Fjala “engjëll” ka kuptime të tilla, si lajmëtar, përfaqësues, forcë, fuqi. Kurse në terminologjinë islame, engjëlli përkufizohet si “një qenie dritësore dhe e tejdukshme e krijuar nga Allahu, e cila s’ka gjini dhe nuk e ndërpret adhurimin ndaj Allahut”.

 

Domosdoshmëria e besimit te engjëjt

Me aspektin e tyre të ndërtimit jomaterial që mund të perceptohet me anë të shqisave tona të jashtme, engjëjt janë qenie që i përkasin botës së padukshme e të fshehtë. Prandaj, për engjëjt merret njohuri jo me anë të ndijimeve, por me informacionet e dhëna nga Profetët.

Në librin e Tij të zbritur Profetit të fundit, Muhamedit (s.a.s.), na bën fjalë për engjëjt dhe e përmend besimin për ekzistencën e tyre mes bazave të besimit:

“I Dërguari i besoi asaj që iu zbrit nga ana e Zotit të tij, po kështu, edhe besimtarët. Secili i besoi Allahut, engjëjve të Tij, librave të Tij, të dërguarve të Tij!” (Bekare, 2/285)

Personi që nuk u beson engjëjve, ngaqë mohon konkluzionin e ajeteve përkatëse, nuk quhet se ka besuar. Në fakt, të mos u besosh engjëjve, do të thotë t’i mohosh anasjelltas komunikimin hyjnor dhe zbulesën hyjnore, Profetin, librin e sjellë nga Profeti dhe fenë e kumtuar prej tij. Sepse feja u është komunikuar Profetëve me ndërmjetësinë e engjëjve. Kështu, në Kuran thuhet:

“… Kushdo që mohon Allahun, engjëjt e Tij, Librat e Tij, të Dërguarit e Tij dhe Ditën e Kiametit, ai, me të vërtetë, ka humbur larg prej udhës së drejtë.” (Nisa, 4/136)

 

Ekzistenca, natyra dhe veçoritë e engjëjve

Në planetin tonë që zë një vend shumë të vogël në gjithësi, ekzistojnë me mijëra forma jete dhe mënyre jetese. Mu në këtë pikë, në mendje mund të vijë një pyetje e tillë: Në qoftë se ndodh kështu në tokë, po në yjet, planetët dhe sistemet shumë më të mëdhenj se toka, a ka qenie të gjalla e të vetëdijshme në përshtatje me kushtet e tyre? Sigurisht, përgjigjja “jo” që do t’i jepej aty për aty kësaj pyetjeje, do të ishte mashtruese. Nuk është aspak e arsyeshme që, duke marrë për bazë vetëm kushtet e jetesës së botës sonë, t’i shohim yjet dhe planetët e tjerë pa qenie e të pavetëdijshme. Në këto kushte, në tema dhe çështje si kjo që nuk i njohim, duhet t’u besojmë gjërave që na thonë specialistët e kësaj fushe, Profetët, personat e zgjedhur të pajisur në mënyrë të posaçme.

Le të përpiqemi ta trajtojmë temën me një analogji të mbështetur mbi shembullin. Le të mendojmë një mbret që ka thesare të panumërta dhe mrekulli artistike të pashoqe. Ky mbret ka ngritur një qytet me pallate të ndryshme që do t’i quanim të pashembullta, dhe në një skaj të këtij qyteti të shkëlqyer ka bërë një ndërtesë-banesë të vogël sa një kolibe. Ne vëzhgojmë personalisht me sytë tanë se në atë ndërtesë ka një lëvizje dhe veprimtari të madhe. Pastaj i kthejmë sytë nga ato pallate të shkëlqyera, por atje nuk shohim dot askënd. Pamundësia jonë për të parë ose dalluar gjë, mund të burojë nga tri shkaqe kryesore: nga dobësia jonë e shikimit, ngaqë banorët e atyre pallateve fshihen prej nesh, ngaqë atje s’ndodhet askush.

Ja, pra, ndërtesa e vogël në shembullin e “qytetit të shkëlqyer” që u përpoqëm t’ua ofrojmë me qëllim për ta përshtatur çështjen për mendjet tona, është bota jonë. Kurse pallatet e mëdhenj të këtij qyteti janë yjet dhe sistemet jashtë botës sonë. Dhe tani le të mendojmë jashtë shembullit tonë. A do të ishte e drejtë që dikush, i cili vëzhgon dhe bëhet dëshmitar i valles së mijëra ngjyrave e zërave dhe i veprimtarisë së vazhdueshme në një pikë të vogël – në një ndërtesë të vogël me emrin “botë” të qytetit gjithësi, t’i pandehte bosh pallatet e shkëlqyer prej yjesh? Sigurisht që jo! Sepse edhe në to ka jetë dhe banorë me vetëdije. Fakti që ne nuk i shohim nuk do të thotë detyrimisht se nuk janë! Fakti që nuk i shohim është pasojë ose e dobësisë dhe paaftësisë së syve tanë, ose e faktit që ata ekzistojnë në një dimension tjetër.

Në këto kushte, fakti që engjëjt janë të padukshëm, të paperceptueshëm me anë të organeve të shqisave, nuk përbën arsye për mohimin e tyre. Sepse padukshmëria e tyre nuk është pasojë e mosekzistencës ose padukshmërisë absolute të tyre, por e faktit që ne nuk jemi krijuar me aftësi dhe kapacitet për t’i parë ata. E thënë ndryshe, padukshmëria e engjëjve është pasojë e faktit që ata janë qenie metafizike që mbeten jashtë fushës sonë të interesimit të mbështetur në vëzhgim, provë dhe eksperimentim. Sot ka shumë qenie, ekzistenca e të cilave është provuar shkencërisht ose ndjehet, të cilat ne nuk i shohim dot me sy të zhveshur.

Kurani që na i bën të njohur engjëjt me anë të shumë veçorive të tyre, nuk na jep njohuri se prej ç’lloj elementi janë krijuar ata. Këtë njohuri mbi ta ne e shohim në hadithet e Profetit Muhamed (s.a.s.). Në një hadith Profetik bëhet e ditur se xhindët dhe shejtanët (djajtë) janë krijuar prej zjarri, Profeti Adem, prej balte (dheu), kurse engjëjt janë krijuar prej drite. (Muslim, Zuhd, 10)

Te engjëjt nuk ka ndjenja negative, si zemërimi, furia, urrejtja, zilia dhe smira; gjithashtu, engjëjt janë mbrojtur edhe prej ndjenjave dhe prirjeve të tjera njerëzore. Për rrjedhojë, për ta nuk mund të bëhet fjalë për ndonjë mëkat si kundërshtimi dhe kryengritja.

Në lidhje me këtë, në Kuran thuhet kështu për engjëjt:

“… Ata nuk i kundërshtojnë urdhrat e Allahut, por i zbatojnë menjëherë ato.” (Tahrim, 66/6)

Pozita e engjëjve, të cilët janë qenie shpirtërore që s’kanë të bëjnë me veçori njerëzore, si ushqyerja, seksi, martesa, është e fiksuar, gjithashtu, tek ta nuk bëhet fjalë për marrjen e ndonjë shpërblimi, por ata marrin një kënaqësi të brishtë dhe një shije të këndshme për çdo urdhër që kryejnë në emër të Allahut. Ata marrin begati shpirtërore sipas shkallëve të lartësimit para Allahut. Me aspektin e tyre si qenie dritësore, edhe ushqimet për të cilat ndiejnë nevojë, janë shpirtërore. Ata marrin shije nga dhikri, tesbihet, lavdërimet dhe bukuritë dritësore të afërsisë dhe dashurisë për Allahun dhe, në adhurimin ndaj Tij, as mbahen në të madh, as mërziten e lodhen:

“… Ata që ndodhen në praninë e Tij, nuk mbahen më të madh e nuk lodhen në adhurimin ndaj Tij. Ata e madhërojnë Allahun natë e ditë pa ndjerë lodhje e mërzi!” (Enbija, 21/19-20)

Në mënyrë të veçantë, si pasojë e strukturës së tyre të posaçme të tejdukshme e dritësore, engjëjt janë qenie që lëvizin me shpejtësi tejet të madhe dhe që kanë ndikim të përsosur. Në Kuran, duke përshkruar këto veçori të engjëjve, thuhet:

“Tek Ai ngjiten engjëjt dhe Shpirti (Xhebraili), në një ditë që zgjat sa pesëdhjetë mijë vjet.” (Mearixh, 70/4).

“Lavdi Allahut që ka krijuar qiejt e tokën dhe që i ka bërë engjëjt lajmëtarë me nga dy, tre dhe katër krahë.” (Fatir, 35/1)

Për krahët e engjëjve flitet si në Kuran, ashtu dhe në hadithet Profetike. Ndërkaq, s’mund të themi se krahët e engjëjve janë të njëjta me krahët e kafshëve të botës sonë. Po qe se mbahet parasysh se engjëjt janë qenie dritësore që bëjnë një jetë të dimensioneve të tjera, duket sheshit se nuk do të ishte e saktë që krahëve të tyre t’u visheshin cilësi materiale si të krahëve të zogjve apo aeroplanëve. Engjëjt kanë një strukturë të tillë që s’mund të njihet me anë të mjeteve perceptuese e njohëse të njeriut. Prandaj, natyrën dhe cilësitë e krahëve të engjëjve i dinë vetëm Allahu si dhe Profetët që i kanë parë.

Një specifikë tjetër që duhet ditur mbi krahët e engjëjve, është edhe kjo: për krahët e engjëjve, në Kuran përdoret fjala “xhenah”. Ndërkaq, kjo fjalë që nuk përdoret në mënyrë specifike dhe vetëm për të emërtuar krahët e engjëjve, ka edhe kuptime të tjera, si anë, krah (anësi) dhe veçanti. Duke u nisur nga kjo, shprehjen “uli exhniha” që përdoret në Kuran, mund ta kuptojmë si “llojshmëri të veçorive si fuqia dhe shpejtësia të dhëna engjëjve” ose si “gradë të engjëjve para Allahut”.

Engjëjt janë qenie që marrin forma dhe trajta të ndryshme me urdhrin dhe lejen e Allahut. Engjëjt janë parë nga Profetët edhe me formën dhe trajtën e tyre origjinale, edhe me forma dhe trajta të tjera. Për shembull, Xhebraili (a.s) i është shfaqur Hz. Merjemes në trajtë njeriu. Edhe engjëjt që i patën shkuar Profetit Ibrahim (a.s) me sihariqin për një djalë, i qenë shfaqur në trajtë njerëzish. Duke i pandehur për miq vizitorë, Profeti Ibrahim u pati nxjerrë për të ngrënë dhe, kur ata s’patën ngrënë, e pati kuptuar se qenë engjëj dhe qe trembur. Nga ajeti përkatës ku përshkruhen këto ngjarje, nxirret edhe përfundimi se engjëjt nuk hanë e pinë, pra, nuk ushqehen. Po kështu, siç bëhet e qartë edhe në rivajetin e njohur si “hadithi Xhebrail” ku bëhet përkufizimi i koncepteve iman, islam dhe ihsan, Xhebraili është parë nga sahabet në trajtë njeriu. (Muslim, Iman, 37; Ebu Davud, Sunet, 15)

 

Ndryshimi mes engjëllit dhe njeriut për sa i përket njohjes së Allahut

Me aspektin e tyre si dëshmitarë më të afërt të madhështisë dhe enigmave hyjnore, engjëjt qëndrojnë para njerëzve përsa i përket njohjes së veçorive të Individualitetit Hyjnor të Zotit. E thënë ndryshe, engjëjt qëndrojnë para njerëzve në njohjen e atributeve dhe emrave të Allahut. Ndërkaq, njerëzit, si rrjedhojë e të qenit pasqyrë përfshirëse që reflekton gjithë emrat dhe atributet e Allahut, konsiderohen më të lartë se engjëjt përsa u përket vlerave potenciale.

Engjëjt janë krijuar me një strukturë që mund t’u bëhet pasqyrë emrave dhe atributeve të Krijuesit të Lartë vetëm me anën dritësore-shpirtërore të tyre, kurse njerëzit janë krijuar me veçori që mund të pranojnë shfaqjet e emrave dhe atributeve hyjnore nga dy kënde të veçanta: edhe materiale, edhe shpirtërore.

 

Detyrat e engjëjve

Detyrat që u janë dhënë engjëjve nga ana e Krijuesit të Lartë, mund t’i radhisim kështu nën dritën e ajeteve të Kuranit dhe disa haditheve Profetike:

a) Të deklarojnë se Allahu s’ka të bëjë me asnjë konsideratë të mangët e të gabuar, ta lavdërojnë dhe falënderojnë Atë ditë e natë dhe ta lartësojnë në një mënyrë të përshtatshme për Të!

b) T’u komunikojnë fjalën hyjnore njerëzve të zgjedhur nga Allahu si Profetë.

c) T’i lartësojnë Profetët me salat dhe selam (falje e përshëndetje) dhe të luten për të gjithë njerëzit në botë.

d) T’u bëhen mbështetje me një forcë moralo-shpirtërore Profetëve dhe besimtarëve, t’i qetësojnë ata në çaste shqetësimi dhe dëshpërimi, ndërsa t’i fusin mohuesit në shqetësim.

e) Si ndjekës të njerëzve të cilët i ruajnë, në një kuptim, t’u shërbejnë njerëzve.

f) Të shënojnë aktet e njerëzve.

g) Të shërbejnë si mjet për veprimtarinë hyjnore që zhvillohet lidhur me gjithësinë.

h) Të kryejnë detyra lidhur me krijimin dhe vdekjen e njeriut.

i) Të kryejnë detyra si funksionarë të ekzekutimit të ndëshkimeve hyjnore.

 Numri dhe llojet e engjëjve

Numrin e engjëjve e di vetëm Allahu. Në Kuran dhe në hadithet Profetike nuk ka ndonjë informacion të qartë mbi numrin e engjëjve. Ndërkaq, duke u nisur nga deklaratat, si “ushtritë e qiejve e të tokës janë të Allahut”, mund të themi se numri i engjëjve është i madh në mënyrë të pallogaritshme.

Disa engjëj ne i njohim sipas emrave dhe veprimtarive të tyre. Kurse disa të tjerë, vetëm sipas llojit të detyrës me të cilën janë ngarkuar dhe me anë të titullit të dhënë të gjithëve së bashku. Për engjëjt nuk mund të bëhet fjalë për ndonjë kompetencë në kuptimin e vërtetë të fjalës. Ata janë vetëm në pozitën e vëzhguesve dhe duartrokitësve të veprimtarisë hyjnore. Një mendim i kundërt nuk përputhet me parimin e teuhidit, besimit monoteist islam mbi Allahun si Zoti i vetëm i gjithësisë.

Ndajeni me miqtë tuaj...