Meqë krijimi i njeriut ndryshon nga krijimi i kafshëve në en­titet dhe veçori, edhe vdekja e njeriut është e ndryshme nga e kafshëve. Shpirtin e njerëzve e merr ose vetë engjëlli Azrail, ose ndihmësit e tij, shpirtrat e kafshëve i merr vetë Zoti. Profetëve u ka shkuar Azraili dhe shpesh i ka njoftuar që më parë. Kështu ka ndodhur me profetin Adem, me profetin Musa dhe me pro­fetin Muhamed. Madje, siç pohohet në një hadith autentik, engjëlli Azrail i ka kërkuar leje profetit Muhamed për të hyrë në dhomën e tij e për t’ia marrë shpirtin. Në rastet kur shpirtin nuk e merr Azraili, ose shkon një ndihmës i tij, ose në prani të tij, shpirtin e merr ndihmësi.

Fakti që çdo njeriu i dërgohet një engjëll i veçantë, tregon për respektin që i bëhet njeriut. Është një engjëll i ngarkuar me punë për çdo njeri për t’ia marrë shpirtin, sepse njeriu është krijesa më e nderuar, më fisnike dhe më e përkryer. Një individ njerëzor shihet si i njëvlershëm me të gjithë individët e një lloji tjetër gjallesash. Ndërsa është një lloj, njeriu ka vlerë sa të gjitha llojet dhe çdo njeri jeton me kaderin, fatin e vet të paracaktuar. Njeriu ka një libër të veçantë dhe 360 engjëj të ngarkuar me punë. Meqë njeriu, krahas të gjitha gjërave për të cilat është pa­rë i merituar, bart edhe një shpirt të lartë kandidat për në përje­tësi, vdes në emër të jete të pasosur që i shtrohet para gjer në pafundësi… Si një përfundim i përputhshëm me këtë entitet dhe pozitë të tij të posaçme, shpirti i merret personalisht nga Azraili ose nga një engjëll i ngarkuar me punë.

Kurse për kafshët, siç u tha më lart, jepet një konkluzion i thjeshtë e i përgjithshëm dhe shpirtrat e tyre i merr Zoti drejtpër­drejt. Sepse kafshët, jo vetëm që s’janë përgjegjës si njerëzit, por nuk kanë as mendje, vetëdije, njohje dhe një shpirt që të ketë lidhje me përjetësinë. Ata nuk do të jetojnë jetë të amshuar në botën tjetër (ahiret) dhe, edhe nëse ringjallen përkohësisht se ashtu e do drejtësia hyjnore, për ta si individë nuk do të ketë xhehenem dhe xhenet. Vetëm qeni Kitmir i As’habi Kehfit, shokëve të shpe­llës, deveja e profetit Salih, zogu korrier i profetit Sulejman dhe trungu i hurmës ku qe mbështetur profeti Muhamed do të hyjnë në xhenet ku do të përfaqësojnë llojet e veta.

Si merren shpirtrat?

Njeriu që e krahason engjëllin me veten, nuk mundet ta kup­tojë veprimin e engjëllit me anë të fuqisë së vullnetit të vet të kufizuar. Me cilësinë si qenie shpirtërore, engjëjt nuk janë të ku­fizuar nga koha dhe hapësira, kështu që mund të shëmbëllehen në të njëjtin çast në shumë vende. Kjo është si shëmbëllimi i njeriut që hyn në një dhomë ku ka me qindra pasqyra, në të gji­tha pasqyrat. Kështu është edhe marrja nga Azraili e më shumë se një shpirti në të njëjtën kohë.

Është vetë Allahu që e vdes njeriun. Por që shëmtia e fytyrës së vdekjes të mos i dedikohet Allahut, për rrjedhojë, të mos u jepet shkak mendimeve të pakëndshme mbi Individualitetin e Shenjtë, Allahu e ka maskuar veprimin e Tij me anë të Azrailit.

Në çastin e vdekjes, secili hyn në kontakt me Azrailin. Sapo të shfaqet ndonjë sëmundje, fatkeqësi, aksident, shkurt, ndonjë shkak, menjëherë hyhet në lidhje me Azrailin. Prandaj s’është nevoja të kërkohet. Ta zëmë se përgatitet një aparat (stacion) që emeton valë me frekuenca të ndryshme dhe, me një buton, të emetojë valë në frekuencën 1000 herc. Kështu, në të njëjtin çast, me të do të hynin në rezonancë të gjithë aparatet marrës që punojnë në frekuencën 1000 herc. Një lehtësi e tillë ekziston në veprimtarinë e Allahut. Kjo është njëlloj me vënien në lëvizje të një mijë ushtarëve me një urdhër ose të reflektimit të diellit në një mijë pasqyra. Kështu, të gjithë njerëzit që ndodhen në një çast në të njëjtën frekuencë të vdekjes, e japin shpirtin sapo që Azraili të “transmetojë frekuencën përkatëse”. Krejt si shuar­ja në një çast e qindra llambave elektrike me shtypjen e butonit të çelësit të vetëm që i komandon.

Si duket engjëlli në çastin e vdekjes?

Çdo njeri ka një nivel dhe pozitë të caktuar, të posaçme ve­tëm për të. Pozita në fjalë fitohet me të mirat dhe të këqijat. Pi­kërisht në atë pozitë takohet njeriu me Azrailin. Në çastin e vde­kjes së një njeriu të mirë, atë e rrethojnë një sërë engjëjsh me pamje të qeshura dhe qëndrime shpresëdhënëse. Pastaj duket zotëria i atyre engjëjve, i përcjell njeriut përshëndetjen e Allahut dhe i thotë se ka për t’ia marrë shpirtin. Shpirti i mirë merret me të mirë.

Kurse në çastet e agonisë së një njeriu të keq, mëkatar e të ndyrë, engjëjt vijnë me pamje dhe qëndrim të pakëndshëm, tro­nditës, frikësues dhe tmerrues. Me t’i parë ata, njeriu në agoni tmerrohet. Pastaj vjen Azraili me një pamje që përhap tmerr, i ulet te kryet dhe e trajton sipas botës së tij të brendshme.

Si hiqet shpirti prej trupit dhe si merret?

Në agoni, çdo njeri ndjen diçka të veçantë dhe, meqë as­kush nuk ka gjetur dot mundësinë për ta shprehur atë që ka ndjerë, gjer tani nuk ka qenë e mundur të mësohet se ç’ndjehet. Megjithëkëtë, disa gjëra të përgjithshme mund të thuhen.

Ata që kanë jetuar si njerëz të mirë, ndjejnë gjëra të mira, kurse ata që kanë jetuar si njerëz të këqij, ndjejnë gjëra të kë­qija. Ai që ka jetuar si njeri i mirë, shkon duke vëzhguar gjëra të mira e të bukura dhe duke buzëqeshur. Ndërsa shpirti ndahet e shkon, kurmi që lë pas, buzëqesh. Si fëmija i cili po bëhet synet që nuk kupton gjë se i kanë futur në gojë një llokum, kur u me­rren shpirtrat profetëve dhe dëshmorëve, hapen dritaret e xhen­etit, parajsës, dhe, sipas shprehjes së Profetit, shpirtrat e tyre dalin me lehtësi siç rrjedh uji nga shtamba dhe, ndërsa shpirti u del, trupi u gëzohet dhe u buzëqesh duke soditur vendin ku do të shkojnë. Për njeriun e mirë, vdekja nuk është aspak e tillë siç kihet frikë, përkundrazi, është shumë e ëmbël dhe e shijshme, po ashtu dhe ç’vjen pas saj…

Profeti i tha kështu Xhabirit për të atin, Abdullah ibni Amr që ra dëshmor në Uhud: A e di se si e priti Allahu tët atë? Në një mënyrë që nuk përshkruhet. Në një mënyrë që as sytë s’e kanë parë, as veshët s’e kanë dëgjuar, as ndonjë njeri s’e ka kujtuar! Yt atë tha: Zoti ynë, më kthe në botë që t’ua tregoj edhe atyre që kanë mbetur pas harenë e kësaj vdekjeje të ëmbël!” Por Allahu i tha: “Tani s’ka të kthyer më pas! Atje një herë shkohet dhe mbaron. Por Unë u tregoj atyre për gjendjen tuaj!” Pastaj zbriti ky ajet:

“Mos i pandeh të vdekur ata që kanë rënë në rrugën e Alla­hut! Ata janë të gjallë dhe po shpërblehen pranë Zotit të tyre!” (Al Imran, 169)

Ky është, pa dyshim, një sihariq për të gjithë ata që bien dë­shmorë në rrugën e Allahut.

Në prag të vdekjes, secilit që i shkonte pranë, Profeti i thosh­te: “Namaz, namaz!..”. Edhe Hz. Omeri vdiq duke thënë, si ai, “Namaz, namaz!..” Në çastet e vdekjes, Halid b. Velidi rënko­n­te: “Kali im, shpata ime… sillmini t’i shoh edhe një herë!..” Hz. Osmani vritej duke kënduar Kuran, kurse Hz. Aliu, duke shkuar në xhami… Në kundërshtim me këtë, shumë vetë jepnin frymën e fundit në tavolinën e pijes, duke luajtur bixhoz, në folenë e prostitutave… Po, siç kishin jetuar, ashtu vdisnin!

Shpirtrat e faraonizuar tërhiqen si fijet e zëna nëpër ferra. Ndërsa dublantët i lënë dhe ikin, pas lënë dëshpërim dhe fytyra të thartuara. Engjëjt i marrin me shumë mundim shpirtrat e ty­re. Shpirtrat e tyre shkëputen me shumë vështirësi nga trupi, siç shkëputet pambuku i zënë në ferra!

Ndajeni me miqtë tuaj...