MODESTIA DHE THJESHTËSIA NË SHËRBIMIN NDAJ BESIMIT
Para së gjithash, mendoj se do të ishte me vend ta shqyrtonim këtë çështje nga këndvështrimi i personit që ua hapi rrugën shpirtrave të dedikuara kah shërbimi, një e vërtetë që ai e shpreh me fjalët: “Me këtë shërbimin tonë ne jemi duke përgatitur terrenin për ata njerëz të ndritshëm.”[1] Krahas kësaj, do të ishte e dobishme të rikujtohej një parim tjetër, nga pikëpamja e të cilit do të ishte më e dobishme që të shqyrtohej kjo çështje. Të lidhesh fort pas kësaj kauze të lartë dhe këtij ideali madhështor, të marrësh parasysh gjendjen e tij të djeshme dhe të nesërme, të palosesh më dysh dhe të brengosesh me shqetësimin për të hyrë në zemrat e njerëzve më të egër, më të ashpër, më kokëfortë, më jotolerantë, më jobesimtarë dhe për t’u shpjeguar atyre diçka… Po, është pikërisht kjo brengë që na shpie në atmosferën e tolerancës dhe prej aty do të na lartësojë drejt butësisë dhe pranueshmërisë, prej aty, kah falja e mëkateve dhe në fund, do të na mundësojë të arrijmë horizontin më të begatë dhe të frytshëm të udhëzimit, në emër të fitimit të një shpëtimi të përjetshëm.
Nëse kthehemi pas në kohë, do të vërejmë se materialet që kemi përdorur në thurjen e kësaj dantelle të bekuar deri më sot, kanë qenë gjithnjë toleranca, pranueshmëria, falja dhe mëshira… Ne nuk i kemi përdorur këto materiale si pjesë të një plani madhor të planifikuar që më parë, por kemi ndjekur drejtimin e rrjedhës së ngjarjeve derisa kemi arritur në ditët e sotme. Pra, e kemi kaluar tërë jetën me një mendim të këtillë gjithëpërfshirës shërbimi dhe mbase pa e vënë re aspak, kemi përçuar një mesazh dhe kemi ndriçuar rrugët për njerëzit e sotëm dhe brezat e ardhshëm.
Frymët e shenjta, që janë të lidhura me shërbimin ndaj Islamit, e që dalin prej mijëra gojëve sot, e përfshijnë aq shumë atmosferën tonë shpirtërore, sa që dallgët keqdashëse thyhen menjëheherë, shkrihen dhe thërrmohen sikurse meteorët. Patjetër, ashtu si rritja shkallë-shkallë dhe formësimi i filizave, edhe këto ndodhin në përputhshmëri me ligjet e natyrës. Do të vijë një kohë, kur këto pjesë të lidhura me njëra-tjetrën do të bashkohen, duke arritur unitetin, dhe pikërisht atëherë do të ndërtohen qytetërimet e ëndërruara.
Po, të brengosurit e parë, kryen detyrën që u takonte, shkuan dhe jua lanë juve si trashëgim atë amanet. Sot, arkitektët dhe punëtorët e mendimeve jeni ju. Pa qenë të vetëdijshëm, nëpërmjet aksionit të lindur nga universaliteti i shpirtrave dhe prirjeve tuaja të përgjithshme, nga njëra anë ju po ndërtoni qytetërimin e sotëm dhe, nga ana tjetër, po përgatitni këmbët e urës që zgjatet drejt së ardhmes. Brezat pasardhës do ta marrin këtë amanet prej jush dhe do ta lartësojnë në një nivel tjetër. Ndërkohë që e bëjnë këtë do të vërejnë që këmbët e urës janë të ndërtuara dhe do të thonë: “Pra, për këtë qëllim qenkan ndërtuar këto.” Sahabët dhe brezat që erdhën pas tyre, pra tabiinët dhe tebei tabiinët, do të pyeten: “A ka mes jush nga ata që e kanë parë Profetin?” – dhe: “A ka mes jush nga ata që kanë parë ata që kanë parë Profetin?” – dhe do t’u hapen portat. Po njëlloj, edhe ju do të zini vendin tuaj në një pikë të caktuar dhe më pas, me lejen e Zotit, ato dyer do të hapen edhe për ju.
Këtu dua të theksoj sidomos një çështje në lidhje me pyetjen: Nuk i dihet, ndoshta ky brez do të jetë jetëgjatë dhe ju mund ta përfaqësoni plotësisht këtë mision në të ardhmen. Megjithatë, këto do të realizohen vetëm si mirësi dhe bujari e Zotit të Madhëruar ndaj prirjes suaj kolektive dhe pasurisë së botës suaj të brendshme. Krijimi i pritshmërive në këtë çështje dhe të bazuarit e sjelljeve tona mbi to, do të ishin tërësisht mungesë sinqeriteti. Pritshmëritë më të vogla apo mendime të llojit, “këto po i bëj unë, po i kryej unë,” – mund të djegin një pjesë të ndërtesës që synohet të ndërtohet në të ardhmen nëpërmjet këtij misioni të madh. Madje këto pritshmëri, me kalimin e kohës, mund të hapin plagë shpirtërore dhe të na nxitin drejt egoizmit dhe krenarisë. Mund të ndodhë që dikush të mendojë mirë rreth nesh dhe të na japë disa pozita të caktuara, por pritshmëri të tilla nuk duhen menduar kurrsesi për hir të vetes apo individëve. Nuk duhen kaluar kurrë nëpër mend! Njeriu që e mendon këtë, duke menduar një gjë të tillë, hedh një hap të gabuar. Nëse nuk pendohet, me kalimin e kohës kjo mendësi përsëritet, fiton qëndrueshmëri dhe ndiqet nga hapa të tjerë të gabuar, derisa vjen një ditë dhe ai humbet në rrugën e fitores dhe rrokulliset kokëposhtë. Ai mendimtar i rëndësishëm dhe njëkohësisht hero i sinqeritetit i epokës sonë, e ka cekur me këto fjalë ndjeshmërinë e kësaj çështjeje: “Mua m’u dha të lexohej një libër jashtë vullnetit tim… dhe jashtë vullnetit tim, u shtyva në rrugën e braktisjes së librave … pa e ditur, po jashtë vullnetit tim, iu drejtova Kuranit … pa e ditur m’u bë e mundur që t’i shërbej fesë sime…”[2]
Po, të qenët shërbëtor dhe ndjekës i kësaj rruge është një pozitë e paçmueshme. Më mirë të jesh gjithnjë një ushtar në portën e Zotit dhe të mos krijosh pritshmëri të ndryshme. Mund të ndodhë që ushtarit t’i caktohet detyra e marshallit, por kjo është një punë që e di vetëm Zoti dhe ne nuk ndërhyjmë në të. A nuk thotë ashtu edhe Bediuzamani? “Egoja (uni) është më i ulët se çdo gjë dhe detyra është më e lartë se çdo gjë”[3]; “Në të vërtetë, ti duhet ta njohësh unin tënd si një person i tillë gjynahqar”[4], “Mos thuaj: ‘Unë jam një vend manifestimi dhe dikush që manifeston bukuri, është i bukur,’ sepse meqenëse nuk e ke përvetësuar atë, ti nuk je një vend manifestimi, por një vendkalim për tek ai.”[5]
Flluskat në sipërfaqen e ujit reflektojnë diellin. Po të mos ishte dielli, do të kishin vallë ç’të pasqyronin? Atëherë gjithë bukuritë dhe mirësitë i përkasin Më Të Bukurit të të Bukurve. Po, reflektime të tilla janë shumë të rëndësishme. Sa më të mëdha të jenë detyrat që na cakton Zoti i Madhëruar, në atë raport duhet të shtohet thjeshtësia dhe modestia jonë, duke qëndruar sa më larg pritshmërive dhe pretendimeve. Qëndrimi i paqtë në këtë botë dhe në ahiret, në botën tjetër, varet nga sa e paqtë është zemra. Sa bukur e shprehin këtë të vërtetë vargjet:
“Mos pandeh se prej teje kërkohet ar dhe argjend të kesh,
Në ditën ku s’ka shpëtim, veç zemrën të pastër ta kesh.”
Po, këtë të vërtetë duhet ta gdhendim në shpirt. Krahas kësaj, duhet të jetojmë si njerëz të thjeshtë dhe nuk duhet të krijojmë pritshmëri që e kalojnë nivelin tonë, qoftë në emër të vetvetes, qoftë në emër të shoqërisë… Duhet të jemi të vendosur, që frymën tonë të fundit ta japim mes mendimeve të këtilla.
[1] Bediuzzaman Said Nursi, “Letrat”, Letra e Njëzetetetë, ‘Çështja e shtatë e cila është trajtesa e shtatë, Arsyeja e pestë’, fq. 566.
[2] Bediuzaman Said Nursi, Letrat, Letra e Njëzetetetë, Çështja e shtatë, e cila është trajtesa e shtatë, Arsyeja e shtatë.
[3] Bediuzaman Said Nursi, Rrezet, Rrezja e Katërmbëdhjetë (fq. 629); Tarihçe-i Hayat (Historia e jetës).
[4] Bediuzaman Said Nursi, Fjalët, Fjala e Njëzetegjashtë, Përfundim, fq. 741.
[5] Bediuzzaman Said Nursi, Fjalët, Fjala e Tetëmbëdhjetë, Stacioni i Parë, Pika e Parë (f. 357)