Zekati është dhënia e një sasie të caktuar parash personave apo grupeve të përcaktuara sipas vendimeve fetare. Në vend të fjalës zekat mund të përdoren dhe koncepte të ngjashme si dhurim apo sadaka.

Zekat është detyrim për personat në moshë madhore, mendërisht të shëndoshë, të lirë, të mos kenë borxhe dhe përveç përballimit të nevojave të tij dhe të familjes të zotërojë pasuri në vlerën e nisabit mbi të cilin të kalojë një vit pa e prekur. Sasia e nisabit është kusht si për pasurinë ashtu dhe për prodhimin. Edhe pse ari dhe argjendi nuk shtohen, zekati jepet kur arrin vlerën e nisabit.

Nisabi: është një masë e caktuar nga feja për detyrimin e zekatit. Kjo masë është 85 gr ar, 595 gr argjend ose pasuri, mallra tregtie, para në vlerën e tyre.

Përsa i përket zekatit të kursimeve të parave, ajo është 2.5 % e vleftës totale të paprekur për periudhën njëvjeçare. Zekati i kafshëve ndryshon nga lloji i tyre. Tek të imtat është një në dyzet; tek devetë një në pesë; tek të trashat (lopë) një në tridhjetë. Edhe për mineralet jepet zekat.

 

KUJT DUHET T’I JEPET ZEKATI

Allahu i Lartësuar i ka përcaktuar në Kuran në suren Tevbe, ajeti 60, vendet ku duhet të jepet zekat. Sipas ajetit, vendet ku jepet zekat janë:

  1. Të varfrit (personat të cilët nuk kanë pasuri në masën e nisabit)
  2. Nevojtarët (personat të cilët nuk kanë asgjë)
  3. Nëpunësit që mbledhin zekatin
  4. Personave të cilët duam t’i afrojmë e t’ia ngrohim zemrën me Islamin. Këtë grup mund ta ndajmë në tre pjesë:

Personat të cilët edhe pse janë myslimanë akoma nuk kanë besim në zemrat e tyre.

Personat që nuk janë myslimanë por shpresohet të bëhen të tillë.

Edhe pse nuk janë myslimanë, mund të jepet për t’u ruajtur nga e keqja dhe për të zbutur pak atmosferën.

  1. Robërve, për t’i shpëtuar nga robëria.
  2. Borxhlinjve (atyre që nuk kanë pasuri të paguajnë borxhin)
  3. Personave që ia kanë kushtuar jetën diturisë, njerëzve dhe institucioneve që ndihmojnë në përhapjen e fesë islame dhe në përgjithësi të gjithë institucionet apo shoqatat që ndikojnë në përhapjen e kulturës Islame.
  4. Udhëtarët. (atyre që mund të kenë nevojë për para gjatë udhëtimit)

 

KUJT NUK MUND T’I JEPET ZEKATI

Përveç përcaktimit se cilës kategori mund t’i jepet zekat, janë përcaktuar gjithashtu edhe personat dhe kategoritë se ku nuk mund të jepet zekati. Këto janë:

  1. Të pasurit
  2. Personat e aftë për punë
  3. Jomyslimanët
  4. Farefisi i afërt (Një person nuk mund t’i japë zekat personave të afërt të familjes si nënës, babait, fëmijëve apo gruas. Këtu nënkuptohet se nuk mund t’i japë as gjyshërve, nipërve apo mbesave).
  5. Të afërmve të Profetit.

 

MALLRAT QË MUND TË JEPEN ZEKAT

  1. 1.         Mallrat e tregtisë

Tek mallrat e tregtisë hyn çdo lloj malli si veshmbathje, ushqimet, bagëtitë, shtëpitë, tokat dhe për të gjitha duhet të jepet zekat.

Bagëtitë që mbahen për qëllime tregtie hyjnë brenda mallrave të tregtisë dhe për to jepet zekat në masën 2.5 %.

Zekati i mallrave të tregtisë llogaritet 2.5 % e gjithë vlerës së mallit që zotëron personi. Ky zekat mund të jepet në para ose në vlera të tjera.

 

  1. 2.   Zekati i bagëtive

Bagëtitë i ndajmë në grupe dhe ndarja e zekatit bëhet sipas grupeve të caktuara në vlerën e caktuar.

 

3- Pasuria monetare

Stolitë të cilat përdoren për qëllime tregtia kanë nisabin e përcaktuar, në ar 85 gram ndërsa në argjend 595 gram. Secili person që zotëron këtë sasi të caktuar duhet të japë zekat 2.5 % të mallit. Edhe ata që kanë bono apo letra me vlerë, zekatin e japin duke llogaritur 1/40 e vlerës së mallit që kanë.

 

4. Pasuritë e patundshme

Përsa i përket personave që kanë shtëpi me qera, diskutohet nëse duhet dhënë zekat mbi vlerën e qerasë apo mbi vlerën e pasurisë. Pjesa më e madhe e dijetarëve janë të mendimit të jepet mbi vlerat personale. Disa dijetarë e përngjasojnë vlerën e qirave me sasinë e mallrave bujqësorë dhe mendojnë se duhet të jepet 1/10 ose 1/20 e vlerës së qirasë. Ndërsa të tjerë mbështesin mendimin e dhënies 1/40 e vlerës së pasurisë së patundshme.

 

 5. Mineralet

Sasia e nisabit për minerale si ari, argjendi, mermeri, smeralde, rubinë, naftë apo gaz natyror është 1/5 ose 20 % e mallit që zotëron personi.

 

 6. Prodhimet bujqësore

Tek prodhimet bujqësore kemi dy lloj ndarjesh: nëse tek toka ku mbillet bëhen shpenzime si ujitja, përdorimi i ilaçeve apo ndonjë lloj shpenzimi tjetër, atëherë zekati është 1/20, ndërsa nëse marrim prodhime pa pasur asnjë shpenzim, është 1/10.

 

 PREMTIMI

Do të thotë t’i premtosh Allahut (xh.sh) realizimin e një vepre jo të ndaluar dhe ta kthesh realizimin e saj në vaxhib (obligim) për veten.

Është një lloj premtimi i bërë Allahut me anë të të cilit njeriu e obligon veten në realizimin e një vepre e cila mund të jetë mubah.

Personi i cili bën një premtim duhet të jetë mendërisht i shëndoshë dhe të ketë arritur moshën e pjekurisë.

Të premtosh realizimin e disa veprave për hir të Allahut (xh.sh) konsiderohet adhurim dhe një mjet për të fituar sevape. P.sh., të premtosh se nesër do të agjëroj apo do të ushqej disa të varfër. Premtimi i bërë për gjëra të kësaj bote nuk pranohet. Si p.sh., “nëse një punë e imja më shkon mirë do të agjëroj një ditë, do të jap sadaka.”

Njeriu duhet t’i mbahet premtimit të dhënë. Sepse premtuesi ka bërë një lloj marrëveshjeje me Allahun e Madhëruar. Prandaj premtimi duhet të respektohet dhe të zbatohet.

 

KUSHTET E PREMTIMIT

Duhet të zbatohen disa kushte për pranimin e premtimit:

  1. Njeriu duhet të premtojë mbi gjëra të cilat janë farz apo vaxhib. Premtimi p.sh., “Do të agjëroj një ditë, apo do të fal dy rekat namaz është i pranueshëm. Por një premtim si “do të vizitoj një të sëmurë”, nuk është i nevojshëm të zbatohet. Sepse vizita e një të sëmuri nuk është adhurim farz apo vaxhib.
  2. Duhet të përcaktohet mirë ajo gjë farz apo vaxhib për të cilën bëhet premtimi dhe të mos ngatërrohet me ndonjë shkak i cili ndihmon në realizimin e farzit. P.sh., premtimi “do të fal dy rekat namaz” është i pranueshëm, ndërsa premtimi “do të marr abdes” nuk pranohet. Sepse me abdesin nuk nënkuptojmë një adhurim, por një shkak i cili ndihmon në realizimin e një adhurimi.
  3. Premtimi nuk duhet të jetë i lidhur me ndonjë adhurim i cili duhet të zbatohet menjëherë apo në një të ardhme të afërt. Prandaj premtimi si “nëse më plotësohet dëshira do të fal namazin e sabahut nesër” nuk pranohet.
  4. Gjëja për të cilën premtohet nuk duhet të jetë kundër kënaqësisë së Allahut dhe të përbëjë një mëkat. Prandaj premtimi si “nëse më ecën kjo punë do të flijohem në rrugë të Allahut“ nuk është i vlefshëm.
  5. Premtimi duhet të bëhet mbi gjëra realizimi i të cilave është i mundur. Si p.sh., do të agjëroj në këtë ditë apo në një ditë të caktuar në të ardhmen.
  6. Njeriu i cili premton duhet të bëjë një premtim brenda mundësive që ka dhe gjithashtu nuk duhet të premtojë mbi pasurinë e dikujt tjetër. P.sh., nëse personi në fjalë premton se do të japë një milion lekë, por në dorë ka vetëm njëqindmijë, atëherë duhet t’i japë ato. Ose nëse një person premton për flijimin e një kurbani që i përket dikujt tjetër atëherë nuk është e nevojshme ta bëjë.

 

KURBANI I PËRKUSHTUAR

Njeriu mund të premtojë edhe për flijimin e një kurbani. Rreth kësaj çështjeje duhet të kemi parasysh dy gjëra:

  1. Kurban mund të bëhen vetëm kafshë me katër këmbë si bagëtitë e imta, të trasha apo devetë. Nuk mund të bëhen kurban kafshë që qëndrojnë në dy këmbë si pula, pata, apo gjeli detit.
  2. Nga mishi i kurbanit nuk mund të hanë gruaja, nëna, babai, fëmijët dhe nipërit e mbesat e premtuesit. Mishi i kurbanit u shpërndahet të varfërve. Nëse hanë prej tij, atëherë duhet t’u japin të varfërve ushqime në vlerën e mishit të ngrënë.

 

Ndajeni me miqtë tuaj...