Ashtu si engjëjt, edhe xhindët dhe shejtanët janë qenie që nuk mund të perceptohen me anë të organeve të shqisave njerëzore dhe që për ekzistencën e tyre njoftohet hapur si në Kuran, ashtu dhe në hadithet profetike. Nisur nga kjo, mohimi i ekzistencës së tyre merr kuptimin e mohimit të ajeteve dhe haditheve me kuptim të drejtpërdrejtë dhe krejt të hapur.
Xhindët
Një nga qeniet jolëndore e metafizike janë edhe xhindët. Kuptimi leksikor i fjalës xhind (arab. xhin) është i mbuluar, i mbyllur. Kurse kuptimi terminologjik është kështu: “Xhindët janë qenie të tejdukshme të krijuara prej zjarri, të cilët mund të marrin forma dhe trajta të ndryshme dhe që kryejnë akte të dukura si të çuditshme. Siç ndodh me njerëzit, edhe ndër xhindët ka besimtarë dhe mohues.
Në Kuran, atje ku bëhet fjalë për krijesat, xhindët dhe njerëzit trajtohen së bashku. Për shembull, në një ajet thuhet kështu: “Allahu e krijoi njeriun prej argjile të pjekur, kurse xhindin e krijoi prej zjarri të pastër (prej flakës pa tym)!” (Rrahman, 55/14-15)
Duke u nisur nga shprehja e këtij ajeti, “min marixhin min nar“, që mund ta përkthejmë “zjarr i pastër” ose “esencë zjarri”, xhindët janë krijuar prej një lloj zjarri, por ky zjarr s’është as rrezatim, as zjarr që digjet me ndriçim, as zjarr me tym. Ky zjarr që është esencë lëndore, është zjarr që shpërndan shkëndija. Ja, prej një zjarri të tillë janë krijuar xhindët.
Sa për ngjashmërisë që kanë xhindët me njerëzit për sa u përket përgjegjësive, edhe xhindët, si njerëzit, janë krijuar për adhurim. Kështu, në një ajet, Allahu (xh.xh.) urdhëron: “Nuk i krijova xhindët dhe njerëzit veçse për të më adhuruar Mua!” (Dharijat, 51/56) Gjithashtu, si njerëzit, edhe xhindët janë qenie të vullnetshme që bëhen bashkëbisedues të komunikimit hyjnor. Edhe xhindëve u kanë ardhur mesazhe hyjnore që përmbajnë urdhra dhe ndalime, për rrjedhojë, me anë të këtyre mesazheve, edhe ata janë përgjegjës. Si konsiderimi i njerëzve bashkë me xhindët si bashkëbisedues të komunikimit hyjnor me shprehjen “o xhindë dhe njerëz”, si tërheqja e vëmendjes që u bëhet atyre mbi përgjegjësinë para Zotit me ajetet “Atëherë, ç’dhunti të Zotit tuaj po e mohoni?”, të gjitha këto, në suren Rrahman, e ndriçojnë në mënyrë të mjaftueshme specifikën në fjalë se njerëzit dhe xhindët janë qenie të krijuara me qëllimin e caktuar të adhurimit ndaj Allahut, të vullnetshme, bashkëbiseduese të komunikimit hyjnor dhe të ngarkuar nga Allahu me përgjegjësi të caktuara me anë të mesazheve të dërguara atyre nga ana e Tij.
Xhindët nuk e njohin të fshehtën. Faktin që xhindët nuk e njohin të fshehtën, Kurani e shpreh kështu në një ajet ku bën fjalë për vdekjen e Profetit Sulejman (a.s), nën urdhrin e të cilit punonin xhindë:
“Kur Ne ia caktuam atij vdekjen (Sulejmanit), atyre (xhindëve) nuk u dha shenjë askush për vdekjen e tij, pos krimbit të drurit. Dhe, kur u rrëzua (Sulejmani), u bë e qartë se sikur ta dinin xhindët të padukshmen, nuk do të vijonin në dënimin e poshtëruar. (Sebe, 34/14)
Një specifikë tjetër që duhet theksuar si e fundit në lidhje me xhindët, është kjo: Xhindët nuk janë krijesa që ndodhen në fushën e shikimit tonë. Në këto kushte, ne e kemi të pamundur t’i shohim ata në natyrën e tyre origjinale. Ç’kanë parë njerëzit, janë trajta precedenciale të tyre, domethënë, dimensione të tyre mundësisht të perceptueshme prej njerëzve. Xhindët zotërojnë aftësinë për të marrë si trajta njerëzore, ashtu dhe trajta kafshësh. Kështu, në hadithe të ndryshme, Profeti (s.a.s.) ka porositur, në lidhje me gjarpërinjtë që dalin nëpër shtëpi, që në fillim t’i thuhet, “nëse je xhind, dil jashtë!”, pastaj, po të mos dalë, të vritet. Kjo porosi është argument i aftësisë së xhindëve për të marrë trajta të ndryshme.
Shejtanët (djajtë)
Ka dy pikëpamje lidhur me kuptimin leksikor të fjalës shejtan. Sipas pikëpamjes së parë, kjo fjalë është e prejardhur nga rrënja “sh-t-n” dhe do të thotë “rri larg”, “kundërshtoj”. Kurse sipas pikëpamjes së dytë, fjala shejtan rrjedh prej rrënjës “sh-j-t” dhe do të thotë “digjem me furi”. Në literaturën islame, emri shejtan u jepet qenieve “ekspansive e mendjemëdha të krijuara nga zjarri, të cilat, me anë të dyshimeve dhe lëkundjeve që shkaktojnë tek njerëzit, përpiqen vazhdimisht t’i prapësojnë ata”.
Në Kuran bëhet fjalë me emrin Iblis për shejtanin e parë dhe thuhet: “… Iblisi ishte një nga xhindët dhe nuk iu bind urdhrit të Zotit të vet!” (Kehf, 18/50) Kështu, njoftohet se ai ishte një xhind. Një tjetër argument që tregon se Iblisi ishte xhind, është se për të bëhet e ditur se edhe ai, si xhindët e tjerë, është krijuar prej zjarri.
Iblisi, shejtani i parë dhe më i madhi, të cilit në fillim i ishte dhënë vend mes engjëjve, më pas, duke u mundur nga mendjemadhësia e vet, ra në pozicionin e qenies që i bën opozitë Allahut.
“Kur u thamë engjëjve: “Përuluni në sexhde para Ademit”, ata u përulën, përveç Iblisit, i cili nuk deshi, u tregua mendjemadh dhe u bë mosbesimtar.” (Bekare, 2/34).
Me një dialektikë që do të mund ta quanim “logjikë e palogjikshmërisë”, shejtani i është përgjigjur në këtë mënyrë Zotit që e ka pyetur se “pse nuk kishte rënë në sexhde para Ademit megjithëse e kishte urdhëruar”: “Unë jam më i lartë se ai. Mua më krijove prej zjarri, kurse atë, prej balte!” (A’raf, 7/12) Kështu, ndërsa krijimi i Iblisit është bërë i determinuar, jashtë vullnetit të atij vetë, kthimi i tij në shejtan ka ndodhur me vullnetin e vet të tij dhe si pasojë e gabimit të vet.
Nuk ka dyshim se kjo qenie e mallkuar dhe e përzënë nga mëshira hyjnore që nuk ka asnjë vlerë dhe çmim vetjak përsa u përket aspekteve të tij personale, është krijuar mbështetur mbi shumë urtësi. Pa asnjë dyshim, njëra nga këto urtësi, mbase më e para, është roli që luan shejtani në lartësimin dhe poshtërimin e xhindëve dhe njerëzve.
Krijuesi i Lartë e ka bërë shejtanin, në botën e shkaqeve, pretekst për lartësimin moralo-shpirtëror, përparimin dhe përkryerjen e njeriut. Zhvillimin e shumë ndjenjave të natyrës krijimore të njeriut, Zoti e ka varur nga lufta me shejtanin. Ndërkaq, është një e vërtetë e përgjithshme se, atje ku s’ka luftë e përpjekje, s’ka zhvillim dhe përparim. Kështu, tek engjëjt, mbi të cilët shejtani nuk vepron, nuk ka përparim dhe lartësim shpirtëror.
Ashtu siç bëhet, dashje pa dashje, skifteri që e kërcënon vazhdimisht trumcakun, shkak për aftësimin e tij gjithnjë e më të madh për fluturim, edhe shejtanët bëhen dashje pa dashje shkak për lartësimin moralo-shpirtëror të njerëzve.
Në botën e provës, pas sukseseve në zhvillimin e një sërë aftësish e mundësish si rezultat i luftës kundër shejtanit, njeriu bëhet i denjë e i merituar i xhenetit. Kurse ata të cilët, aftësitë dhe mundësitë që ua ka dhënë Zoti, i vënë në punë sipas sugjerimeve dhe kërkesave të shejtanit, bëhen të merituar të xhehenemit.
As mohuesit dhe as besimtarët nuk e kanë të drejtën për të kundërshtuar në formën “pse është krijuar shejtani?” ose “a nuk do të ishte më mirë sikur të mos ekzistonte?”. Më së pari, mohuesi që nuk i beson Krijuesit si dhe specifikave të njoftuara prej Tij, nuk ka asnjë të drejtë t’i paraqesë çështjet që s’i beson, si çështje rezerve apo kundërshtimi. Kurse për besimtarin bëhet fjalë për nënshtrimin e tij ndaj paracaktimit dhe vendimit të Krijuesit. Në esencë, si qenie të krijuara nga hiçi së bashku me gjithësinë ku ndodhemi, ne, njerëzit, nuk kemi të drejtë “të pretendojmë për të drejtë” kundër Krijuesit të Lartë! Sepse ne nuk kemi diçka që t’ia kemi dhënë Atij (xh.xh.), që të pretendojmë për ndonjë të drejtë ndaj Tij! Prandaj, ndaj Tij ne kemi vetëm përgjegjësitë tona, detyrat tona dhe falënderimet për të mirat që na ka dhënë e na jep!
Edhe xhindët e tjerë mohues që përpiqen t’i prapësojnë njerëzit, si Iblisi, emërtohen shejtanë. Madje, Kurani i konsideron shejtanët dy llojesh, prej njerëzish dhe prej xhindësh duke e mbështetur në cilësinë e tyre të përbashkët të sugjerimit njerëzve të mohimit dhe të çdo mendimi e ideje bestyte e të mbrapshtë që përmban mohim. Për shembull, në një ajet thuhet: “… Kështu, çdo profeti Ne i kemi caktuar armiq djajtë e njerëzve dhe të xhindëve!” (En’am, 6/112) Ndërkaq, ndërsa shejtanët-njerëz që përpiqen t’i largojnë njerëzit nga Allahu dhe nga parimet dhe vlerat e vëna prej Tij, e bëjnë këtë sy më sy, shejtanët-xhindë i bëjnë sugjerimet e tyre dhe u fusin njerëzve dyshime e lëkundje nga një pozicion i padallueshëm prej nesh. Kështu, në një ajet, Iblisi trajtohet kështu bashkë me shejtanët, llojit të të cilëve u përket:
“Sepse ai dhe shpura e tij ju shohin ju nga një vend prej nga ju s’i shihni dot. Pa dyshim, Ne i bëmë shejtanët miq të mosbesimtarëve!” (A’raf, 7/27)
Lidhur me interpretimin e këtij ajeti, Fethullah Gylen ka një trajtesë subjektive në veprën e tij, “Dimensioni metafizik i ekzistencës”. Sipas tij, shejtani dhe farefisi i tij preokupohet pa u ndalur me dobësitë e njerëzve dhe përpiqet t’i largojë ata nga Allahu. Bie fjala, kur ai e godet njeriun me anë të epshit, do të thotë se ka gjetur rrugën më të shkurtër. Sepse epshi është arma më e rrezikshme që e mpin vullnetin e njeriut dhe e bën atë lodër në duart e shejtanit. Ai u afrohet njerëzve me shumë dredhi të tjera, por, në shumicën e kohës, njerëzit nuk e shohin, nuk e ndjejnë dot këtë. Sepse shejtani i vëzhgon njerëzit nga vendi ku ata s’e shohin dot, pra, nga dobësitë dhe boshllëqet e tyre. Njerëzit nuk i shohin dhe nuk i ndjejnë dot as fisin e tij. Sepse ata janë pozicionuar në një mënyrë që njerëzit të mos i shohin dot, të mos i ndjejnë dot. Ata mund ta godasin njeriun në zemër krejt papritur, në një çast kur ai s’e pret aspak. Veçanërisht, në këtë ajet thuhet: “Ne i bëmë shejtanët miq të mosbesimtarëve!” Kjo na tregon neve këtë: Njeriu mund ta përbuzë shejtanin dhe mund t’i kundërvihet atij në raport me besimin që ka. Sa më shumë t’i dobësohet besimi, aq më shumë i forcohen lidhjet e miqësisë me shejtanin.
Në një ajet tjetër, Kurani e bën shejtanin të tregojë me gojën e vet se ç’plane ka për njerëzit dhe se ç’qëllime ushqen ndaj tyre. Kur qe përzënë si ndëshkim për kundërshtimin dhe paturpësinë e tij, shejtani qe krenuar në këtë mënyrë para Allahut:
“… unë do t’u zë pritë njerëzve në rrugën Tënde të drejtë e do t’u qasem atyre nga përpara dhe nga mbrapa, nga e djathta dhe nga e majta, e kështu Ti do të vëresh se shumica prej tyre nuk të janë mirënjohës!” (A’raf, 7/16-17)
Në këtë ajet bëhet fjalë për faktin që shejtani i cili nuk heq dorë në asnjë mënyrë nga puna për t’i prapësuar dhe nxjerrë njerëzit nga rruga e drejtë, u afrohet dhe u futet njerëzve nga katër drejtime.
“Do t’u qasem njerëzve nga para.” Shejtani u shkakton njerëzve dyshime dhe lëkundje mbi çështje të së ardhmes, domethënë, të jetës së pasme, ahiretit. Ai i bën njerëzit të mos besojnë në ringjalljen dhe jetën e pasme, në xhenetin dhe xhehenemin. Për pasojë, njerëzit nuk mendojnë ta rregullojnë jetën sipas besimit në jetën tjetër dhe, duke e interpretuar çdo gjë rreth interesave të veta, jetojnë si materialistë dhe pragmatistë.
“Dhe do t’u qasem nga pas.” Shejtani u sugjeron njerëzve se dëfrimet dhe kënaqësitë e vërteta që kërkojnë, nuk janë përtej, se duhet t’i heqin vështrimet nga bota përtej për t’i kthyer pas dhe se çdo gjë që kërkojnë ndodhet në jetën që jetojnë. Shejtani ua tregon njerëzve të mirat e kësaj bote aq të bukura, sa të mos njohin bukuri të tjera. Kështu, në ta s’mbetet asnjë dëshirë dhe asnjë interesim për ta parë Bukurinë e Përjetshme dhe bukuritë e përjetshme!
“Dhe do t’u qasem nga ana e majtë.” Shejtani u çon ftesa njerëzve duke nxitur dhe inkurajuar të shtrembrën, duke i zbukuruar të gjitha mëkatet dhe të këqijat dhe duke ua treguar të mira e të bukura atyre. Veçanërisht, duke ua gudulisur botën e brendshme, ua nxit epshin. Duke ua lëshuar femrën meshkujve dhe mashkullin femrave, ua prish nderin dhe pafajësinë.
“Dhe do t’u qasem nga ana e djathtë.” Shejtani u përzjen njerëzve shejtanllëqe (djallëzi) edhe në mirësitë që bëjnë. Edhe veprimet më të vogla që edukata s’i pranon, ua imponon atyre si të ishin pjesë të fesë dhe, duke i përhapur bindjet e sajuara, i bën që ta harrojnë frymën e fesë.
Për sa u përket marrëdhënieve të shejtanëve-xhindë me njerëzit, e shohim si të dobishme këtu të përcjellim një hadith që na e transmeton Hz. Aishja.
“Natën, i Dërguari i Allahut u largua prej meje, kurse unë u zemërova nga zilia. Kur u kthye dhe më kuptoi se ç’më kishte ngjarë, më pyeti: “O Aishe, ç’ke që zemërohesh?” Kurse unë i thashë: “Si mund të mos ketë zili e të mos zemërohet një njeri si unë me një njeri si ti?” Ai më pyeti: “A mos të erdhi shejtani?” Unë iu përgjigja: “O i Dërguari i Allahut, a mos shejtani që ndodhet bashkë me mua?” “Po!” – Më tha ai. Unë vazhdova: “A mos ka nga një shejtan për çdo njeri?” “Po!” – Më tha ai. Unë vazhdova: “A edhe për ty, o i Dërguari i Allahut?” “Po, por gjersa ai m’u dorëzua mua (gjersa u bë mysliman), Zoti im më ndihmoi kundër tij!”
Njeriu konsiderohet i pranueshëm pranë Allahut dhe i suksesshëm me aq sa t’i bëjë opozitë shejtanit. Ndërkaq, realizimi i këtij suksesi varet nga sa e përdor njeriu vullnetin për këtë dhe sa mbështetet te Allahu që e sheh dhe vëzhgon çdo gjë. Profeti ynë (s.a.s.), duke aluduar posaçërisht aspektin e dytë të çështjes, për ta mësuar se ç’duhet të bëjë dhe për ta ndihmuar dikë që e kish turbulluar zemërimi dhe s’dinte ç’të bënte, i thotë: “Unë di një fjalë që, po ta thuash atë, lehtësohesh. Ajo fjalë është “Eudhu bil’lahi” (Mbështetem te Allahu). Me këtë, i Dërguari i Allahut synonte ta largonte personin nga atmosfera e rëndë ku ndodhej dhe t’i thoshte se me thënien “Eudhu bil’lahi”, njeriu ia linte Allahut çështjen së bashku me shejtanin!
Le t’ia vëmë pikën kësaj çështjeje duke i dhënë vend sures “Nas” (Njerëzit) që na tregon se si duhet të ruhemi nga sherri, e keqja si e shejtanëve-njerëz, ashtu dhe e shejtanëve-xhindë:
“Thuaj: “Mbështetem te Zoti i njerëzve, Sundimtari i njerëzve, i Adhuruari (i vetëm me të drejtë) i njerëzve, nga sherri i djallit cytës që fshihet (pasi cyt) e që hedh dyshime në gjokset e njerëzve, (qoftë ai djall) prej xhindëve apo njerëzve!” (Nas, 114/1-6)