Nuk duhet harruar assesi, se mospritmëria nuk është një sjellje që tregohet vetëm karshi sendeve materiale, pasurisë apo pronave. Ajo është njëkohësisht cilësori i të qëndruarit i palëkundur karshi çdo lloj dëshire a kërkese egoiste, siç mund të jenë posti, titulli, lavdërimi, duartrokitja… Për shembull, sot, edhe sikur t’ju tërheqin mënjanë për t’ju thënë: “Ejani, bëhuni drejtor, këshilltar, deputet!”, ju sërish duhet të uleni e të mendoheni të shqetësuar se “vallë a do të mund ta ruaj ndjenjën e mopritmërisë edhe në këtë pozicion?”, sakaq të kryeni edhe një përllogaritje të fundit me veten tuaj. Me një fjalë, “Mos kjo dëshirë për të pasur një detyrë të këtillë, buron prej ndonjë dëshire të pakontrolluar egoiste?”, dhe nëse e kuptojmë se me të vërtetë, brenda tyre janë përfshirë edhe dëshirat dhe kërkesat e egos sonë, atëherë duhet të dimë se si ta kundërshtojmë.
Ndoshta ndokujt mund t’i vijë ndërmend ndonjë pikëpyetje, si “Nëse çdokush do të përpiqet për të qenë pa pritshmëri deri në fund, a nuk ngelen pa zot këto detyra?” Por, nëse ekziston ndokush që mund ta bëjë atë detyrë, atëherë kërkesa juaj për të dalë ju në krye, nuk mund të shërbejë për gjë tjetër, veçse për të nxitur ndjenjat e xhelozisë dhe rivalitetit, duke çuar mandej drejt mosmarrëveshjes dhe përçarjes. Me një fjalë, nëse në një vend ku falet namaz, nëse gjenden përnjëherësh dhjetë vetë, të cilët mund ta drejtojnë faljen e namazit, dhe ju fluturoni menjëherë në krye, duke thënë “Ta drejtoj unë këtë namaz!”, më tepër se sa keni përfituar, jeni dëmtuar nga kjo dëshirë e juaja, sepse sido që të jetë, njëri prej atyre të dhjetëve do ta kryente këtë punë. Pastaj, ashtu siç na udhëzon edhe Bediuzaman Said Nursiu, se të zgjedhësh të qenët pas të tjerëve në një punë që kërkon përgjegjësi serioze, është më e mirë se sa të jesh drejtues i saj. Të drejtosh një namaz është një punë me rreziqe të mëdha.[1] Sepse, çdo imam ka po aq përgjegjësi sa ç’persona gjenden pas tij. Nëse një imam bën një gabim gjatë namazit, atëherë ai mban mbi supe edhe përgjegjësinë e gabimit për secilin nga njerëzit që janë lidhur pas tij. Njëkohësisht, gabimi që mund të kryejë një prefekt i një prefekture, i vendos atij përgjegjësi mbi supe po aq sa është edhe numri i banorëve të atij territori. Po ashtu, dikush që gjendet në krye të shtetit, nëse bëhet pjesë e një gabimi që prek popullin me majën e tij më të imët, shkon matanë me fajin e secilit prej qytetarëve të atij vendi.
Andaj, njeriu në vend që të bjerë pas sevdasë për t’u zgjedhur, duhet të ruajë pozicionin e tij si zgjedhës. Pasi nuk mund të gjendet as edhe një individ i vetëm, që të ketë rënë pas dëshirës së verbër për t’u zgjedhur, e që ka thënë “Unë, unë të zgjidhem!”, e të mos ketë dalë i gabuar. Ndërsa ata që kanë thënë përherë “Le të jetë dikush që di ta bëjë më mirë këtë punë, nuk ka rëndësi se kush.” janë të paktë.
[1] Shih: Bediuzaman Said Nursi, Shkrepëtimat, fq. 192. (Shkrepëtima e Njëzetë)