PËRSËRITJET E HISTORISË DHE NE

Para së gjithash, duhet të përcaktojmë diçka: Zoti i Madhëruar, duket sikur e ka shfaqur çdo gjë që do të ndodhë deri në kiamet në një mikroplan përgjatë Shekullit të Lumturisë. Nga ky këndvështrim, umeti i Muhamedit (pqmT) mund të kërkojë rrugëzgjidhjet e ngjarjeve të reja, rrethanave të ndryshueshme, apo çështjeve të paqarta duke iu referuar atij shekulli. Edhe veprat madhore të shkruara prej të parëve bazuar në ixhtihadet[1] e tyre janë në një farë mënyre si një botim dhe shumim i atyre mikrofilmeve.

Është gjithashtu e dobishme të sqarojmë se ngjarjet historike nuk përsëriten në mënyrë identike, por në mënyrë të ngjashme. Nisur nga ky aspekt mund të thuhet se historianët materialistë, që presin që ngjarjet e së shkuarës të ndodhin në mënyrë identike , janë mashtruar dhe gabojnë rëndë. Ka mundësi të mashtrohen nga fakti se duket sikur ndonjëherë ngjarjet përsëriten po njëlloj. Në fakt, kjo është thjesht një ngatërresë e së vërtetës me hijen e saj.

Kështu, mund të thuhet se ngjarjet që ndodhën gjatë hixhretit (mërgimit) dhe përgjatë udhëtimit të mërgimit, mund të shfaqen në mënyrë të ngjashme edhe në një periudhë tjetër. Për shembull, në ditët e sotme, ne kemi kohë që udhëtojmë në një drejtim të tillë. Bazuar në thënien profetike, “Muhaxhir (i mërguar) është ai që shmanget prej atyre që Zoti i ka shpallur të ndaluara,”[2] në jetën personale ne kemi jetuar gjithnjë mërgimin e shmangies prej gjërave të ndaluara. Mërgimin material e kanë kryer shumë prej nesh, për të përmbushur nevojat e shërbimit të fesë, më vete ose familjarisht. Rrëzimi i regjimit komunist në Azinë Qendrore e përshpejtoi veçanërisht këtë ngjarje. Nismat e ndërmarra në emër të përhapjes së vlerave tona ndaj njerëzve të tjerë, në Evropë, Amerikë, Australi dhe shumë vende të botës, përbëjnë një tjetër dimension të kësaj çështjeje.

Megjithatë këtu ka një pikë, ndaj së cilës dua t’ju tërheq vëmendjen. Është kusht thelbësor, që në mërgimin e kryer të mos përfshihet asnjë pretendim dhe pritshmëri, por ai të kryhet vetëm për hir të Zotit. Realizimi i një gjëje të tillë ka lidhje me shëndetin e botës së brendshme të njeriut, eksplorimin e tij brenda vetvetes, qëndrueshmërinë në marrëdhënien me Zotin, dhe me faktin që njeriu ta shohë, dëgjojë dhe përmendë Zotin kudo. Po, për mendimin tim, nëse njerëzit do të braktisin shtëpinë, vendlindjen dhe atdheun e tyre, atëherë ata duhet t’i shesin shumë shtrenjtë këto të fundit. Ata duhet t’i përballojnë këto sakrifica për hir të idealeve dhe qëllimeve shumë të larta që do të përfaqësojnë. Fundja, ky është ideali dhe qëllimi që na tregojnë Zoti dhe i Dërguari i Tij. Synimi është Allahu, parajsa, bukuria dhe kënaqësia e Tij, si dhe ndërmjetësimi i të Dërguarit të Tij.

Dikush mes sahabëve të nderuar, të cilit nuk ia dimë emrin, ngaqë nuk e kishte arritur ndoshta më së miriekuilibrin ezemrës, dhe nuk e kishte ruajtur pastërtinë e qëllimit, pati humbur në brezin e fitores, edhe pse pati përballuar të njëjtat vështirësi dhe shqetësime si edhe të tjerët. Kur iu tregua të Dërguarit të Allahut gjendja e këtij sahabi, i cili kishte mërguar nga Meka në Medinë për hir të një femre, Profeti (paqja qoftë mbi Të) tha: “Hixhreti i dikujt që bën hixhret për hir të një gruaje, i mbetet i bërë për hir të vetes.”[3] Pra, ai nuk arriti dot të ishte mërgimtar i Zotit apo i të Dërguarit të Tij. Nga ky këndvështrim, mund të thuhet se ekuilibri i zemrës, vetëkontrolli, shqyrtimi i vazhdueshëm i vetvetes dhe pastërtia e besimit, janë më të rëndësishme se çdo gjë.

Po, asnjërit prej sahabëve të nderuar nuk iu tha: “Në mërgimin që jeni duke përballuar sakrifica kaq të mëdha do të merrni këto rezultate!” – Pra, atyre nuk iu tha: “Rreth dhjetë vite më vonë do të lani hesapet me botën, do të përhapeni në kaq territore, do të bëheni udhëheqës dhe sundimtarë…” Atyre iu tregua vetëm qëllimi dhe iu dha urdhri: “Mërgoni për në Medinë!” – Dhe ata patën mërguar pavarësisht gjithçkaje. Ja pra, burimi i një mendimi të tillë varet nga kalibrimi i saktë i dizajnit të brendshëm të njeriut që do të sjellë në jetë këto mendime, si dhe lidhja e tij e qëndrueshme me Zotin. Njerëz të tillë, thonë porsi Junus Emreja:

Në ardhtë vuajtje nga Jotja ashpërsi,
apo nga bukuria Jote ardhtë mirësi,
të dyja janë lumturi për shpirtin tim:
të bukura i ke, shpërblim e ndëshkim.

Dhe këtë e thonë pa ndier asnjë shtypje të brendshme, pa u lëkundur dhe pa pasur asnjë dyshim.

Edhe sot, Zoti po na bën të përjetojmë një tjetër mërgim të ri. I qofshim falë pafundësisht Zotit, që na e mundësoi! Atëherë, ata që po e përjetojnë këtë hixhret, nëse nuk duan t’u shkojnë veprat më kot, duhet të kalibrojnë mirë botët e tyre të brendshme.

Në pyetje ishte përmendur edhe shpella. Po, ashtu siç e shprehëm faktin se hixhreti po ripërjetohet në mënyrë të ngjashme, edhe periudhën e shpellës po e përjetojmë në shkallë individuale dhe shoqërore. Edhe sikur sot të duket e pandalshme, deri dje nuk falnin askënd që shfaqte mendime prej myslimani. Nuk u interesonte as loti në sytë e tij, e ndiqnin si të ishte kriminel. I dënonin me vdekje pa u dhënë mundësi as të shprehnin mendimet e tyre rreth popullit, shtetit dhe fesë. Ja pra, këto janë forma të përjetimit të periudhës së shpellës.

Ta përmbyllim duke përmendur një dimension tjetër të kësaj çështjeje. Para së gjithash, ata që dëshirojnë t’i shërbejnë këtij populli, duhet të bëjnë plane afatgjata dhe të jenë të gatshëm të përballojnë përgjegjësitë e rënda që do t’u takojnë në të ardhmen. Duhet të prodhojnë vazhdimisht plane për t’ua përçuar të vërtetat e fesë, jo vetëm armiqve të atyre që u shërbejnë fesë, por edhe armiqve të Zotit dhe Profetit, që përpiqen t’u marrin jetën dhe t’u ndërpresin ndikimin e forcën. Ndoshta, këto mund të konsiderohen pasive sipas mendimeve të disave, por mendoj se është krejt e kundërta; këto janë shërbime jetëgjata dhe premtuese për të ardhmen e njerëzve , prandaj këta persona mund të konsiderohen vërtet aktivë.

Po, e djeshmja kaloi… Edhe e sotmja po kalon… Ndërkohë nuk dihet as e nesërmja, as nëse do ta arrijmëne atë. Prandaj, duhet ta kuptojmë se jeta e vërtetë është çasti në të cilin jemi duke jetuar, andaj edhe duhet ta përjetojmë atë duke e shfrytëzuar deri në fund.


[1] Gjykime të pavarura në sheriat, interpretime të sheriatit, të ligjit të shenjtë.
[2] Buhari, iman 4; Ebu Davud, xhihad 2.
[3] Buhari, bedu-l vahj 1, nikah 5; Muslim, imaret 155

Ndajeni me miqtë tuaj...