ilmihali

Ato zëra na e kujtojnë pesë herë në ditë se kush jemi dhe se në ç’pozicion ndodhemi; edhe ne me to mblidhemi dhe me to drejtohemi kah qëllimi i ekzistencës sonë, kah horizonti i vërtetë njerëzor!

Qysh nga çasti kur kjo thirrje qiellore zbriti nga qielli në botën tonë, vazhdimisht buçiti me origjinalen e vet, kurrë nuk heshti dhe pavarësisht nga zhurmat e pavend kundër saj, përgjigjja pranuese ndaj saj nuk u pre aspak. Kështu arriti ajo gjer në ditët e sotme dhe, edhe pas kësaj, në dashtë Zoti, kështu do të vazhdojë sa të jetë jeta!

Në çdo kohë, i kulluar gurgullon zëri i minareve të botën tonë. Në çdo buçitje të tij, ky zë e ka rregulluar zemrën e shumë besimtarëve, kurse shumë fole djallëzore i ka shkatërruar. Po, kur dëgjohet zëri i minareve, bashkë me shpirtrat zbresin në tokë edhe kënaqësia dhe prehja, ndërkaq që shpirtrat e ndyrë e fusin bishtin ndër shalë dhe kërkojnë vrimë ku të fshihen. Kur dëgjohet zëri i minareve, gjëmojnë tokë e qiell dhe dikush vrapon drejt atij zëri e dikush tjetër ikën prej tij; lakuriqët e natës shqetësohen, kurse pëllumbat ia mbajnë kohën; zemrat ngrihen peshë plot entuziazëm, kurse egot gëlltiten me dëshpërim.

Sipas vendit ku ndodhen, minaret disa herë janë të vetmuara dhe ia fillojnë thirrjes të vetmuara. Por sapo të hedhësh disa hapa djathtas e majtas, dëgjohen zëra të tjerë që u bëjnë shoqëri. Dhe disa herë, minaret, sikur të donin ta shpërblenin qenien pranë njëra me tjetrën, sapo të bjerë koha, gjëmojnë të gjitha menjëherë dhe, si instrumente të veçantë, nxjerrin zëra të ndryshme nga njëra-tjetra. Zërat janë të ndryshme nga njëra-tjetra, por prapë ato përbëjnë një bashkësi brenda tërësisë harmonike të korit. Të paktën kështu e dëgjojmë ne, kështu e ndjejmë dhe e kuptojmë ne!

Ndryshe në mëngjes, ndryshe në mesditë e ndryshe kur bie mbrëmja janë ato zëra të brishtë e të sinqertë të minareve. Me efektet e tyre magjike mbi shpirtrat dhe zemrat na zbrazen gjithmonë nga kryet poshtë këto zëra dhe frymëmarrje qiellore si të ishin intermexo muzikore të ndryshme. Dhe sapo dëgjohen ato – të paktën kjo është kështu për zemrat besimtare – na ndodh sikur të na shkëputeshin këmbët prej toke, ndërkaq, drejt një thellësie të magjishme sikur të mos na kishte mbetur lidhje me kohën dhe vendin ku ndodhemi. Dhe ecim për në faltore duke i mërmëritur e mërmëritur ato zëra sikur të ecnim drejt parajsave. Dhe, gjer në çastin kur do të qëndrojmë me duar lidhur gatitu para Zotit, zemrat na rrahin gjithë me këto zëra ndërsa gjuha dhe buzët u bëjnë vazhdimisht shoqëri atyre!

Në të njëjtin çast, zërat e minareve, duke na u përplasur veshëve, nga njëra anë, na thërresin për tek qiellorja, nga ana tjetër, duke u reflektuar drejt thellësive të qiejve, sipas dekretit “te Ai lartësohet fjala më e pastër e më e bukur”, i kapërcejnë portat e qiellit dhe shkojnë e arrijnë gjer përtej e më përtej. Ndërkaq, në çdo portë nga kalojnë dhe në çdo pikë që arrijnë, fillon një aktivitet i dendur: njerëzit vrapojnë turma-turma për abdes, ecin për në namaz me tadhim dhe tekrim dhe çdokush jeton një lloj bashkimi me Zotin. Si përgjigje ndaj kësaj, edhe banorët e qiellit mundet që, në përputhje me thellësinë e pastërtisë së tyre të kulluar, mes një kujdesi dhe përshpirtshmërie mundësisht sa më të madhe, drejtohen për atje dhe ia paraqesin Zotit konsideratën e tyre të lartë… Ja, kështu, me magjinë e këtyre zërave, pothuajse çdokush kalon për në një qëndrim të ndryshëm nga ai që ka dhe në të cilin ndodhet, dhe vihet t’i vëzhgojë më me kuptim botët përtej me një ndijim të ri dhe me një parandjenjë të re, ashtu që pothuaj çdo vend ku arrijnë këto zëra, shndërrohet në vend tavafi të shpirtërorëve. Gjithsesi, edhe banorët e qiellit nisin të ndjejnë zili për ata në tokë.

Ai refren qiellor i zgjatur që lartësohet nga minaret, disa herë na vjen si një zë briri e na paralajmëron të gjithëve për jetën materiale që po jetojmë, ato fjalë magjiplote na reflektohen gjuhës dhe buzëve, të njëjtat gjëra i pëshpërisim të gjithë së bashku dhe një kor i magjishëm formohet në brezin ku ndodhemi. Titulli profetik hap flatra pranë përmendjes së Zotit. Këta zëra të artë shndërrohen në një flamur që dallgëzohet në qiell. Në gjoksin tonë shfaqet ndjenja e nisjes për përtej nën hijen e tyre dhe sa herë që të ecim për në faltore, na duket vetja si zogj që kanë hapur flatrat e janë nisur drejt thellësive të qiellit.

Zërin e minareve disa herë e dëgjojmë si thirrje për në parajsën që kemi humbur dhe vrapojmë për ta gjetur humbjen tonë mijëravjeçare, drejt shpëtimit nga ai mall vrasës. Minaret thonë “Allahu është më i madhi” dhe ne ecim për në faltore sikur të shkonim për në parajsën Firdeus. Minaret buçasin me Fjalën e Dëshmisë, edhe ne themi “ja, ky është synimi” dhe shkumëzojmë nga zemra. Ato e thonë me zë të lartë atë Dritë të Pasosur dhe neve na reshon dritë në sy e në zemra nga përtej! Pas kësaj, minaret rënkojnë: “Ecni drejt horizontit të mëshirës së Zotit, drejt rrebeshit të pendesës së engjëjve!” Dhe ngrihemi peshë plot entuziazëm ne edhe një herë tjetër dhe ecim për t’u pastruar nga mëkatet. Dhe rrëqethemi nga zërat që thërrasin “ejani në shpëtim”, ndjejmë harenë dhe lehtësimin e pandjerë, vrapojmë për në namazgjah me gëzim si fëmijët…

Lexo  MREKULLITË ME PEMËT

Edhe pse minaret thonë gjithmonë të njëjtat gjëra, zërat e tyre kuptohen me fjalë shumë të ndryshme nga njëra-tjetra. Foshnjat i dëgjojnë si ninanana, të sëmurët dhe të gjymtuarit i interpretojnë si ftesë për t’u drejtuar kah Zoti, pleqtë i kuptojnë si paralajmërim për t’u përgatitur për një botë që përvijohet përtej me mëshirë, të rinjtë i dëgjojnë këto zëra si thirrje kujtese për vullnetet e tyre. Po, edhe pse fjalët dhe zërat janë të njëjta, përplasja dhe reflektimi i zërave të minareve në shpirtra është i ndryshëm sipas mënyrës se si dëgjohen e si vlerësohen. I fërkojnë dhe përkëdhelin me butësi kokat e njoma si të ishin zëra nëne, i marrin në prehër me dhembshuri ata që përpëliten nga dëshpërimi, buçasin si rrufetë në majat shkumëzuese të ndjenjave dhe çdokujt i ofrojnë mesazhe me aq sa ta kenë horizontin; këto gjëra që ato ua ofrojnë zemrave, ua ngulisin në mënyrë që askush të mos ketë mundësi t’ua shkulë më, dhe pothuaj me thumba të florinjtë. Këto melodi qiellore që nisin me sinjalet prej drite të agimit të parë dhe vazhdojnë gjer në kohën e rënies për të fjetur, u ofrojnë zemrave besimtare gotë pas gote eliksir muzikor dhe, kështu, intermexo kënaqësie përjetohen një pas një gjatë tërë një dite…

Disa herë, zërat e minareve na lëshohen mbi zemra si shkëndija dhe pastaj shndërrohen në imagjinatën tonë në pishtarë që s’shuhen; duke i ndriçuar të gjitha distancat mes vendit ku ndodhemi dhe horizontit ku do të arrijmë, na i fshijnë, na i pastrojnë me fshesë e na i hedhin tutje të gjitha drojtjet e frikërat dhe na nxisin në zemra ndijimin e rrugës së bardhë e të dëshirës për synimin. Madje, ndonjëherë na marrin e na shëtisin gjer në epokën e ligjvënies dhe na çojnë te faltorja e Profetit, paqja qoftë mbi të, na takojnë me zërin e Bilalit (r.a) dhe pothuaj na bëjnë të ndjejmë kënaqësinë e qenies mbikohore. Atëherë duket sikur zërat e minareve i ndjejmë gjer në palcë dhe pëshpërisim me vete: “Ky zë është zëri i palcës sonë, ky gjëmim është gjëmimi i saj, domethënë se kjo duhet ta ketë vazhdimin e vet!” Dhe pastaj, sikur koha dhe hapësira t’i kishin humbur dimensionet dhe kuptimin, ato ditë ndriçimi me tërë freskinë e tyre i ndjejmë të ndërthurura me kohën që jetojmë dhe falënderojmë edhe një herë tjetër Zotin për këtë fat të bardhë!

Shumë herë, zëri i minareve na e kujton marrëveshjen që kemi bërë me Zotin, fjalën që i kanë dhënë shpirtrat tanë Atij në replikën: “A s’jam unë Zoti juaj?” “Po, Ti je Zoti ynë!”. Pastaj ne vrapojmë për në një pikë vëzhgimi ku besojmë se do të jemi më pranë Tij, i rinojmë premtimet dhe betimet tona me rënkimet dhe ngashërimet më të brendshme duke nisur me emrin e Allahut edhe një herë tjetër një etapë të re besnikërie.

Disa herë, zëri i minareve arrin një harmoni aq prekëse, aq të thellë dhe aq magjepsëse, saqë edhe zemrat më të ngurta, madje, nuk durojnë dot dhe, qoftë edhe përkohësisht, i hapin portat aty për aty dhe rrjedhin për në të gjitha gjokset e etura vargjet melodike të thurura me fjalët qiellore më të bukura dhe si të ishin shpirtra, i vënë nën ndikim të gjitha ndjenjat njerëzore. Ndërgjegjet na marrin jetë sikur të kishin dëgjuar zërin e bririt, vullnetet na ringjallen dhe vrapojmë për ta përdorur të drejtën e pajisjes me një privilegj të tillë!

Disa herë, zëri i minareve përhapet valë-valë në çdo anë me butësinë e një flladi; ndërkaq, aty për aty, shndërrohet në re të ngarkuara me shi mbi ne dhe, pastaj, na derdhet nga kryet poshtë në formën e pikëzave të lagështirës të kthyera në vesë. Përballë këtij rrebeshi tingujsh dhe dritash që na zbrazet nga kryet teposhtë si të ishte përzjerë me zhurmat e flatrave të engjëjve, e pandehim veten pothuaj brenda një ujëvare drite. Dhe kjo ujëvarë drite na rrëmben e na çon ne në kthesën e rrugëve të hapur për në parajsë, na i vë në lëvizje dëshirat, na u lëshon entuziazëm gjokseve, ne bëhemi sikur i kapërcejmë kufijtë e vetvetes dhe hapim flatrat drejt parajsave, ekzistencën e të cilave e kemi ndjerë në ndërgjegjet tona!

Lexo  Paramendimet dhe paragjykimet

Sa herë që i dëgjojmë zërat tejet të ëmbla, të sinqerta dhe pak edhe në formë të dhimbshme të minareve, bëhemi sikur ndjejmë frymën që kundërmon dhembshuri të nënave tona dhe dëgjojmë ato ninananat e tyre tejet të buta, e lëshojmë veten në atë dhembshuri të gjerë të formuar nga vetë imagjinata jonë dhe, pastaj, rrimë të derdhim dhimbjet e ndarjes të zemrave tona, heqim në shpirt si fëmijët dhe kridhemi në ëndrra nga më të çuditshmet!

Për ne, ezanet janë bërë në çdo kohë nga një shprehje e magjishme më vete që bisedon me zemrat tona. Sa herë që minaret gjëmojnë me ezanet, na i tërheqin shpirtrat në klimën e tyre, na i shëtisin nëpër botët e tyre, bisedojnë me çdo njeri duke përdorur një gjuhë të kuptueshme prej tij dhe, bëjnë si bëjnë, ia shprehin veten atij. Ata që e dinë, e dinë se ç’kuptim kanë këto zëra, se për çfarë bëjnë thirrje, se pse bëjnë thirrje, dhe gjithmonë i duan ato. Prandaj, sa herë që minaret të buçasin me ato zërat e tyre qiellore, ata mbajnë frymën dhe, me një impresionim të thellë, rrinë t’i pëshpërisin ato. Këto zëra ndikojnë seriozisht edhe mbi ata që nuk janë kaq të mësuar e kaq të afërt me to. Pa le sikur ato thirrje të ekzekutohen me një zë të brendshëm, të sinqertë, mjeshtëror dhe me harmoninë zemër-gjuhë; pikërisht atëherë rënkojnë qiej e tokë.

Qiej e tokë rënkojnë dhe shumë herë ne imagjinojmë se si këto zëra të vdekshme marrin një trajtë mbinjerëzore me zellin për t’u shprehur ca gjëra botëve përtej dhe bëhemi sikur në këto frymëmarrje dëgjojmë një dialekt amshueshmërie. Ky zë dhe ky dialekt i përfytyruar na i ngacmon e na i zgjon të gjitha ndjenjat tona të fjetura, na tërheq ne nga kënaqësia në frikë, nga vetëdija e detyrës në horizontin e impresionimit me aliazh kënaqësie dhe na bën të ndjejmë kënaqësitë më të pafajshme të kthjelltësisë së ninananave që përshpëriten në kokë të djepit!

Dhe vjen një çast që për nga fragmenti kohor ku ndodhemi, të gjitha minaret t’i presin zërat; por muezini, me qëllim që entuziazmi ynë shpirtëror të mund të vazhdojë edhe pak, vazhdon të thotë, në etapa të ndryshme, të tjera gjëra nga gjuha e zemrës: me anë të ikametit na thërret të qëndrojmë duarlidhur e gatitu para Zotit, kur i vjen vendi, e shoqëron imamin në tekbir dhe tahmid. Me “Allahumme ente’s-selam”-in, thotë me zë të lartë se besimtarët i premtojnë çdokujt paqe e shëndet, me tesbihet, hamdet dhe tekbiret, na i ngre peshë zemrat edhe një herë dhe na hap dritare shpirtërore krejt të reja që do të na e merrnin mendjen dhe ashtu na hap, që shumë persona që ia kanë lëshuar veten kësaj ujëvare, me instinktet e veta të brendshme, menjëherë bien në gjunjë para Fuqiplotit dhe kalojnë në përgjërim.

Zërat dhe fjalët brenda faltores nga ikameti gjer në etapën e një përgjërimi të tillë, janë tejet të buta, të imta, delikate, me pamje impresionimi dhe gjithmonë shumëngjyrëshe sikur të kryheshin brenda kuadrit të haremit. Pa le kur këto zëra dhe fjalë janë rënkime të shpirtrave të zgjuar dhe të zemrave të hapura për botët përtej.

Sa herë që ne t’i dëgjojmë këto melodi nazemadhe ku vende-vende shton zërin e vet edhe xhemati, pandehim se shpirti dhe kuptimi i qiejve derdhet mbi ne krejt si ujëvara, sikur jemi pastruar pas banjës me zemzemin e këtyre hamdeve, tesbihve dhe tekbireve dhe kemi fituar lehtësi.

Këto zëra të cilat me anë të ezanit dhe ikametit, vazhdimisht gjejnë dhe thonë disa gjëra sikur të mos ishin ngopur duke e shpallur Zotin, ndonjëherë, me virdet dhe dhikret, me lutjet dhe lavdërimet që këndojnë, si dhe me shkallët dhe vijat melodike të vjetra e të reja që përdorin sipas secilës prej këtyre, sa herë që e hapin gojën, bëhen sikur na dhurojnë konsiderata të arta sa tërë botët, na shëtisin ne në majat e të kaluarës sonë të famshme, na vendosin në atllasin ideor të botës sonë të mendimit dhe, duke e përzjerë dialektin e sotëm me stilin e djeshëm, ç’buqeta të bukura na ofrojnë nga tufat e zërave dhe fjalëve të ndryshme që na i magjepsin zemrat!

Ndajeni me miqtë tuaj...