THOMAS PETRIANO

Marrëdhëniet midis Krishtërimit dhe Islamit përgjatë historisë kanë qenë karakterizuar shpesh nga keqkuptimet, rivaliteti dhe mizoritë e vazhdueshme. Siç ilustrohet në një film të kohëve të fundit, Mbretëria e Qiellit (Kingdom of Heaven), këto tensione e arritën kulmin e poshtërsisë gjatë Kryqëzatave. Në botën e sotme të pas 11 shtatorit, të njëjtat keqkuptime, rivalitete dhe mizori rrezikojnë të ndizen përsëri për faktin se ekstremistët e të dy krahëve mundohen të na e mbushin mendjen se Krishtërimi dhe Islami janë diametralisht të kundërt. Thënie të tilla mund të kapërcehen vetëm me anë të përpjekjeve të vazhdueshme për dialog, i cili nxit mirëkuptimin dhe pajtimin. Vetëm një ndryshim i tillë i sinqertë qëndrimesh mund të sjellë mirëkuptimin dhe t’i bëjë të aftë Kristianët, Myslimanët, por edhe hebrenjtë, të bashkëjetojnë qetësisht në shekullin e 21-të. Artikulli do të fokusohet në mënyrë të veçantë në dialogun krishterë-mysliman duke theksuar faktin se në vizionin e frymëzuar të themeluesve tanë të shenjtë, Jezusit dhe Muhamedit, ekzistojnë më shumë gjëra që na bashkojnë sesa gjëra që na ndajnë. Në qoftë se Jezusi dhe Muhamedi do të kishin jetuar në të njëjtën kohë dhe nëse do ta kishin njohur personalisht njëri-tjetrin, nga ata çfarë ne dimë, mund të themi se ata do ta kishin konsideruar njëri-tjetrin jo si rivalë, por si miq. Ekzistojnë katër tema që unë i gjej në Ungjill dhe në Kuranin e shenjtë të cilat më bindin se mësimet e tyre ishin të frymëzuara nga i njëjti besim bazë dhe nga i njëjti vizion për njerëzimin.

Së pari, është e qartë nga Testamenti i Ri dhe Kurani se si Jezusi ashtu dhe Muhamedi ishin të dashurit e Zotit. Në traditën Islame ekzistojnë shumë tituj nderi me të cilët njihet Profeti Muhamed. Për shembull ai njihet si Abdullah “shërbëtori i Zotit”, ai është i njohur gjithashtu si Mustafa “i zgjedhuri”, Ahmed “i lavdëruari” është gjithashtu një titull i përdorur dendur. Më shpesh ai është njohur si Resul “i Dërguar”. Përveç këtyre titujve, Muhamedi njihet edhe si Habib ose “i dashuri i Zotit.”

Po kështu, Jezusi në Testamentin e Ri gjithashtu përmendet si i dashuri i Zotit. Për shembull, tek Mateu 3:16, kur Jezusi po pagëzohej nga Gjoni, lexojmë:

“Dhe kur Jezusi u pagëzua ai doli menjëherë nga uji dhe ja qiejt u hapën dhe ai pa Shpirtin e Zotit duke zbritur si një pëllumb dhe duke ndriçuar atë dhe një zë nga qiejt foli, “Ky është biri im i dashur me të cilin unë jam i kënaqur.”

E njëjta skenë përsëritet në Ungjillin e Lukës dhe atë të Markut, dhe kjo gjë shërben për të përforcuar bindjen që Jezusi është vërtet i dashuri i Zotit. Kështu, si për kristianët, ashtu edhe për myslimanët, të parët e tyre njihen si të dashurit e Zotit. Pastaj mund të themi se për ata të cilët e duan Zotin, qofshin myslimanë apo kristianë, është e rëndësishme ta duan Jezusin dhe ta duan edhe Muhamedin. Për Zotin nuk ka rivalitet ndërmjet tyre. Ata janë të dy të dashurit e Zotit. Ata që mendojnë se janë pasuesit e tyre, duhet të kenë të njëjtin respekt e dashuri për të dy ata.

Historikisht, myslimanët kanë treguar shumë më tepër respekt për Jezusin sesa kristianët për Muhamedin. Myslimanët janë shumë të informuar rreth jetës së Jezusit dhe për të flitet me respekt të madh në Kuran. E njëjta gjë nuk ka ndodhur me sjelljen tradicionale të kristianëve kundrejt Muhamedit përgjatë historisë. Për fat të keq, një pjesë e këtyre paragjykimeve vazhdojnë në disa qarqe edhe sot. Kjo vjen për faj të informacioneve të pamjaftueshme apo të pasakta në lidhje me Muhamedin dhe jetën e tij. Një njohje më e mirë e jetës së Profetit Muhamed do të shërbente shumë për t’i ndihmuar kristianët të kuptonin se përse ai është gjithashtu i njohur si “i dashuri i Zotit – Habibullah.”

Një tjetër ngjashmëri midis Jezusit dhe Muhamedit është evidente në vizionin e tyre të qartë dhe pa kompromis të drejtësisë shoqërore. Ata të dy i njihnin pabarazitë dhe padrejtësitë që ekzistonin në shoqëritë e tyre respektive dhe që të dy ishin mbrojtës të flaktë të të varfërve, të vejushave dhe të jetimëve. Për shembull, në Kuran Zoti flet përmes të dërguarit të Tij Muhamedit me këto fjalë:

“Allahu caktoi obligim që lëmoshat t’u takojnë vetëm të varfërve, të ngratëve, punonjësve (që i grumbullojnë), atyre që u duhen përfituar zemrat, e duhet dhënë edhe për lirim nga robëria, të mbyturve në borxhe, (luftëtarëve) në rrugën e Allahut dhe atij që ka mbetur në rrugë. Allahu e di gjendjen e robërve, punon sipas urtësisë së Tij.” (Tevbe, 9:60)

Mbi bazën e frazave si kjo, koncepti i zekatit u bë një nga pesë shtyllat kryesore të Islamit dhe një akt i detyrueshëm devocioni për myslimanët. Kuptimi i barazisë mes të gjithë njerëzve i cili rrjedh nga ky parim, është një prej parimeve bazë të Islamit. Ai ilustrohet gjithashtu në sunete të ndryshme dhe në hadithe të Profetit Muhamed si p.sh. në rastin e dhënies së Bilalit të nderit për të qenë i pari njeri që thërriste ezanin duke i ftuar myslimanët të falen. Ky gjest nuk ishte asgjë më pak sesa veprim revolucionar për atë kohë dhe për atë vend.

Një tjetër shembull nga suneti, siç tregohet nga Karen Amstrong në librin e saj “Muhamedi”, është historia e një njeriu të varfër që kishte kryer një krim të lehtë të cilit ai i tha t’i jepte një lëmoshë një të varfri si shpagim për atë që kishte bërë. Kur burri po i thoshte Profetit se nuk kishte se çfarë të jepte si lëmoshë, një shportë me hurma arabie u soll nga dikush në xhami si dhuratë për Muhamedin. Profeti ia dha shportën burrit të varfër dhe i sugjeroi që ato hurma t’i përdorte për t’ua shpërndarë të varfërve. Burri u përgjigj se nuk njihte askënd që të ishte më i varfër se ai vetë. Muhamedi qeshi me përgjigjen e tij dhe i sugjeroi që ai t’ia jepte ato hurma familjes së tij si pendim për atë që kishte bërë. Sikurse Muhamedi, edhe Jezusi fliste shpesh në emër të të varfërve dhe njerëzve të pafat. Mësimet e famshme të mirësisë të cilat ishin pjesë e Predikimit në Malin e Shenjtë janë një shembull dhe një tjetër shembull gjendet në Ungjillin e Lukës. Në kapitullin e katërt ku Jezusi përdor fjalët e Profetit Isaiah duke iu referuar vetvetes ndërsa lexon pergamenin:

“Shpirti i Zotit ndodhet tek unë sepse Ai më dalloi mua që t’u jap lajme të mira të varfërve. Ai më dërgoi robërve të shpall lirimin e robërve dhe t’u rikthej sytë të verbërve për t’u dhënë lirinë të shtypurve dhe të shpall vitin e pranuar nga Zoti.” Pastaj ai e mbylli librin… dhe filloi t’u thoshte atyre, “Sot ky shkrim i shenjtë u plotësua nën dëgjimin tuaj.”

Jezusi jo vetëm që e predikoi mesazhin e tij të fuqishëm të dashurisë dhe drejtësisë për të gjithë pjesëtarët më të shtypur të shoqërisë, por me anë të veprave të tij ai i vuri në jetë këto fjalë. Katër ungjijtë i referohen vazhdimisht mëshirës së veçantë të Jezusit për të sëmurët, të varfrit dhe pjesëtarët e harruar dhe të shpërfillur të shoqërisë së tij. Tek Mateu 25:31-46, ai sugjeron më tej që dishepujt e tij të njihen dhe gjykohen nga veprat e tyre si ushqyerje e të uriturve, veshja e të zhveshurve dhe vizitimit të sëmurëve dhe të burgosurve. Në fakt, kurdoherë që një personi i kryen këto veprime edhe ndaj të fundmit të vëllezërve të tij, konsiderohet sikur t’i kishte bërë ato gjëra për Krishtin vetë. Ndoshta kjo është arsyeja e së vërtetës që Kurani e nderon dhe e respekton Jezusin. Sensi i tij i bamirësisë dhe i drejtësisë i cili i ka rrënjët thellë në drejtësinë e shpallur nga profetët hebrenj, është totalisht në përputhje me vizionin e drejtësisë së predikuar dhe të praktikuar nga Profeti Muhamed.

Një tipar i tretë i përbashkët midis Jezusit dhe Muhamedit është dashuria e tyre për Zotin. (Jezusi i drejtohet Zotit me fjalën abba e cila është një fjalë Aramaike që do të thotë “atë”) ndërsa Muhamedi e thërret Zotin me emrin Allah, fjalë arabe që do të thotë Zot. Për të dy, Zoti ishte qendra e jetesës së tyre. Ata e jetonin jetën përherë duke qenë thellësisht të vetëdijshëm për fuqinë dhe praninë e Zotit dhe vetë ishin të dashurit e Zotit. Ungjilli flet shpesh për shkuarjen e Jezusit për t’u lutur si në shkretëtirë ashtu edhe në male apo kopshte (siç ishte Kopshti i Ullinjve ku ai u lut një natë përpara se të vdiste). Shkrimtari shpirtëror Anthony Padavano na rikujton:

Ai lutej çdo herë, në çdo rast, çdo ditë, gjatë natës, kur ishte në ujë, kur humbiste nëpër male, kur ishte vetëm në tempull, i braktisur në kopsht, gjatë të ngrënave me shokët e tij, gjatë sprovës së rëndë të kryqëzimit. (Marrë nga libri i tij Agim pa errësirë).

Forca e shërbimit të Jezusit qëndronte në lidhjet që ai kishte vendosur me Zotin nëpërmjet lutjeve.

Në të njëjtën mënyrë Profeti Muhamed njihej nga pasuesit e tij si një njeri që lutej shumë dhe si njeri thellësisht mirënjohës ndaj Zotit. Shpallja e parë e Kuranit i erdhi Muhamedit kur ai ishte duke u lutur në Malin Hira dhe dy momentet e mëdha të epifanisë të cilat Muhamedi pati privilegjin e madh t’i kishte, Nata e Ngritjes në Qiell (Miraxhi) dhe Nata e Fuqisë (Nata e Kadrit), janë shembuj të devotshmërisë së thellë gjatë lutjeve dhe të intensitetit të madh të lutjeve të tij. Vërtet për Natën e Kadrit, Kurani thotë: “Nata e Kadrit është më e rëndësishme se njëmijë muaj.” Praktika e namazit pesë herë në ditë synon ta mbajë çdo mysliman të ndërgjegjësuar në lidhje me Zotin përgjatë gjithë orëve të ditës duke ndjekur shembullin e Profetit Muhamed me devotshmërinë e tij të thellë ndaj Zotit dhe me mirënjohjen ndaj Zotit të Gjithëmëshirshëm. Krahas pesë vakteve ditore të namazit, ekziston edhe një lloj lutjeje e njohur si dua, e cila i ngjason së tepërmi konceptit kristian të lutjeve të kërkesës. Nga suneti dhe hadithi ekzistojnë shumë zakone që kanë lidhje me përkushtimin e Muhamedit nëpër lutje në shumë momente të ndryshme të ditës dhe në lidhje me periudhat e gjata kohore që ai kalonte në namaz. Ashtu si Jezusi, edhe melodia e jetës ditore të Muhamedit ishte lutja dhe devotshmëria ndaj Zotit si dhe mirënjohja ndaj Tij. Paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi të dy ata!

Një karakteristikë e katërt që i bashkonte Jezusin dhe Muhamedin ishte respekti për të drejtat e grave. Që të dy jetuan në kultura tepër patriarkale në të cilat gruaja ishte shumë e nëpërkëmbur, kishte shumë pak të drejta dhe shpesh trajtohej ashpër dhe padrejtësisht. Gjatë ligjëratave të tyre mbi qëndrimin ndaj të drejtave të grave, Jezusi dhe Muhamedi dolën kundër normave mbizotëruese të kulturave të tyre respektive dhe trashëgimisë fetare. Ne e vërejmë këtë për shembull në mënyrat e të predikuarit të Jezusit në lidhje me gratë të cilat ishin tepër revolucionare për kohën e tij. Ai u fliste atyre dhe i trajtonte gjithmonë me respekt dhe me dinjitet ashtu siç e meritonin. Është një grua, Maria Magdalena, e cila njihet si një nga pasueset e tij më të flakta dhe është ajo së cilës Jezusi iu shfaq së pari pas ringjalljes së tij, duke ia besuar asaj detyrën e njoftimit të dishepujve të tjerë që ai ishte ringjallur. Në konceptin e Jezusit për Mbretërinë e Zotit, burri dhe gruaja ishin të barabartë.

Profeti Muhamed gjithashtu me kurajë i kundërshtoi normat mbizotëruese të kohës së tij që kishin të bënin me gratë. Në suren e katërt të Kuranit, Allahu iu kujton besimtarëve:

“O ju njerëz! Kini frikë Zotin tuaj që ju ka krijuar prej një veteje (njeriu) dhe nga ajo krijoi palën (shoqen) e saj, e prej atyre dyve u shtuan shumë burra e gra. Dhe kini frikë Allahun që me Emrin e Tij përbetoheni, ruajeni farefisin se Allahu është mbikëqyrës mbi ju.” (Nisa, 4/1)

Në mbështetje të këtij ajeti nga Kurani, ekziston një hadith në të cilin Muhamedi thotë se gruaja është gjysma binjake e burrit. Këto predikime të marra së bashku përbëjnë faktin e qartë të barazisë thelbësore që ekziston midis burrit dhe gruas siç i është shpallur Muhamedit. Është kjo njohje e barazisë e cila formon bazën e ligjeve të ndryshme të Sheriatit, që bën të mundur mbrojtjen e të drejtave të grave. Për shembull, ekzistojnë ligje që mbrojnë të drejtën e gruas për të qenë trashëgimtare, të drejtën e divorcit, të drejtën e votës dhe të punuarit në zyra, të drejtën e zotërimit të mjeteve të jetesës.

Si dhe ligje të rrepta që kufizojnë poligaminë. Në fakt, në të vërtetë, një nga arsyet kryesore për lejimin e rasteve të kufizuara ku poligamia mund të zbatohej ishte mbrojtja e shumë vejushave dhe jetimëve të cilët jetonin pa një bashkëshort apo baba pranë në shoqërinë jo rrallë të dhunshme në Arabinë e shekullit të shtatë.

Megjithëse Islami kritikohet shpesh si shtypës ndaj të drejtave të grave, fakti është që të mësuarit dhe shembulli Profetit Muhamed tregojnë krejt të kundërtën. Muhamedi sikurse Jezusi, ishte shumë antikonformist në mbrojtjen e të drejtave të grave. Përkundrazi, kanë qenë shpesh pasuesit e Muhamedit dhe të Jezusit ato që nuk e kanë kuptuar ose e kanë keqinterpretuar natyrën e vërtetë të pikëpamjeve të tyre për gratë dhe për rolin e tyre të ligjshëm në shoqëri dhe në fetë e tyre respektive.

Sigurisht ekzistojnë edhe të tjera pika të përbashkëta midis dy të dërguarve të mëdhenj të Zotit të cilat mund të vihen në dukje dhe natyrisht që ekzistojnë dhe disa ndryshime, por katër aspektet që cituam më lart që janë: të qenurit të dashurit e Zotit dhe mbrojtësit e të varfërve, devotshmëria e tyre në lutje si dhe të folurit e tyre në lidhje me të drejtat e grave. Të gjitha këto shërbejnë për të hedhur dritë mbi faktin se sa të përbashkëta kishin Muhamedi dhe Jezusi. Ata jetuan në kohë të ndryshme megjithatë dolën nga e njëjta zonë e globit. Ndokush mund të gabojë e të spekullojë duke shtruar pyetjen se nëse ata do të kishin jetuar në të njëjtën epokë dhe nëse do ta njihnin njëri-tjetrin, vallë si do t’i ishin përgjigjur njëri-tjetrit. Kjo, sigurisht që është një pyetje hipokrite, por të gjitha gjasat janë që ata të mos e kishin parë njeri tjetrin si rivalë, por, përkundrazi, ata do të kishin pasur respektin maksimal për njëri-tjetrin. Nata e famshme e Ngritjes në Qiell në të cilën Muhamedi në mënyrë mistike u transportua në Qiell (Nata e Miraxhit), mbart në vetvete ngjashmëri të dukshme me tregimet e Ungjillit në lidhje me transformimin e Jezusit kur ai u takua me Profetin Abraham dhe Eliah. Gjatë Miraxhit të Muhamedit, ai u takua edhe me Jezusin. Çfarë imazhi i mrekullueshëm! Ç’mund t’i kenë thënë vallë njëri-tjetrit? Kjo është një pyetje mahnitëse që shtrohet.

Nuk është e vështirë të imagjinohet gëzimi i tyre që po shihni njëri-tjetrin, përqafimi i tyre si shokë dhe hyrja e tyre në dialog të gjerë dhe të çiltër. Në të vërtetë, nuk është e vështirë të imagjinohen Jezusi dhe Muhamedi si shokë që i lidh dashuria e tyre për Zotin, si dhe vizioni i tyre për një botë të karakterizuar nga drejtësia, mëshira dhe barazia -një botë në të cilën njerëzit të jetojnë të vetëdijshëm dhe të nënshtruar ndaj Zotit. Ata do ta kishin konsideruar njëri-tjetrin si shokë, sepse ata ishin miq të Zotit. Ata do të kishin të njëjtat shpresa dhe synime për pasuesit e tyre. Uroj që ne pasuesit e tyre, të mësojmë nga ata.

Ndajeni me miqtë tuaj...