Në një ajet kur’anor, Allahu (xh.xh.) i drejtohet Profetit Musa (a.s.) me këto fjalë:
“Unë kam hedhur në ty dashurinë Time, që të rritesh nën Syrin (kujdesin) Tim! (Taha 20/39)
Nga ky ajet kuptohet se i Gjithëpushtetshmi vendos Musain në pallatin e Faraonit dhe eliminon në këtë mënyrë çdo ndikim të jashtëm të mundshëm në edukimin dhe rritjen e tij, qoftë nga e ëma, qoftë nga Faraoni. Kështu, Zoti e merr vetë përsipër edukimin e Musait dhe parandalon kështu hyrjen e çdo imazhi tjetër në syrin e tij dhe interferimin e çdo ndjenje tjetër në shpirtin e në botën e tij. E si mund të jetë ndryshe, përveçse i pafajshëm, një profet i rritur e i edukuar nën një tutelë të tillë. Që në fëmijërinë e hershme, ai është gjendur pa ndërprerje nën vëzhgimin e Mësuesit të Shenjtë dhe është edukuar prej Tij në mënyrën më të përsosur.
I nderuari zotëria ynë, Muhamedi (a.s.) në një hadith të tijin, shprehet kështu:
“Gjithë fëmijët e porsalindur i viziton shejtani; përveç Profetit Isa dhe nënës së tij. Ata janë mbajtur veçmas nga ky rregull”.357
Nga ky hadith kuptojmë se as në momentin që ka lindur, djalli nuk e ka vizituar atë profet të nderuar. Profeti Isa (a.s.) është një profet i marrë në mbrojtje ndaj çdo lloj ligësie, qysh në çastin që ka ardhur në këtë botë. E si mund t’i përshtatet atëherë mëkati një profeti të tillë?
Dy herë është nisur i Dërguari i Zotit të shkojë në dasmë. Dy herë gjatë gjithë jetës së Tij. Dhe që të dyja herët Zoti e pengoi duke i dhënë një gjendje gjumi aq të rëndë, sa mbeti i fjetur në mes të rrugës358. Ndoshta atje mund t’i hynte në sy diçka e ndaluar, ndoshta ndonjë mëkat i mundshëm i kishte zënë pritë. Por Zoti nuk do ta lejonte as që t’i afrohej cakut të mëkatit, as që të anonte sadopak drejt një mundësie të tillë. Duhet theksuar se që të dy këto raste kanë ndodhur para profetësisë së tij.
Ishte ende fëmijë. Punonte edhe ai bashkë me të tjerët për të ndihmuar në rindërtimin e murit të Qabes. Në shpinë mbartte gurë dhe ua çonte xhaxhallarëve të vet. Po ata ia kishin bërë plagë shpinën e zbuluar. Atëherë xhaxhai i tij, Abasi (r.a.) e këshilloi që të ngrinte cepin e pelerinës e ta vinte nën shpatull, kështu gurët nuk do ta vrisnin dhe aq shumë. Kjo ishte diçka fare normale që e bënin të gjithë atë kohë. Edhe profeti ashtu bëri, po kur ngriti cepin e pelerinës, iu zbulua paksa kofsha. Nuk kishte hedhur ende një hap, kur ra me shpinë dhe sytë iu ngulën në një pikë. Ishte Xhebraili vetë ai që e vështronte duke i thënë: “Nuk të shkon ty ky veprim!”359
Sepse do të vinte një ditë kur ai do të këshillonte të tjerët të mbulonin trupin. Njerëzimi priste të mësonte prej tij turpin, edukatën e sjelljen.
Edhe pse ende fëmijë, ai ndodhej nën mbrojtjen e edukimin specifik të Zotit… Qysh atë kohë Allahu (xh.xh.) e ruante të zgjedhurin e Vet nga çdo lloj mëkati, qoftë ai edhe më i vogli.
Ashtu sikur komandantët ushtarakë të të ardhmes, që edukohen në shkolla të veçanta e ndiqen me kujdes mos rrëshqasin majtas a djathtas, duke ua regjistruar të gjitha karakteristikat, të gjitha vlerat e prirjet e mundshme. Sikurse një individ, që mundësisht pas dyzet vjetësh do të emërohet në një post kyç e për këtë mbahet nën mbikëqyrje të rreptë për dyzet vite me radhë, duke iu kontrolluar çdo sjellje, çdo veprim, çdo nuancë e karakterit e ideologjisë së tij. Ashtu edhe i Gjithëpushtetshmi zgjedh komandantët e armatës së shpëtimit njerëzor dhe i ndjek ata qysh në fëmijërinë e tyre të hershme, i mbron me përpikmëri dhe nuk lejon që t’i afrohen as edhe një mëkati. Shumica e dijetarëve dhe teologëve janë të një mendimi për këtë çështje. Profetët janë të zgjedhurit e krijesave, ajka e virtytit dhe e moralit njerëzor. Sikur ajka, që si lëndë është qumësht, por përmban cilësitë më të larta të tij, ashtu edhe profetët janë njerëz, veçse cilësitë e vetitë e tyre janë të karakterit më të lartë. Shprehja e Kur’anit “El mustafejnel ahjar” – “Të zgjedhurit mes më të mirëve”, i shpjegon më së miri cilësitë e tyre.
Ndaj dhe profetët qysh në pikënisje, janë prej “më të
mirëve”. Porse jo gjithë “më të mirët” janë profetë, profetët
zgjidhen mes elitës së më të mirëve.
357 Buhari, Enbija, 44; Musned, 2/288.
358 Ibn Kethir, el- Bidaje, 2/350-351
359 Buhari, Haxhxh, 42; Ibn Kethir, el-Bidaje, 2/350.