ilmihali

Xhindet janë krijuar nga zjarri (flaka) pa tym e pa prush. (Rrahman, 15) Kaq është informacioni që jep Kurani mbi strukturën dhe entitetin e xhindeve. Por, në një vend tjetër përdoret edhe shprehja “zjarri përvëlues që hyn (në poret e trupit)”. (Hixhr, 27) Megjithëkëtë, entiteti dhe cilësia e xhindëve është, për ne, prapëseprapë e panjohur. As teleskopët dhe mikroskopët nuk na kanë treguar gjë gjer më sot mbi një botë të tillë dhe entitetin e saj. Xhind do të thotë i mbuluar, i fshehur, i maskuar. Për t’i përshkruar xhindet përdoren shprehje të tilla si: “një rreze zjarri; një zjarr që digjet duke flakëruar, duke shpërndarë shkëndija përreth; si prush ose si qymyr i ndezur”; etj. Por nuk e di nëse shprehje të tilla janë apo jo të mjaftueshme për t’i përshkruar xhindet. Ashtu siç është mbledhur entiteti morfologjik i njeriut nga toka në gjendje koncentrati proteinash, edhe xhindet bartin veçoritë e zjarrit meqë janë marrë nga esenca e zjarrit. A është lënda e xhindeve ajër inkandeshent apo një përzierje si flakë e ajrit me zjarrin, apo radiacion, grimcë, apo dritë diellore, nuk e dimë. Ndoshta një lëndë që përmban cilësitë e të gjitha këtyre. Apo ndoshta është si grimcat përbërëse të atomit, si rrezatimet e tyre, apo një përzierje jonike me prejardhje nga bota nënatomike, apo një trup eterik, apo një antilëndë.

Po, xhindet mund të jenë trupa eterikë. Në lidhje me këtë, megjithëse në ajetet Kuranore nuk ka ndonjë gjë të qartë, në hadithet profetike diku thuhet se “arshi i Allahut ndodhet mbi errësirë” e, diku tjetër, “mbi ujë”. Në thënien e parë përdoret fjala “amá” që do të thotë “errësirë, verbëri”, por, që, në rastin konkret, nënkupton diçka fluide si eteri. Meqë kjo nuk është një çështje besimore, përqendrimi i gjatë mbi të është i panevojshëm. As mosqenia e eterit është shpjeguar gjer tani, as qenia. Mund të ekzistojë si grimca më e vogël, si një lëndë aq e tejdukshme e fluide sa të mos dallohet dot. Kush e di, ndoshta atje ku materia konsumohet plotësisht, fillon eteri!

Lexo  Lëvizjet dhe veprimet e engjëjve dhe xhindeve nuk janë të kushtëzuara dhe të kufizuara nga koha dhe hapësira

Xhindet ndoshta janë, në përmasat e kohës dhe hapësirës, qenie që s’i shohim dot brenda valëve të dritës që na e tregojnë materien. Edhe sikur të bëhen përpjekje për të thënë ca gjëra me anë të fjalëve dhe shprehjeve shkencore, arritja në konklu­zione të prera për lëndën dhe përbërjen e xhindeve do të thotë të bësh komente dhe interpretime të gabuara, gjë që, për ne do të thotë të vësh në pikëpyetje revelacionin hyjnor. Sepse ne nuk e dimë ç’do të thonë fjalët “marixh”[1], “nar”[2] dhe “nari se­mum”[3] që përdoren në Kuran. Pa shihni se ç’formë merr nje­riu që e ka esencën nga toka! Atëherë, kushedi se si është zjarri nga i cili janë krijuar xhindet!

5. Si njerëzit, edhe xhindet janë të ngarkuar me be­sim dhe adhurim

Si qenie të padukshme të botës materiale, xhindet kanë shpirt me vetëdije. Xhindet dallohen nga njerëzit dhe engjëjt se­pse kanë strukturë tjetër lëndore, kurse nga bimët dhe kafshët, sepse kanë vetëdije. Meqë janë të ngarkuar, si njerëzit, me de­tyrën për të besuar dhe adhuruar, mund të jenë edhe besim­tarë, edhe mohues. Fitorja ose humbja e myslimanëve njerëz është edhe fitorja ose humbja e myslimanëve xhinde. Xhindet kanë seks, martohen dhe shtohen. Për jetëgjatësinë e tyre janë dhënë shifra gjer në një mijë (shih imam Shibli).


[1] Márixh: 1. flakë pa tym.

[2] Nar: 1. zjarr. 2. xhehennem, ferr..

[3] Nar-i semum: zjarr i nxehtë, ajër i nxehtë e përvëlues.

Ndajeni me miqtë tuaj...