CIKLI I PËRSËRITUR I HISTORISË
Si mund ta përshkruajme panoramën me të cilën përballemi, kur u qasemi ngjarjeve që ndodhin sot nëpër botë, nga kënvdështrimi i përsëritjes së ngjarjeve historike?
Bota ka rënë sërish në rrjetën e shqetësimeve shpirtërore.. Po, Zoti po e trondit botën edhe një herë tjetër. Nga kjo tronditje do të marrin pjesën e tyre të gjitha vendet, madje edhe ato që duken si më të rehatshmet dhe më sistematiket, po ashtu edhe shtetet që radhiten pas tyre në raport me situatën dhe rrethanat e tyre specifike.
Zvarritja e botës sërish drejt shqetësimeve është një rezultat i lindur prej shkaqeve të panumërta. Ne thjesht do të përmendim disa prej tyre.
1.Shumë drejtuesve në botë, u mungojnë cilësitë drejtuese. Dihet se për çfarë e kemi fjalën kur themi “lider” dhe dihet se në ç’kuptim e përdorim këtë fjalë. (Ashtu siç përmendet edhe në shkrimin e titulluar “Lideri”, ka shumë cilësi dhe karakteristika që duhet t’i ketë një lider i vërtetë.) Nëse marrim parasysh kriteret e përmendura në atë shkrim, do të vihet re se bota sot është e varfër dhe në mungesë të theksuar të liderëve. Mes shqetësimeve dhe problemeve të shumta nëpër botë, kjo varfëri dhe mungesë ka një ndikim të përhapur dhe rrëqethës, që kurrsesi nuk mund të anashkalohet.
2.Është fatkeqësi për njerëzimin nëse jeta ekonomike e botës drejtohet nga njerëz që nuk janë njohës të ekonomisë. Njerëzimi po përpëlitet sot prej kësaj fatkeqësie. Është e çuditshme, që pavarësisht gjithçkaje, ky gabim i njohur prej të gjithëve ka gjasa të vazhdojë për disa kohë.
3.Për mendimin tim një nga shkaqet më të rëndësishme është shpërdorimi. Po, sot në gjithë botën mbizotëron shpërdorimi. Sigurisht, ky shpërdorim do të sjellë humbjen e pashmangshme të disa dinamikave të rëndësishme… Një humbje e këtillë do ta zvarrisë botën nga një problem në tjetrin. Njerëzit dikur jetonin me aq sa u mjaftonte për të siguruar jetesën. Ky ishte një kriter që zbatohej duke nisur nga ushqimet, deri te rrobat që vishnin apo sendet që përdornin. Ata preferonin të ishin të pasur në aspektin e idealeve të larta që mbanin, ndjenjave, mendimeve dhe kulturës. Sot, kjo çështje është përmbysur plotësisht.
Shpërdorim do të thotë të mos njohësh vlerën dhe rëndësinë e mirësive të Zotit dhe t’i shpenzosh ato gjithandej më kot. Fundja, a nuk u thonë edhe ”dorëlëshuar” shpërdoruesve . Gjallërimi i shpërdorimit në një vend të caktuar sjell si pasojë shfaqjen e zisë dhe urisë së tejskajshme. Ndonjëherë, kjo e fundit shfaqet në formën e ndërprerjes së begatisë. Në trajtimin e kësaj teme Bediuzamani cek të njejtin aspekt dhe thotë: “Kursimi është me siguri shkak vendimtar për begati, sikurse shpërdorimi sjell ndërprerjen e begatisë.”[1]
Është e mundur të renditen shumë shkaqe të lidhura me problemet që po përjetohen nëpër botë. Gjithsesi, ngaqë këtu menduam t’i qasemi çështjes nga një tjetër këndvështrim, nuk do të qëndrojmë më tepër mbi këto shkaqe.
Po, bota është kthyer në një arenë problemesh shpirtërore. Kjo është një histori e përsëritur. Prandaj, mendoj se do ishte më e dobishme që t’i qaseshim çështjes duke trajtuar cilësitë dhe rëndësinë e përsëritjeve në histori.
Po, historia është e mbushur përplot me ngjarje të përsëritura. Megjithatë këto përsëritje nuk ndodhin në mënyrë identike, por në formë të ngjashme me njëra-tjetrën. Në të kundërt, do të merrnim mësim nga të njëjtat ngjarje dhe nuk do të kryenim më të njëjtat gabime në lidhje me to. Në fakt, nga përsëritjet në histori nuk merret mësim, por merret shembull. Nëse dëshironi, le të përpiqemi ta shqyrtojmë nga një perspektivë e tillë gjendjen problematike në të cilën gjendet bota sot.
Brenda përsëritjeve në histori vihet re se periudhat në të cilat Zoti i Madhëruar i ka shtrënguar, vënë njerëzit në trysni dhe vështirësi, kanë qenë fillimet e hapjes së horizonteve të reja për njerëzimin. Kjo është e këtillë, si në nivelin individual, ashtu edhe në atë shoqëror. Pra ashtu siç kulmi i problemeve individuale tregon afrimin e çastit të shpëtimit, po ashtu, edhe ashpërsimi i shqetësimeve shoqërore, e ka mprehur shoqërinë dhe e ka drejtuar kah horizonte të reja. Teksa themi këto, ndërmend na vijnë fjalët e Imam Suhreverdiut në lidhje me natën: “Errësohu sa të mundësh. Sepse pika më e errët dhe e fundit e errësirës shënon fillimin e dritës që do të lindë!”[2]
Për më tepër, ka një ngjashmëri shumë pranë njëllojshmërisë mes makrobotës dhe njeriut, mbretit të normobotës. Prandaj, nëse dëshironi, mund të nisim ta trajtojmë çështjen duke filluar me njeriun, në mënyrë që të na mundësohet një plan krahasimi. Gjendjet e paqta të individit shpesh ndiqen nga gjendje shtrëngimesh të shpirtit dhe ndërgjegjes. Ndonjëherë gjendja kthehet dhe përjetohet e anasjella. “Kabd” do të thotë shtrëngesë. Prandaj në gjuhën arabe edhe pjesës së shpatës rreth së cilës shtrëngohen gishtat, i thonë “kabda.” Po, kjo shtrëngesë është ngërthimi nga një dorë e panjohur. Fundja kjo fjalë ka hyrë në terminologjinë sufiste kryesisht në këtë kuptim.
Këto gjendje shtrëngese shkaktohen ndonjëherë prej mëkateve apo shkujdesjes së individit. Njeriu fillimisht e lëshon veten ndaj një atmosfere të gjallëruar… Jeton pak i shfrenuar dhe si ndëshkim për këtë, bie në gjendjen e shtrëngesës. Ndoshta është vetë shpirti e kërkon të hyjë në një gjendje të këtillë, sepse shpirti shqetësohet nga teprica e rehatisë. Rrjedhimisht, ai shqetësohet edhe nga hareja që buron prej materiales. Fundja, shpirti dëshiron të përjetojë tendosjen metafizike në emër të botës tjetër.
Në këtë mënyrë, kjo shtrëngesë sjell si rezultat qortimin nga Forca Hyjnore si përgjigje ndaj lëshimit të njeriut. Zoti i jep njeriut gjendjen e shtrëngesës, në mënyrë që ta drejtojë kah Vetja. Kjo është e njejtë me rastin, kur, për ta bindur fëmijën të mos shkojë në vende të gabuara, apo të mos bëjë ndonjë gjë të keqe, nëna e godet lehtë me shuplakë dhe më pas e përqafon fort.
Në një gjendje të tillë, rrugët ngushtohen dhe nuk ka mundësi kalimi… Shkaqet heshtin dalëngadalë… Pikërisht në atë çast njeriu i fshin të gjitha shkaqet nga mendja dhe i drejtohet Atij që është Ai që i ka në dorë ato shkaqe. Qëllimi i Zotit (xhel’le xhelaluhu) është pikërisht të drejtojë njeriun kah Vetja e Tij. Nëse në gjendje të tilla njeriu arrin të kuptojë shkakun e vërtetë të ngjarjeve dhe kthehet kah Zoti, atëherë qëllimi është përmbushur. Për të arritur këtë pikë nevojitet një perceptim dhe vetëdije e faktit se asnjë ngjarje në univers nuk është rastësore. Kjo çështje trajtohet edhe në Fjalën e Tetë, nëpërmjet analogjisë së dy personave që bien në pus. Njëri prej tyre nuk arrin të shikojë dot përtej perdes së ngjarjeve, ndërsa tjetri është largpamës. Falë kësaj, ai thotë:
“Këto punë nuk i ngjasojnë rastësisë. Teksa vrapoj në këtë fushë nga pas më përndjek një luan, unë bie brenda në pus dhe mbahem pas një peme; në rrënjët e pemës gjenden një mi i bardhë dhe një mi i zi, që po brejnë pemën… poshtë ka hapur gojën një dragua dhe po pret çastin të bie… sipër më pret luani dhe gjendjen e tij kërcënuese dhe të tmerrshme… Këto ngjarje që ndjekin njëra-tjetrën nuk mund të jenë rastësi. Duket që gjithë këto janë planifikuar që më parë prej dikujt që më njeh dhe përfaqësohen nëpërmjet meje.”[3]
Njeriu që përjeton gjendjen e shtrëngesës duhet të mendojë pikërisht në këtë mënyrë dhe të thotë: “Këto ngjarje që më kanë ngërthyer, po përdoren prej një fuqie që më tejkalon mua. Unë jam thjesht një figurant në këtë lojë.” Patjetër, njeriu nuk duhet të mjaftohet me kaq, por duhet t’i drejtohet menjëherë Zotit, i Cili i drejton këto ngjarje dhe ka në dorë frerët e tërë krijesave.
Krahas planit individual, kjo gjendje vlen edhe për popujt. Herë-herë, ashtu si njeriu, edhe populli shtrëngohet prej kthetrash të hekurta, gjë që simbolizon gjendjen e shtrëngesës për të. Për ne kjo gjendje ka nisur në fillimet e shekullit të nëntëmbëdhjetë. Falimentimet kanë qenë të njëpasnjëshëm dhe veçanërisht pas Tanzimatit, jemi përballur me humbje të njëpasnjëshme, duke qenë në brezin e fitores. Ngaqë nuk arritëm të drejtoheshim plotësisht kah Zoti, kjo gjendje shtrëngese ka vazhduar për një kohë të gjatë. U jemi drejtuar dyerve të gabuara dhe kemi kërkuar ndihmë në vende të tjera. Për shembull, në një periudhë mbizotëronte simpatia për Francën, ndërsa në një tjetër dashuria për Anglinë, madje aq shumë, sa njëherë, në Portën e Lartë përdoret shprehja “Shteti i Nderuar” në lidhje me Anglinë. Pra, “Shteti i Lavdishëm Britanik” Ky kompleks i qepur pas shpirtit kombëtar iu ngjit edhe individëve një e nga një… Që të dyja këto nivele morën pjesën e tyre nga kjo dhe përjetuan tronditje.
Në periudhën e sotme po përjetohen gjendje shtrëngese edhe te populli, edhe te shteti. Njëlloj si shqetësimet në të cilat njeriu hyn nëpëmjet ndërgjegjes dhe mendimeve të tij, po ashtu kemi hyrë në to si popull dhe si shtet. Sot po përjetojmë përsëritjet e të njëjtave gjëra. Megjithatë kjo përsëritje nuk kufizohet vetëm me ne. Shqetësimet që kemi përjetuar në të shkuarën e afërt, po përjetohen tashmë anembanë botës. Sigurisht, edhe Turqia do të përjetojë atë që i takon prej këtij shqetësimi të përgjithshëm. Megjithatë, ashtu si e përsëritëm edhe më lart, kjo përiudhë problematike duhet trajtuar sërish nga këndvështrimi i përsëritjeve në histori. Pra, ashtu si shndërrimi i shqetësimeve të mëparshme në paqe dhe qetësi, po ashtu besoj se edhe shqetësimet dhe problemet që përjetojmë sot do të shërbejnë si ura drejt paqes dhe qetësisë në të ardhmen. Fundja, detyra jonë a nuk është të përgatitim këtë periudhë të re të paqtë për njerëzimin?
Idetë tona mbi përsëritjet historike mund t’i zbatojmë edhe në aktivitetet tona shkencore. Nëse një gjë e tillë arrihet, do të vëmë re se në cilindo shkallë dhe nivel të gjendjes së shtrëngesës t’i kemi nisur ato punë, pa dyshim, në fund këto rrugë shpien në paqe dhe qetësi. Kështu periudha e shtrëngesës bëhet shkak për kërcimin në një nivel tjetër të ri. Mund të themi me bindje, se që këtej e tutje, të njëjtat gjëra do të ndodhin në forma të ngjashme…
[1] Bediuzaman Said Nursi, Shkrepëtimat, Shkrepëtima e Nëntëmbëdhjetë, Pika e Parë, fq. 260.
[2] el-Kudai, Musnedu’sh-Shihab 1/436; ed-Deylemi, el-Musned 1/426.
[3] Bediuzaman Said Nursi, Fjalët, Fjala e Tetë, fq. 58.