“Po ta shoh besimin e kombit tim në rrugën e duhur,
jam i kënaqur, edhe sikur vetë të digjem në flakët e Xhehenemit;
se teksa trupi më digjet, zemra galdohet dhe më kthehet në trëndafilishtë.”[1]
U bënë sa e sa vite që na ka marrë malli për ta parë njeriun që do të na shpëtojë… malli për njeriun që do të na mjekojë plagët dhe do të bëhet zgjidhje për të gjitha problemet që na kanë mbërthyer… Sidomos tani, në një kohë që qielli është errësuar dhe është bërë pus i zi dhe rrugët janë ndërthurur ngatërrueshëm njëra me tjetrën, Ai është bërë ajri ynë; drita jonë; lëngu ynë i jetës. Edhe pse kemi arritur në një pikë kur duket sikur edhe pak dhe do ta humbasim shpresën e ritakimit edhe njëherë, ne prapë do t’i pyesim të gjithë mos e kanë parë atë “të dashur të ëndërruar”[2], duke kënduar këngët e thurura për të.
Me gjithë pesimizmin më të frikshëm për shoqërinë e tij, shpallte se “nuk ka njerëz”. Nuk e di, a është populli ynë aq i vetëdijshëm që ta pranojë këtë të vërtetë të hidhur edhe për shoqërinë tonë? Ne, si popull jemi shumë të uritur dhe nevojtarë për një gjë: një njeri, të jashtëzakonshëm, që do të na marrë në prehrin e tij, do të na i fashitë dhimbjet dhe do të na shpëtojë nga ëndrrat e këqija. Në fakt, nga dje deri sot, pas të gjithë vuajtjeve që kemi hequr fshihet veç mosgjetja dot e këtij njeriu të aq shumë kërkuar. Mosgjetja dot e “njeriut të vuajtur” që harron kënaqësinë e të jetuarit në rrugën e jetësimit të të tjerëve, me kokën plot mjegull, si ajo që mbulon majat e maleve dhe me zemrën që i vlon në nxehtësinë e një zjarri prushitës…
Sa njerëz të kësaj përmase mund të më tregoni nga e shkuara e jonë e afërt..? Sa njerëz mund të më tregoni që kanë arritur t’i përthithin sekretet e krijimit të tyre? Sa njerëz aq delikatë sa të mund të bëhen mëkëmbës të Krijuesit?
Po, para së gjithash, njeriu që kërkojmë është një hero i zemrës. Të gjitha enigmat me të cilat ai përballet në çdo çast të jetës, hero i së vërtetës i apasionuar pas botëve të epërme[3], që e vë në pyetje çdo pjesë të ekzistencës dhe që përpiqet t’i gjejë pyetje prej pafundësisë pyetjeve që i lindin…
Një hero i së vërtetës, ngadhënjimtar i parajsave të ngadhënjyera me vullnet dhe ndërthurjen e përkryer të arsyetimit me imagjinatën, i cili e ndjek hap pas hapi Hidrin, sikur të ishte duke ngarendur në kërkim të ujit të jetës, që e kërkon këmbakëmbës të vërtetën dhe që do të pijë pa fund prej saj, sikur të jetë duke pirë përjetësinë; që mandej brenda saj krijon hojet e besimit dhe njohjes së botës përmes tij dhe që thur një botë të re, botën e dashurisë; që nga jashtë duket qiellore, e nga brenda univers më vete, gjuhë për fshehtësitë që fshihen në thellësitë e gjithësisë dhe natyrës, përkthyes i ndërgjegjes dhe i shpirtit…
Njerëzit joseriozë, që jetojnë pa treguar kurrfarë interesi për të vërtetën, fatkëqinjtë që nuk e lexojnë dot librin e gjithësisë, janë disa shurdhëmemecë që jetojnë krejtësisht të paditur për thellësinë që karakterizon botën të brendshme, apo për kauzën e vullnetit të tyre, nuk kanë arritur që ta zëvendësojnë dot njeriun për të cilin ndiejmë mall. Por ç’e do, duke përfituar nga mangësitë që kanë karakterizuar skenën e jetës sonë, si në ato shfaqjet e rreme të cirkut, përpara njerëzve tanë kanë dalë shumë xhambazë, në kohë të ndryshme, dhe e kanë bërë të argëtohet popullin tonë. Mirëpo asnjëherë nuk ia kanë dalë që të ngrenë fron në zemrat e tyre, për të fituar ndonjë nga përgëzimet e ruajtura për njeriun e shpresuar e të shumëpritur.
Njeriu, për të cilin ata kanë qenë gati që t’ia ofrojnë të gjithë zemrën, ka qenë ai që me mjetet e veta shkencore arrin t’i nxjerrë të gjithë gurët e çmuar të domethënies, që ngjitet drejt botës së engjëjve dhe njëjësohet me thelbin njerëzor; që di të jetë diell edhe kur është thërrmijë, që di të jetë oqean edhe kur është pikël, që di të jetë një e tërë edhe kur është veç pjesa; njeriu i mendimit që ka shpëtuar prej dilemës së vetëdijes dhe ekzistencës. Që lexon dhe kupton; që njihet me thelbin e vet përmes dijes njohëse, që ka zbuluar sekretin e lartësimit me besim; atë njeriun e mendimit që di se si ta zbresë Xhenetin në zemrën e njeriut përmes kënaqësive shpirtërore…
Njeriu i shumëpritur, që e ka pajisur zemrën me konceptet më të epërme është gjithmonë pranë Zotit, edhe kur gjendet në mesin e njerëzve. Në çdo sjellje tijën do të dallosh veç sinqeritet, e në çdo melodi që lëshon shpirti i tij, do të dallosh nga një klithmë të shoqërisë.
Tek ai egoja e ka të pamundur që t’u vërsulet ndjenjave; tek ai vështirë të gjesh krenari për arritjet, apo fora për fitoret. Sepse, edhe në kohën kur ai lartësohet më lart se kurdoherë, apo kur realizon arritjet më të mëdha, ai përjeton ndjenjat njerëzore më fisnike.
Përfitimi personal dhe interesi i grupit nuk mund ta ndotin dot kurrë horizontin e tij. Mllefet dhe urrejtjet nuk ia dalin dot kurrë që t’ia turbullojnë shikimin. Në vështrimin e këtij heroi të dijes, të dashurit, falja dhe durimi i të tjerëve përbëjnë idealin më të madh.
Kurse, kur vjen fjala tek ata që duan t’ia falin lumturinë e premtuar njerëzve vetëm në këmbim të gjakut dhe të përballjes më të ashpër, ata nuk janë veçse disa mjeranë me shpirtra fëminore, që i kanë hyrë një rruge të refuzuar e të ndaluar nga të katër librat.
Ah sikur njeriu ynë ta kishte kuptuar rolin prej aktori që këta intelektualë xhuxha kanë luajtur. Ndoshta, atëherë, përballë këtyre dordolecëve, ata do të thoshin: “Të mbrohemi!” Por, oh, sa keq! Ai është ende shumë larg prej të qenit i përgatitur që ta shprehë këtë lloj ekzistence.
[1] Bediuzzaman Said Nursi, Tarihçe-i Hayat (Jetëshkrimi), fq. 616 (Analizat).
[2] I dashuri i shumëpritur, i dashuri i shpresuar.
[3] Me zemër të lidhur fort pas diçkaje, i apasionuar, i dashuruar.