1. Shkaqet dhe rastësitë nuk munden ta bëjnë gjithësinë.

Rastësia është e kundërta e rregullsisë (rregullit, ligjit), është përjashtim. Ndërsa ligji shpreh një marrëdhënie të caktuar dhe të vazhdueshme që mbështetet dhe zhvillohet mbi një plan, program, rregull dhe harmoni, rastësia është krejt e kundërta e kësaj, është një marrëdhënie e pacaktuar, e pavazhdueshme, pra, spontane, e pambështetur mbi një plan ose program, pra, e parregullt. Dituritë, në përgjithësi, dhe shkencat e natyrës, në veçanti, merren vazhdimisht me ligjet. Ato nuk interesohen për rastësitë dhe nuk i fusin ato në fushën e studimit të tyre. Eshtë një gabim i madh t’i trajtosh dhe studiosh së bashku, në një plan, rastësitë me shkencat dhe ligjet shkencore.

Le ta ilustrojmë këtë vështrim të shkurtër mbi çështjen me një shembull.

Te njeriu ka gjashtëdhjetë trilion qeliza dhe, në një qelizë, afro një milion proteina. Kështu, mundësia e krijimit të rastësishëm të një proteine është një në gjashtëdhjetë trilion herë një milion. Domethënë se formimi në mënyrë të rastësishme i një proteine është po kaq İ pamundur dhe absurd[1].

2. Gjithësia nuk mund të bëhet vetvetiu.

Në qoftë se themi se një qenie duhet të ekzistojë, duam të themi se mosekzistenca e saj është e pamundur. Qenia që duhet të ekzistojë e ka, pra, ekzistencën të domosdoshme. Ndërkaq, çdo qenie që s’e ka ekzistencën të domosdoshme, e ka të mundshme, pra, mund të ekzistojë dhe mund të mos ekzistojë; mund të ekzistojë po aq sa mund të mos ekzistojë dhe mund të mos ekzistojë po aq sa mund të ekzistojë. Mundësia shpreh barazinë mes ekzistencës dhe mosekzistencës.

Domosdoshmëria e ekzistencës kërkon, në të njëjtën kohë, pafundësinë, sepse ajo e përjashton mosekzistencën. Mirëpo, në gjithësi vërehet se çdo qenie shkon me shpejtësi drejt një fundi. Atëherë, themi se ekzistenca e asnjë qenieje të shfaqur pas në fushën e ekzistencës në gjithësi nuk është e domosdoshme. Mosdomosdoshmëria e ekzistencës është e njëvlershme me mundësinë e saj. Kurse mundësia ka nevojë për një krijues. Ndërkaq, identifikimi i krijuesit të nevojshëm me materien nevojtare është vetëm një përçartje. Atëherë, themi se krijuesi i një gjëje që ka nevojë për krijues, kurrë nuk mund të jetë lëndë ose një formë lëndore. Krijuesi i gjësë që ka nevojë për krijues mund të jetë një Individualitet me ekzistencë të domosdoshme, që është Allahu, Zoti i gjithësisë.

Nga ana tjetër, po qe se supozojmë se lënda është, në të njëjtën kohë, fuqi që e krijon vetveten, ku është tani ajo fuqi? Eshtë krejt e qartë se fuqia që s’ka fund s’mund të ketë as fillim, s’mund të jetë as e pafillim. Atëherë themi se përtej qenies është një Individualitet i pafillim e i pafund që sundon mbi gjithë qenien, që është Allahu, Zoti i gjithësisë.

3. As natyra dhe ligjet e natyrës nuk mund të jenë krijues.

Ligji me atë që e vendos atë ligj nuk janë një. Nuk mund të ndodhë që ligjet e natyrës t’i kenë vënë vetë ligjet e natyrës. Nga ana tjetër, është e pamundur që natyra t’i japë diçkaje tjetër atë që s’e ka vetë. Kështu, asnjëra prej mijëra ndjenjave që ndodhen te njeriu nuk ndodhet në natyrë. Atëherë, si mund t’i japë natyra njeriut atë që s’e ka vetë. Cila mendje mund ta pranojë këtë absurditet?

Si mund ta krijojë njeriun natyra e përbërë prej guri, dheu, ajri, dielli dhe nxehtësie që s’mund të krijojë diçka më të përsosur se veten?

4. Në unitet ka përputhshmëri.

T’ia japësh të gjitha gjërat një gjëje (t’i bësh të gjitha gjërat një) është më e lehtë sesa ta përpjesëtosh një gjë tek të gjitha gjërat. Për krijimin e një grimce (molekule) ka nevojë për tërë gjithësinë. Ai që s’e krijon dot tërë gjithësinë, nuk e krijon dot një molekulë të vetme. Sepse brenda materies ekziston nevoja e gjërave për njëra-tjetrën, marrëdhënia e ngushtë e gjërave me njëra-tjetrën.

Ta vësh një njësi ushtarake nën komandën e një komandanti është mënyra më e thjeshtë dhe e lehtë e administrimit, kurse komandantin ta bësh ushtar e ushtarët komandantë e ta vësh atë ushtar nën komandën e tërë atyre komandantëve, është mënyra më e vështirë dhe absurde e administrimit.

T’ia atribuosh tërë gjithësinë Zotit është e njëjta gjë sikur t’ia atribuosh Atij krijimin e një qelize. Në të njëjtin rezultat të çon edhe e kundërta. Domethënë, kush ta ketë krijuar një molekulë, ka krijuar edhe gjithësinë. Si krijim, nuk ka ndryshim mes krijimit të molekulës dhe planetit, mikrobit dhe rinocerontit, pikës dhe detit, pjesës dhe të tërës. Ai që s’mundet ta krijojë planetin, rinocerontin, detin, të tërën, nuk mund ta zotërojë molekulën, mikrobin, pikën e ujit, pjesën!

 

Pse Jane Krijuar Natyra, Ligjet e Natyres dhe Shkaqet?

1. Ligjet dhe shkaqet janë mjete dhe pengesa ndarë­se; urdhrat dhe porositë e ardhura nga lart arrijnë në pi­kat e takimit (të marrëdhënieve të ndërsjellta) që ndo­dhen pas këtyre mjeteve.

Duke e krijuar gjithësinë materiale, Zoti ka krijuar edhe ligjet e natyrës dhe shkaqet bashkë me të dhe si tipar individual dhe veçori të natyrës. Ato që hyjnë në fushë të ekzistencës me urdh­rin “bëhu” të dhënë në krijimin e parë, hyjnë në këtë fushë, në të njëjtën kohë të pajisur edhe me këtë veçori. Këtë të vërtetë e shpreh edhe ajeti kur’anor, “… dhe i dhamë asaj një shkak për çdo gjë” (Kehf, 18/84).

Ndërkaq, të gjitha shkaqet dhe ligjet janë pengesë ndarëse të dinjitetit dhe madhështisë së Zotit; pas tyre është Allahu, Zoti i gjithësisë, vepruesi i vërtetë dhe krijuesi i qenies ku përfshihen edhe shkaqet. Ligjet dhe shkaqet kanë për detyrë t’i shpërndaj­në dhe shpallin veprimet dhe ndikimet e vërteta me burim atë Fuqi dhe janë si nga një perde prej dantelleje që e mbrojnë di­njitetin e Tij ndaj vlerësimeve sipërfaqësore e formale të mend­jes.

Edhe mes njerëzve, personat me pozitë kanë një dinjitet, madhështi dhe vlerë të caktuar, në raport të drejtë me postin dhe pozitën, për pasojë, veprojnë jo drejtpërdrejt, por me anë të një sërë mjetesh dhe pas një pengese ndarëse (kushtesh e mjetesh). Ata nuk ndërhyjnë personalisht në punët që kryejnë zyrat e dikasterit të tyre, nuk janë ata që i kryejnë ato punë. Ata e zhvillojnë të gjithë veprimtarinë në krye të të cilës ndodhen dhe të cilën e drejtojnë, me anë të njerëzve të tjerë, kurse vetë nuk duken tjetërkund veçse në zyrën e vet. Për shembull, krye­tari i shtetit nuk shkon të kontrollojë tregun si një nëpunës bash­kie, sepse s’ia lejon detyra dhe pozita. Nuk është gjenerali ai që merret me pastrimin e kapanoneve, të armëve, etj. por ushtarët dhe i gjithë personeli tjetër sipas detyrave, përgjegjësive dhe ra­ngjeve, kurse ai vetë nuk duket. Në mundemi të bëjmë një për­ngjasim, Zoti që është zotëruesi dhe sunduesi i vetëm i gjithësisë dhe tërë ekzistencës, i krijon dhe drejton të gjitha dukuritë që ndodhin në gjithësi duke përdorur ligjet dhe shkaqet “duke u fshehur” pas tyre. Sepse këtë kërkon dinjiteti dhe madhështia e Tij. Me një ndryshim që gjërat që Allahu i bën pengesë ndarëse për dinjitetin dhe madhështinë e Tij, nuk kanë një veprim dhe ndikim të vërtetë.

Shkurt, ligjet dhe shkaqet janë si një zyrë administrative e shtetit, prandaj zbatimi i urdhrave dhe porosive që vijnë nga kreu i shtetit, lidhet me atë zyrë ose nëpunësit që veprojnë në kuadrin e asaj zyre. Në të vërtetë, është Allahu që i kryen ose që i detyron të kryhen të gjitha punët.

2. Ligjet e natyrës dhe shkaqet janë krijuar për t’u bërë objekti i parë i ankesave të padrejta.

Materia dhe dukuritë kanë dy anë: anën materiale dhe anën ideale, të jashtmen dhe të brendshmen. Krejt si pasqyra. Njëra faqe e pasqyrës, e pastër, e rrafshtë, e shkëlqyer, pasqyruese, kurse faqja tjetër, e fëlliqur, e shëmtuar, e errët. Edhe ana ide­ale e materies ku s’ka ligje dhe shkaqe, është e kthjellët dhe e pastër. Jeta, drita dhe mëshira janë vetëm tri cilësi të kësaj ane. Kurse në anën e jashtme të saj ndodhen disa gjendje të kundër­ta me dinjitetin, madhështinë, përsosmërinë dhe bukurinë e Zo­tit dhe të papëlqyeshme për syrin, veshin, hundën, madje për përfyty­rimin dhe mendimin dhe për t’i fshehur ose, disa herë, për t’i bërë objekt këto janë krijuar ligjet dhe shkaqet. Zoti ve­pron pas këtyre shkaqeve dhe pengesave ndarëse e fshehëse. Veçanë­risht, edhe urtësia për të siguruar që ankesat e padrejta e pa vend të mos i drejtohen drejtpërdrejt Zotit, e ka bërë të domos­doshme krijimin e ligjeve dhe shkaqeve. Sepse njerëzit e pa­ditur, injorantë dhe indiferentë, shpesh herë, duke mos i parë dot urtësitë e holla e të thella në materien dhe dukuritë, si re­zultat, shumë bukuri të fshehura, i drejtohen vetë Zotit dhe i an­kohen Atij. Mirëpo një ankesë e tillë është një fatkeqësi më e madhe se e keqja ose fatkeqësia për të cilën bëhet ankesa. Po, shumë herë, fatkeqësia që bëhet shkak për ankesë, sjell një fat­keqësi të re më të madhe. Ja, pra, Individualiteti i Madh që ësh­të Mëshirues dhe Bamirës[1], duke e fshehur veprimin e Tij pas ligjeve dhe shkaqeve, ka dashur t’i shpëtojë njerëzit nga fatke­qësia e vërtetë dhe u ka dhuruar atyre justifikime.

Kështu, ankesa e fshehur në klithmën e nënës së djegur për humbjen e frytit të zemrës së saj, është mbështjellur me perden e sëmundjes dhe fatkeqësisë duke e mbrojtur atë nënë nga pa­turpësia ndaj Zotit që është fatkeqësi më e madhe se humbja e fëmijës. Sa të varfra janë fjalët tona mbi madhërinë e Zotit që sillet me kaq dhembshuri ndaj robve të vet, ndaj madhërisë së vërtetë të Tij!

3. Ligjet e natyrës dhe shkaqet janë krijuar për t’ia ekspozuar shikimit artin hyjnor.

Madhështia e artistit vlerësohet me vlerën e veprave të tij. Zogj këngëtarë, lule ngjyra-ngjyra, hollësi të një arti mrekullor të vëzhguara edhe në qenien më të vogël e sa e sa të tjera… Në të gjitha këto, Allahu, me gjuhën e natyrës, i bën të shqiptohen e këndohen emrat dhe atributet e Tij dhe, duke i ekspozuar shfa­qjet e këtyre emrave dhe atributeve nën emërtimin “shka­qe”, ua paraqet qenieve të vetëdijshme për t’i vëzhguar e sodi­tur. Kurse vetë sodit habinë dhe mahnitjen e tyre!

Çdo zotërues bukurie dhe përsosjeje dëshiron ta shohë dhe ta tregojë bukurinë dhe përsosmërinë e vet. Prirja për një kë­naqësi të tillë e vënë re në botë edhe në artistët njerëzorë plot të meta, shfaqet me galeritë dhe ekspozitat e artit, nga të cilat, çdo ditë njëra mbyllet e tjetra hapet. Mirëpo bukuria dhe përsos­më­ria te njeriu, si një njësi mase për ta kuptuar Zotëruesin e Buku­risë dhe Përsosmërisë Absolute, ndodhet në nivelin më të ulët. Megjithëkëtë, qoftë edhe me një thjerrëz të tillë matjeje është gjithmonë e mundur të dallohet dhe kuptohet vullneti i lartë dhe dëshira e Allahut, Zotëruesit të Bukurisë dhe Përsosmërisë Absolute, për ta bërë natyrën një sallon ekspozimi me dëshirën për ta parë dhe treguar bukurinë dhe përsosmërinë e vet. Eshtë ky dallim dhe kuptim që e shtyn njeriun ta madhërojë dhe she­njtërojë Allahun. Madhërimi dhe shenjtërimi i Allahut, Zotit të gjithësisë, buron nga vetëdija e robit (krijesës) ndaj Zotit dhe e adhurimit të Tij. Adhurimi i Zotit është qëllimi final i krijimit të njeriut, madje i tërë gjithësisë. Ja, pra, shkalla e shkaqeve është e rëndësishme për ne sepse na fut në udhën drejt një qëllimi të tillë për të arritur në horizont.

4. Gradualiteti në ligjet e natyrës dhe shkaqet.

Gradualiteti në ligjet e natyrës dhe shkaqet është parim. Dhe kjo është nga argumentet më enigmatike që vërtetojnë madhë­shtinë e artit hyjnor. Sepse tregimi veç e veç i shfaqjeve të em­rave në çdo shkallë e në çdo etapë si dhe prania e mrekullisë artistike që është e pranishme në të tërën, edhe në të gjitha pje­sët që formojnë etapat e ndryshme formësuese të një organiz­me, është veçori e posaçme vetëm për artin e Zotit dhe për atë Artist të madh. Një veçori të tillë është e pamundur ta shohësh dhe ta tregosh në ndonjë vepër tjetër artistike.

5. Ligjet e natyrës dhe shkaqet janë rrjedhojë e do­mosdoshme dhe përfundim i ndodhjes sonë në vendin e urtësisë.

Ahireti, jeta e pasme, është vendi i fuqisë[2] (mundësisë së pakufizuar), kurse kjo botë është vendi i urtësisë[3]. E thënë ndryshe, ndërsa në jetën e pasme sundon më shumë fuqia, në këtë botë sundon urtësia. Për rrjedhojë, në jetën e pasme, ligjet dhe shkaqet do të lihen jashtë funksionimit, kurse në këtë botë, ligjet dhe shkaqet funksionojnë si domosdoshmëri e urtësisë.

Krahas emrave si Halik (krijues), Rezzak (furnizues e ush­qy­es), Shafi (shërues), Mukaddir (vlerësues), Musavvir (përsh­kru­es), etj., Zoti mban edhe emrin Hakim (i urtë). Me këtë emër të bekuar, Ai bën punë me urtësi: me urtësi krijon, me urtësi i bën ligjet dhe shkaqet pretekste të veprimtarisë së Tij, me urtësi e thur dantellën e ekzistencës në kuadrin e marrëdhënieve që i ka ngritur mes pretekstit me efektin dhe shkakut me pasojën.

Kurse në jetën e pasme, meqë aty do të sundojë fuqia, Zoti do të veprojë me fuqinë e vet. Botën tonë të përkohshme e ka­limtare do ta shembë së bashku me ligjet dhe shkaqet që vepro­jnë në të, dhe do të krijojë një banesë të re dhe krejt tjetër, ku janë për parim kuptime të tjera. Në atë botë, të gjitha masat e vlerave të posaçme për këtë botë do të fshihen dhe qenia, duke marrë një natyrë tjetër, do të bartet në platformën e fuqisë.

Në këtë botë të pafundme ku sundon fuqia, për të ngrënë fruta nuk do të ketë nevojë të plugohet e të mbillet toka. Edhe rrobat e xhennetit, parajsës, të përgatitura pa gërshërën dhe gji­lpërën e rrobaqepësit, do ta veshin të zotin. Meqë atje s’do të ketë vjetërim, plakje e vdekje, nuk do të jenë as shkaqet që ço­jnë në këto përfundime. Kjo botë është shtëpia e shërbimit, kur­se bota tjetër, shtëpia e shpërblimit. Prandaj, për të merituar të mirat e atjeshme, duhet punuar këtu duke u mbajtur pas shka­qeve. Kurse në jetën e pasme, ahiret, nuk do të ketë as shkaqe si këto, as dhe punë.

6. Ligjet e natyrës dhe shkaqet janë krijuar për se­k­re­tin e propozimit dhe provimin.

Ligjet dhe shkaqet janë nga një perde (pengesë ndarëse) më vete. Këto perde të vendosura mes syve tanë dhe të panjohurës me qëllim për t’i dalluar ata që i besojnë të panjohurës prej aty­re që s’i besojnë, ndihmojnë për ta veçuar besimtarin prej mo­huesit. Besimi te e panjohura është vetia më dalluese e besim­tarit. Këtu duhet bërë kujdes në këtë specifikë:

Po të dëshironte, Zoti mund të mos i krijonte ligjet. Bie fjala, e ngarkonte tokën mbi shpinën e një engjëlli që mund ta shih­nim, dhe atëherë ne s’do të bënim fjalë për ligjin e gravitacionit. Ose, për të pasur një fëmijë, vinte si kusht vetëm një lutje të një nate dhe të nesërmen, njeriu do ta gjente fëmijën në prag të de­rës. Po të dëshironte, Allahu i përdorte yjet si shkronja dhe, du­ke e shkruar emrin e vet në qiell, na lajmëronte për ekzistencën dhe individualitetin e vet. Ose Zoti e krijonte njeriun me aftësi për të biseduar me të dhe, pastaj, Zoti bisedonte me të gjithë njerëzit veç e veç. Kështu, mund të përmendnim shumë gjëra. Vetëm se atëherë do të shmangej qëllimi final i krijimit, sepse qëllimi final i krijimit të njeriut është vënia e tij në provë. Atë­herë, as mendja s’do të kishte më kuptim, as dhe propozimi për adhurimin e Zotit. Në të njëjtën kohë, njeriut do t’i hiqej vullneti dhe njerëzit do të detyroheshin të besonin, gjë që do të ishte në kundërshtim me frymën e përgjegjësisë. Atëherë, njerëzit shpirt­bardhë si Ebu Bekri nuk do të dalloheshin nga njerëzit shpirtzinj si Ebu Xhehli. Meqë nuk do të kishte më të fshehtë prove, po­zita e njeriut që i lë engjëjt pas, do të mbetej e palëkundur dhe krijimi i njeriut s’do të kishte më kuptim.

7. Ligjet e natyrës dhe shkaqet janë krijuar për zhvi­llimin e ideve, për formimin e diturive, shkencave dhe qytetërimeve.

Që nga dita kur është krijuar, njeriu e ka përqëndruar kure­shtjen dhe kërkimin mbi lëndën dhe materien të krijuara nga Zoti; si rezultat, ai i ka zbuluar gjërat dhe dukuritë të krijuara në një formë të fshehur dhe, me përpjekjet e tij, teknologjia dhe qy­tetërimi kanë arritur në nivelin e ditëve të sotme. Por po qe se çdo gjë do të ishte krijuar qysh në fillim në formë të hapur, pra, do të dihej, nuk do të kishte as kërkim, as zbulim dhe as zhvillim. Njerëzit do ta quanin të zakonshme gjithçka që do të shihnin dhe nuk do të kishin punë tjetër veçse të prisnin vde­kjen për t’u larguar nga kjo botë siç kishin ardhur…

8. Ligjet e natyrës dhe shkaqet, duke prodhuar një ambientim, afërsi dhe shprehi të caktuar, e bëjnë jetën të dashur.

Ambientimi dhe shprehitë të çliruara nga qëndrimet e skaj­sh­me, janë veti të pamohueshme të jetës së jetuar me kënaqësi. Jeta e mangët nga këto veti s’do të ishte aspak e pëlqyeshme dhe e dashur. Duke mos e ditur se me ç’gjëra do të përballej të nesërmen, njeriu jo vetëm s’do të mund të planifikonte dot gjë për të nesërmen, por s’do t’i mbetej të bënte gjë tjetër veçse të habitej dhe hutohej, gjë që s’do të ishte aspak e dëshirueshme. Përgjithësisht, po qe se në botë nuk do të veprohej në bazë të ligjeve dhe shkaqeve, të gjitha vlerat që e bëjnë këtë jetë të jetë kjo që është, si rregullsia dhe ekuilibri, nuk do të ekzistonin, pra, nuk do të kishte jetë.

Rruga e mesme e ambjentimit dhe shprehive është jetesa duke arsyetuar dhe medituar. Njëri qëndrim i skajshëm do të ishte fshirja e arsyetimit dhe meditimit, kurse qëndrimi tjetër i skajshëm do të ishte një përqëndrim i jashtëzakonshëm në ar­syetim dhe meditim që do ta helmonte jetën. Ndërkaq, si në çdo gjë tjetër, edhe këtu besimtari zgjedh rrugën e mesme.

 

Natyra, Ligjet e Natyres dhe Shkaqet nuk Mund te Jene Krıjuesi dhe Administruesi i Vertete

1. Ligjet dhe shkaqet ekzistojnë me materien.

Ligjet dhe shkaqet ekzistojnë me materien, prandaj nuk mund të mendohen veç prej saj. T’i shohësh ligjet dhe shkaqet, ekzistenca e të cilave është e pamundur pa materien, si burimi, baza dhe krijuesi i materies, është krejtësisht një vetëmashtrim dhe përçartje dialektike. Nuk janë ligjet dhe shkaqet që e lindin materien dhe lëvizjen, përkundrazi, janë ligjet dhe shkaqet që lindin nga materia ekzistuese dhe lëvizjet e saj.

Yjet dhe planetet rrotullohen në orbitat e tyre dhe në një ekuilibër të caktuar. Por kjo nuk ndodh kështu sepse e ka zbu­luar Njutoni. Ndoshta rrotullohen sepse janë krijuar pas dhe ja­në vënë në atë rrugë. Kurse ajo që kanë bërë Njutoni dhe të tjerë, është se kanë zbuluar një ligj të vendosur në gjithësi së ba­shku me materien dhe i kanë vënë një emër.

2. Ligjet dhe shkaqet janë nga gjërat e mundshme.

Ekzistenca dhe mosekzistenca e ligjeve dhe shkaqeve janë njëlloj të mundshme. Meqë ligjet dhe shkaqet janë të lidhura me materien, kushtet që rrethojnë materien vlejnë edhe për to. Ashtu siç materia nuk mund të bëhet ekzistente pa pasur një shkak që të zgjedhë ekzistencën ndaj mosekzistencës së saj, ashtu dhe ligjet dhe shkaqet nuk mund të bëhen ekzistente pa një shkak zgjedhës. Ky është përfundimi i detyruar i të qenit i mundshëm. Ndërkaq, gjëja që është nevojtare për një zgjedhës dhe zgjedhje, kurrsesi nuk mund të jetë krijuese, sepse vetë ka nevojë për t’u krijuar.

3. Ligjet dhe shkaqet janë të krijuara pas, pra, akci­denciale. Për rrjedhojë, gjëja që s’është e pafundme, s’mund të jetë as e pafillimtë.

Ligjet dhe shkaqet janë të krijuara pas, pra, akcidenciale. Prandaj, thënia jonë se gjëja që s’është e pafundme, s’mund të jetë as e pafillimtë, vlen edhe për ligjet dhe shkaqet. Të men­dosh se një akcidencë është krijuar nga një akcidencë tjetër do të thotë të pranosh vargun e pafillim të lidhjeve shkak-pasojë, gjë që është absurditet.

Si materia, edhe ligjet dhe shkaqet po shkojnë drejt asgjë­simit. Shkencëtarët paraqesin shumë shkaqe që do të çojnë në copëtimin e materies, shpërndarjen e yjeve dhe shpërthimin e kiametit, katastrofës së përgjithshme. Gjërat që kanë një fund, që janë të dënuara të shkatërrohen, nuk mund të jenë krijues.

4. Ekzistenca e ligjeve dhe shkaqeve është nevojtare ndaj shkaqeve të tjera.

Ligjet dhe shkaqet që nuk janë vetë shkak për ekzistencën e vetes, prandaj dhe që janë pasojë, rezultat, kanë, gjithmonë, nevojë për shkaqe të tjera, gjë që shkon në mënyrë zinxhir. Meqë është e pamundur që kjo lidhje zinxhirore shkak-pasojë-shkak të zgjatet drejt fillimit në mënyrë të pafund, qëndrimi i saj në një pikë fillestare është i domosdoshëm e i pashmangshëm. Çështjen po e konkretizojmë kështu: fara është shkak për pe­mën, po shkak për farën, ç’gjë është? Pula vjen nga veza, po veza? Po të nisemi të kthehemi pas në vargun e shkaqeve dhe pasojave që arrijnë, ta zëmë, gjer te molla, nuk do të mbarojmë kurrë, veçse po t’i japim përgjigje përfundimtare pyetjes “po këtë?”, gjë që mund të bëhet nëse në vend të një shkaku tre­gojmë një krijues, për të cilin s’kemi për të pyetur më “po kë­të?”

5. Ligjet dhe shkaqet janë gjëra konvencionale; ato s’kanë trup të vërtetë dhe individual.

Disa ligje dhe shkaqe nuk kanë trup të vërtetë dhe indivi­dual, por janë konvencionalë dhe imagjinarë. Le ta marrim li­gjin e gravitacionit. Ky emër është vetëm një emërtim i vënë për të shënuar një dukuri. Ligji në fjalë nuk është një send që shihet me sy, që preket me dorë ose që analizohet në laborator. Të prekshme janë vetëm rezultatet. E thënë ndryshe, ligjet janë fu­qi konceptuale të përbëra prej hipotezave abstrakte. Të këtij lloji janë ligji i zhvillimit (fuqia mbirëse) te fara, ligji i zhvendosjes te uji, ligji i shifrës te DNA-ja, ligji i tërheqjes te magneti.

6. Ligjet dhe shkaqet japin rezultate duke u mbësh­tetur në ligje dhe shkaqe të tjera për të cilat kanë ne­vojë.

Ligjet dhe shkaqet japin rezultate duke u mbështetur në ligje dhe shkaqe të tjera për të cilat kanë nevojë, por nuk kanë fun­ksion krijues nga e paqena. Kështu, është e mundur të mbli­dhen të gjitha ligjet dhe shkaqet (kushtet), si rezultat i të cilave formohet një qelizë, por është krejt e pamundur që nga ligjet dhe shkaqet e grumbulluara artificialisht ose, e thënë ndryshe, nga kushtet e krijuara artificialisht të krijohet një qelizë e gjallë! Fundja, po e themi me këmbëngulje se, për t’u formuar një gja­llesë, duhet që të bashkohen në mënyrë të vetëdijshme dhe të llogaritur mijëra shkaqe, gjë që nuk mund ta bëjnë vetë shkaqet ose të bëhet vetvetiu.

7. Mes ligjeve dhe shkaqeve, nga njëra anë, dhe re­zultateve, nga ana tjetër, nuk ka përputhje.

Ndërsa ligjet dhe shkaqet janë mjaft të thjeshta, të dobëta e të pavullnetshme, rezultatet e tyre janë shumë të përsosura, ar­tistike, të çmuara e të rëndësishme. Kjo do të thotë se, edhe pse mes shkaqeve dhe rezultateve duken marrëdhëniet pretekst-efekt dhe shkak-pasojë, përputhje nuk ka. Ashtu siç do të shka­ktonte habi dhe mahnitje një njeri me peshë pesëdhjetë kilo­gram duke ngritur një peshë prej pesëqind kilogramësh ose një fëmijë duke tërhequr një autobuz me një pe të lidhur në gisht, ashtu do të vihej re një ndryshim shumë i madh dhe një çe­kuilibër i çuditshëm kur të shiheshin materia dhe dukuritë që ke­mi përreth nga këndvështrimi i përputhjes shkak-pasojë që bartin ato. Për shembull, po të deshim të shponim gurët apo shkë­mbinjtë duke e përdorur gishtin tonë si majë kompresori, nuk do të arrinim ndonjë rezultat tjetër veç copëtimit të gishtit, sepse fortësia e gishtit tonë është jashtëzakonisht tepër larg for­tësisë që kërkohet të ketë maja e kompresorit që shpon shkë­mbinj. Mirëpo, ja që bimë të vogla fare me rrënjët e tyre të imta e të buta si mëndafsh, i bëjnë copë-copë gurët e shkëmbinjtë! Gje­the më të holla se letra e cigares e durojnë nxehtësinë për­vëluese dhe arrijnë të mbeten të gjelbra. Shihni se sa e vogël dhe e thjeshtë është një farë që përmban programin e një peme të madhe me degë, gjethe e fruta! Mendoni spermatozoidin që e përmban njeriun me të gjitha mundësitë dhe aftësitë e veta… Shqyrtoni duke nxjerrë mësim raportet e madhësisë së farës së fikut, aq të vogël sa mezi shihet me sy, me drurin e fikut! Kështu mund të radhisim edhe shumë shembuj të tjerë e të shohim se ç’përfundime japin ligjet dhe shkaqet e dobëta e të thjeshta, të cilat nuk mund të jenë burimi, baza dhe krijuesi i përfundimeve të tilla kaq të përsosura e të shkëlqyera!

8. Ligjet dhe shkaqet nuk mund të jenë krijues sepse janë nevojtarë për të kundërtat e tyre.

Ligjet dhe shkaqet nuk mund të jenë krijues sepse kanë të ku­ndërta. Fundja, në gjithësi, çdo gjë ka të kundërtën e vet. Ma­teria njihet me të kundërtën e vet. Polet tërheqje-shtytje, mi­nus-plus, cilësitë apo gjendjet nxehtë-ftohtë, i bukur-i shëmtuar, natë-ditë, send-kuptim, etj. njihen vetëm sepse kanë të kun­dër­ta. Por gjëja që, për t’u njohur, ka nevojë për të kundërtën e vet, nuk mund të jetë krijues ose zot.

Artisti nuk është art. Muratori nuk është mur. E kundërta do të ishte një përçartje.

9. Disa herë, edhe pse bashkohen të gjitha shkaqet, rezultat nuk ka; disa herë, rezultati del në shesh edhe pa u formuar shkaqet e duhura.

Disa herë, megjithëse bëhen bashkë të gjitha shkaqet (kush­tet) për formimin e diçkaje, formimi i asaj diçkaje nuk ndodh. E kundërta, gjëja ndodh edhe pa u formuar shkaqet (kushtet) e duhura. Këto tregojnë se është një Individualitet, që zotëron vullnetin dhe aftësinë e duhur zgjedhëse për të bërë apo për të mos bërë diçka. Ai Individualitet është Allahu, Zoti i gjithësisë.

10. Ndërsa nevojat e njeriut si shkaku më i lartë dhe i aftë, zgjaten gjer në pafundësi, mundësia e tij është e barabartë me zero.

Ndër shkaqet, njeriu është shkaku më i lartë e i aftë. Materia dhe dukuritë i janë nënshtruar atij. Me arsyen, vetëdijen dhe vullnetin e tij, njeriu është një qenie e zgjedhur. Pavarësisht nga të gjitha këto, njeriu është edhe qenia më e dobët, delikate dhe nevojtare. Diku mundet nga një mikrob, diku ndalet para edhe shkakut më të vogël. Megjithëse nevojat i ka të pafundme, fu­qinë e ka të barabartë me zero. Dhe tani, njeriu me këtë për­mbajtje dhe cilësi, ndaj cilit shkak do të hapë duart për lutje dhe nga kush do t’i kërkojë nevojat e veta të pakufishme?

Po, është një Individualitet të cilit ai i drejtohet e i lutet, Alla­hu, Zoti i gjithësisë, që i vërtit shkaqet në dorë si kokrrat e tes­pive!


[1] Të kihet parasysh se propabiliteti i formimit të një proteine të re ka të bëjë jo me numrin e proteinave në një unitet biologjik, por me propabilitetin e bashkimit të aminoacideve që formojnë një proteinë të caktuar. Ndërkaq, proteinat e një uniteti biologjik formohen sipas një kodi gjenetik të caktuar që ruan veçoritë e caktuara të proteinave të atij uniteti.

Ndajeni me miqtë tuaj...