale sidk, muhraxhe sidk, lisane sidk, kademe sidk, mak’ade sidk, në një linjë që zgjatet nga kjo botë në tjetrën botë, është bërë shenjë edhe për te një udhë e gjatë, edhe në nisje të udhës, edhe në përfundim të udhës.

Në krye të gjithçkaje qëndron të qenit i drejtë e i besës (sadik). Mendimi i drejtë, nijeti për vendim e sjellje të drejtë është shkalla e parë e sidkut. Veç kësaj, njeriu që është i vendosur për të qenë i drejtë nuk duhet ta ndryshojë vendimin dhe nijetin dhe është kusht që të qëndrojë larg mjediseve dhe nxitjeve që mund t’ia lëkundin mendimin dhe vendosmërinë.

Shkalla e dytë është që të ushqesh dëshirën për të qëndruar e jetuar në këtë botë vetëm për të lartësuar të vërtetën dhe për të mbërritur kënaqësinë e Allahut dhe kjo ka, gjithashtu, disa shenja. Disa prej tyre janë: të shohësh gjithmonë mangësitë dhe dobësitë e vetvetes, të mos dorëzohesh përballë bukurive më joshëse të kësaj bote, të mos ndryshosh rrugë e drejtim prej shqetësimesh tokësore.

Lexo  MIRËSJELLJA

Shkalla e tretë është kthimi i sidkut në një mjeshtëri të vërtetë të shpirtit dhe kthimi i së drejtës në pjesë të natyrës së njeriut në çdo gjendje e në çdo sjellje. Drejtësia dhe besnikëria më e madhe qëndron në të dorëzuarit me kënaqësi e dëshirë ndaj Allahut duke e pranuar atë si Zot, në të pranuarit e Islamit si një sistem hyjnor dhe në të dorëzuarit ndaj udhëheqjes së më të mirit shpirt të krijimit, Profetit Muhamed (paqja qoftë mbi të!).[1]

Njeriut i shkon e vërteta edhe në paftë keq;

Allahu ndihmës është i njerëzve të drejtë!

Ndershmëria, gjithashtu, është e lidhur me sidkun. Ndershmëria, që në vetvete do të thotë drejtësi, është interpretuar prej ehli hakikatit si shmangie e qëndrimeve ekstreme në akide e në amel, në ushqim e në pije, në fjalë e në vepra dhe në të gjitha sjelljet. Pas pohimit: “Zoti ynë është Allahu”, engjëjt zbresin mbi ata që janë të drejtë dhe thonë: “Mos u trembni, mos u hidhëroni, gëzojuni Parajsës që ju është premtuar.” (Fussilet, 30) Ky ajet u sjell lajmin e mirë atyre që pranojnë dhe pohojnë hyjninë dhe njëshmërinë e Allahut, që ecin në rrugën e profetëve me besim, vepra e sjellje se në atë vend drithërues ku, radhë radhë, do të përballen me engjëjt e ku mbizotëron frika, ata do të gëzohen me plot sihariqe.

Në kontekst të shpjegimit se sa e vështirë është të ruash ndershmërinë, është tejet domethënëse fjala e më të madhit njeri: “Surja ‘Hud’ dhe të tjera si ajo ma prishën prehjen e më plakën.”[2] Këtu është fjala për ajetin: “Ji i drejtë siç je urdhëruar!” (Hud, 112) Sërish Profeti ynë (paqja qoftë mbi të!), duke i thënë një sahabi: “Thuaj ‘I besova Allahut’,  dhe ‘pastaj ji i drejtë!’”, përmbledh të gjithë thelbin e akides dhe të amelit (besimit dhe veprave).[3] Edhe këto shprehje të shkëlqyera i përkasin Atij: “Për sa kohë që zemra e robit nuk është e drejtë, besimi i tij nuk është i drejtë; për sa kohë që gjuha e tij nuk mund të jetë e drejtë, zemra e tij nuk mund të jetë e drejtë.”[4] “Çdo mëngjes, gjymtyrët e birit të njeriut i thonë gjuhës: ‘Kija dronë Zotit në lidhje me ne; se nëse ti je e drejtë, edhe ne jemi të drejtë; nëse ti je e shtrembër, edhe ne shtrembërohemi.’”[5]



[1] Kushejri, Risale, 356; M. F. Gülen, Kalbin Zümrüt Tepeleri I, 123.

[2] Tirmidhi, Tefsiru’l-Kur’ân, 57, Hejthemî, Mexhmau’z-Zevâid, 7/37.

[3] Muslim, Iman, 62; Musned, 3/413, 4/385.

[4] Musned, 3/198.

[5] Tirmidhi, Zuhd, 61; Musned, 3/96. M. F. Gülen, Kalbin Zümrüt Tepeleri I, 97.

Ndajeni me miqtë tuaj...